EKSKLUZIVE: Zgjedhjet në veri shtyhen për në prill të 2023
Në takimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është vendosur që zgjedhjet në veri të shtyhen për në 30 prill të vitit të ardhshëm.
Kështu bëjnë të ditur burimet e gazetës Nacionale, të afërta me takimin. Tashmë janë duke u diskutuar dy data: 23 dhe 30 prilli.
Fillimisht ishte propozuar që zgjedhjet të mbahen më 19 ose 26 mars.
Megjithatë, Nenad Rashiq propozoi që shtyrja të bëhet për gjashtë muaj.
Në këtë takim janë duke marrë pjesë të gjitha partitë partitë parlamentare dhe kryeministri kryeministri Albin Kurti.
PDK-ja në këtë takim po përfaqësohet nga nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, kurse LDK-ja po përfaqësohet nga Imri Ahmeti, kryetar i komunës së Lipjanit.
AAK-ja ka bërë me dije se nuk do të marrë pjesë në këtë takim.
“Qëndrimi i AAK për zgjedhjet në veri, që nga fillimi kur është hapur kjo temë, ka qenë që ato të shtyhen, sepse kemi vlerësuar se nuk është momenti i përshtatshëm për mbajtjen e tyre. Ky është qëndrimi jonë që e kemi bërë publik në shumë raste e deklarata, tash e sa kohë.”, i thanë nga AAK-ja Nacionales.
Shtyrjen e kishin kërkuara ndërkombëtarët
Ambasada e ShBA-së është ndër të parët që ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve në veri.
Të njëjtin qëndrim e ka shprehur edhe Derek Chollet, këshilltar në DASH.
E Departamenti i Shtetit përsëri e theksoi qëndrimin e ShBA-së, duke lëshuar një komunikatë për zgjedhjet në veri.
“Përdorimi i eksplozivëve nuk është kurrë një metodë e pranueshme proteste dhe rrezikon jetën e njerëzve të pafajshëm”, tha për Zërin e Amerikës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, duke shtuar se “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t'i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo deklaratë që do të përshkallëzonte më tej tensionet.”
Dje, kryeministri Albin Kurti mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ku foli për zgjedhjet në veri dhe situatën e sigurisë atje. Ai tha se janë në komunikim me faktorët ndërkombëtar, por se ambasadorën nuk mund të bëhen ministra të tij.
“Vazhdimisht jemi në konsulta dhe koordinim me ndërkombëtaret. Por ju duhet ta kuptoni se edhe ata presin që në të jemi në nivel të detyrës. Janë ambasadorët e vendeve të QUINT-it, por ata nuk bëhet dot ministra. Ministrat janë qyetarë të këtij vendit.” – deklaroi Kurti.
Kujtojmë që deri tani ka pasur një seri shpërthimesh në veri të bombave të shokut, ndërsa një polic është plagosur në krahror, e që pas intervenimit në QKUK, gjendja e tij shëndetësore është stabile.
Lajm i përditësuar:
Ora 16:19: Siç raportoi pak më parë Nacionale, Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, e ka konfirmuar se zgjedhjet do të mbahen në prill të vitit 2023. Tashmë janë dy data që po diskutohen mes partive: 23 ose 30 prill, që duket jenë datat kur pritet të mbahen zgjedhjet që parashiheshin të mbaheshin më 18 dhjetor.