Italia: Kosova nuk futet ne agjendë për KiE pa përparim drejt Asociacionit - NACIONALE

Italia: Kosova nuk futet ne agjendë për KiE pa përparim drejt Asociacionit

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Ambasadori italian në Serbi, Luka Gori ka deklaruar që ende nuk është momenti për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sipas mediave serbe, ai citohet të ketë thënë se është i nevojshëm progresi në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në mënyrë që të ndodhë një gjë e tillë.

“Ky është pozicioni që Italia ka bashkë me Francën, Gjermaninë dhe vendet tjera anëtare të BE-së dhe kjo është ajo që po tentojmë të arrijmë në Strasburg.” – ka thënë ai.

Ambasadori ka shtuar se qëndrimi i Italisë është i qartë dhe se Roma beson që Asociacioni është një element kyç për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Ndryshe, të mërkurën, në një fjalim të gjatë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, pas disa javëve me raportime nëpër media e pas deklaratave të ndryshme në opinionin publik, kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se ekziston kushti i krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Pengesat për anëtarësim i mendonim nga shtete që s’e njohin Kosovën, por assesi e asnjëherë s’e mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokratizim e më herët ishin krah nesh për çlirim e pavarësim.” u shpreh ai.

Lajme të ngjashme