Java e diskutimeve për targat, veriun dhe huqja e Gërvallës me 'raketat ruse'
Tema kryesore, jo vetëm në javën që po e lëmë pas por edhe gjatë javëve të fundit, vazhdon të jetë çështja e targave dhe kriza e krijuar në veri të vendit pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet. Kërkesat për gjetjen e një zgjidhje u shtuan, ndonëse nuk pati përparim. Huqjet e Gërvallës dhe shpallja e zgjedhjeve në veri, janë ngjarjet tjera të javës.
Targat
Çështja e targave po vazhdon të jetë prioritet. Gjatë kësaj jave pati në vazhdimësi kërkesa ndaj Kosovës dhe Serbisë që të dialogojnë për gjetjen e një zgjidhje për targat, mirëpo deri më tani nuk ka diçka konkrete.
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryenegociatori, Besnik Bislimi, pati disa udhëtime në Bruksel ku diskutoi edhe për targat.
Ai në një intervistë dha një deklaratë mjaftë të paqartë.
Ai foli edhe për shkresën që i kanë dërguar emisarit Lajçak, derisa tha se sapo të ketë dakordim, do të bëhet publike.
“Këto zbardhen në fund kur të kemi dakordim. Ne jemi ende në kontakt me z.Lajçak, sot e kemi dërguar me shkrim mënyrën se si e shohim zhvillimin që nga java e ardhshme e në muajt në vijim. Në atë moment që kemi dakordim, e bëjmë publike”, ka thënë ai.
“Modalitete janë 20 sosh...”, shtoi ai.
Në anën tjetër, Shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se zgjidhja për targat është çështje orësh dhe jo ditësh.
Ndërkohë, mediat kanë raportuar se sot më 20 nëntor mund të ketë një takim me kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit, Aleksandar Vuçiq në Bruksel për targat.
Zyrtarë të lartë të Amerikës dhe BE-së po vazhdojnë të insisitojnë në gjetjen e një zgjidhje për situatën në veri.
Mbetet të shihet nëse do të arrihet ndonjë zgjidhje këto ditë, teksa nga sot përfundon faza e parë e qortimeve dhe pas kësaj fillohet me fazën e gjobave për poseduesit e targave ilegale.
Shpallja e zgjedhjeve në veri dhe betimi i deputetëve
Presidentja, Vjosa Osmani pas konsultimeve me partitë politike, ka shpallur 18 dhjetorin ditë të zgjedhjeve për komunat veriore; Mitrovica Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Lista Serbe si partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, teksa partitë tjera të serbëve janë shprehur skeptik nëse do të marrin pjesë apo jo në zgjedhje.
Në anën tjetër, Lista Serbe, ka dërguar deputetët e rinj në Kuvendin e Kosovës, të cilët u betuan në seancën e së enjtës. Lista Serbe tha se betimi i deputetëve të tjerë të kësaj partie ishte lëvizje strategjike vetëm për të penguar që serbët tjerë të mos futen në Kuvend.
Ky hap nxiti reagimin e serbëve të tjerë të dorëhequr nga institucionet tjera.
Huqjet e Gërvallës
Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ishte ndër zyrtarët e parë që përcaktoi se sulmi në Poloni u bë nga raketat ruse, anipse u vërtetua se nuk ishin ruse.
Megjithatë, nga shpejtësia për të reaguar, Gërvalla edhe kësaj here shkaktoi panik dhe pasaktësi me reagimin e saj.
Gërvalla, pak minuta pas raportimeve të medieve për sulmin në Poloni, doli me një reagim në Twitter, ku përcaktoi se sulmi është kryer nga raketat ruse.
Pas kësaj deklarata, Gërvalla u kritikua nga partitë opozitare dhe njohës të zhvillimeve politike. Disa kërkuan edhe shkarkimin e saj.
Kujtojmë se nuk është hera e parë që Gërvalla bën gabime në deklarimet e saj në rrjetet sociale.
Tjetër ngjarje që duhet theksuar, është edhe largimi i Prokurorit të Dhomave të Specializuar të Kosovës në Hagë, Jack Smith.
Ai u larguar për të hetuar ish-presidentin e Amerikës, Donald Trump. Smith u zëvendësua nga prokurori Alex Whiting.
Për të kuptuar se çfarë ndikimi mund të ketë largimi i tij në rastin e gjykimit të Thaçit dhe të tjerëve, klikoni KËTU.
Theksojmë se, Kuvendi i Kosovës në mes të zhurmës dhe kritikave ka miratuar në shqyrtim të parë Projektbuxhetin për vitin 2023.





