Izraeli vret gjashtë persona të armatosur në një kamp refugjatësh të Bregut Perëndimor
Forcat izraelite bastisën të martën një kamp refugjatësh në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor, duke vrarë të paktën gjashtë të armatosur palestinezë, përfshirë një anëtar të Hamasit që dyshohej për vrasjen e dy vëllezërve nga një vendbanim hebrenjsh afër fshatit Huwara.
Të mërkurën herët, një hedhje rakete u identifikua nga Rripi i Gazës drejt Izraelit, duke e nxitur aktivizimin e alarmeve dhe dërgimin e izraelitëve në strehimore kundër bombave, edhe pse u duk që raketa ra brenda Gazës e jo në territorin izraelit, tha ushtria izraelite.
Më herët, banorët thanë se luftimet shpërthyen, pasi banorët e kampit të refugjatëve panë ushtarë izraelitë duke dalë nga një kamion për transportimin e mobilieve afër një shtëpie në një kodër prej të cilës shihet qendra e kampit të madh dhe se luftëtarët hapën zjarr menjëherë, raporton agjencia “Reuters”.
Gjatë betejës me armë, forcat izraelite rrethuan një shtëpi, ku një person i armatosur i dyshuar e kishte ngujuar veten me luftëtarë të tjerë dhe i përdorën raketat e hedhura nga krahu në drejtim të ndërtesës, thuhet në deklaratën e ushtrisë izraelite.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se gjashtë palestinezë janë vrarë dhe të paktën 16 të tjerë janë plagosur. Një anëtar i policisë izraelite është plagosur dhe tre të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta.
Ushtria izraelite e identifikoi njërin prej burrave të armatosur si Abdel-Fattah Kharusha, anëtar i grupit Hamas, për të cilin tha se kishte qëlluar dy izraelitë në veturën e tyre afër fshatit palestinez, Huwara.
Sipas deklaratave të Hamasit dhe të Xhihadit Islamit, të gjithë të vrarët ishin persona të armatosur nga këto dy grupe dhe nga grupi Fatah.
“Ne u bëjmë thirrje luftëtarëve të popullit tonë kudo që ta eskalojnë rezistencën e armatosur kundër pushtimit dhe t’i luftojnë ata kudo në tokën e shtëpisë sonë të pushtuar”- tha në një deklaratë krahu i armatosur i Hamasit.

