"Për keqardhje": Krejt çka tha Kurti për kushtëzimin rreth Asociacionit
Në një fjalim të gjatë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, pas disa javëve me raportime nëpër media e pas deklaratave të ndryshme në opinionin publik, kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se ekziston kushti i krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Kurti e bëri me dije këtë qysh në hyrje të fjalimit të tij në mbledhjen e Qeverisë, kur konstatoi se Kosova ka bërë gjithçka që i është kërkuar për anëtarësimin në këtë organizatë.
Tutje, shefi i ekzekutivit tha se nuk e kanë pranuar draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të sjellur nga emisari Miroslav Lajçak dhe përfaqësues të tjerë të shteteve të QUINT-it.
Ai e cilësoi këtë draft si “non-paper”.
Më tej, Kurti tha se nuk ka pritur që pengesa do t’i vinte nga shtetet përkrahëse, në vend të atyre mosnjohëse.
Mes tjerash, ai e cilësoi edhe si për keqardhje mungesën e përkrajes.
Nacionales jua sjell të plotë fjalimin e Kurtit:
Me kërkesë të presidences irlandeze të Këshillit të Ministrave, departamenti ligjor i KiE-së dha opinionin pozitiv mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim, duke konstatuar që nuk ekziston asnjë pengesë ligjore që Kosova të bëhet anëtare e plotë.
Që nga muaji shtator 2022, Kosova ka kaluar në një periudhë të vlerësimit të Kushtetutës, sistemit ligjor dhe të drejtave të minoriteteve nga instanca të ndryshme të KiE.
Në nëntor të vitit 2023, pas vizitës në Kosovë dhe analizave të detajuara, juristët eminentë publikuan raportin e tyre, ku theksuan se Kosova publikon të gjitha standardet për t’u bërë anëtare. Në rastin e Kushtetutës, thanë se tejkalon standardet ndërkombëtare. Në mars 2024, raportuesja Dora Bakojanis shpërndau raportin ku konfirmoi që Kosova, pas zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësm dhe duhet të ftohet të bëhet anëtare pa parakushte shtesë.
Në prill 2024, Asambleja Parlamentare, me një votim të fuqishëm prej 82 për qind, ku 131 ishin në favor dhe 29 kundër, i rekomandoi Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e plotë.
Në njërën anë, Kosova po përparon nga viti në vit në indekse të demokracisë, sundimit të ligjit, drejtësisë, lirive civile, të drejtave politike të vlerësuara nga institucione prestigjioze të pavarura ndërkombëtare.
Kemi sistem ligjor me të drejta të avancuara për minoritete dhe një kushtetutë që i ka përbrendësuar njëanshëm obligimet që dalin nga KiE, si Konventa Evropiane për të Drejta të Njeriut, për të drejta të minoriteteve dhe Konventa e Stambollit. Këto na e kanë bërë të lehtë kalimin me sukses.
Pas tërë këtij rrugëtimi të shoqëruar me progres të vazhdueshëm në fushën e të drejtave të njeriut, demorkacisë dhe sundimit të ligjit, këto javë u përballëm me kusht të ri që s’ka të bëjë aspak me standradet e anëtarësimit në këtë organizatë.
Pas kushtit për të zbatuar një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, që hyn në shtyllën e sundimit të ligjit, dëgjuam se ka kryeqytete që po kushtëzojnë finalizimin e procesit me dërgimin e një dokumenti në Gjykatën Kushtetuese.
Ky dokument i sjellur te ne nga Lajçaku së bashku me këshilltarët diplomatikë të shteteve të QUINT-it, nuk u pranua më 26 tetor 2023. Kosova ka ofruar që ai dokument të bëhet pjesë e pakos së Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të Ohrit, që është pjesë integrale, dhe të nënshkruhet për t’u bërë ligjërisht i obligueshëm dhe zbatueshëm.
Por u pat refuzuar nga Serbia, refuzimi nuk është pranim, refuzimi është refuzim.
Nëse më datë 26 tetor 2023 do të pranohej e nënshkruhej paketa e marrëveshjes, vetëm atëherë ai draft-statut do të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese. Draft statuti i Lajçakut dhe emisarëve të tjerë, dështoi të zyrtarizohej pasi u refuzua, si i tillë është jodokument, pra është një non-paper. Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente që s’i ka pranuar e s’janë zyrtare në Kushtetuese. Kjo kërkesë ka qenë dhe mbetet absurde.
Përkundër kësaj, tri herë u tentua të futet kjo kërkesë si parakusht për anëtarësim: dy herë në Komitetin për Çështje Politike, e po ashtu gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme, që të tri hera u refuzua.
Kërkesa e cila po shtyhet si kushtëzim për anëtarësim në KiE, jo që nuk është parimore e vlerore, por është refuzuar tri herë nga vetë instancat e KiE-së.
Kosova ka aplikuar të bëhet anëtare se ne besojmë dhe përqfojmë vlerat themelore që kjo organizatë promovon.
Më datë 22 mars, sivjet, kur po shënonim trevjetorin e zgjedhjes së Qeverisë, bashkë me presidenten e kryetarin e Kuvendit, pra tre krerë institucionesh të shtetit, dhamë një letër garantuese me zotimet tona për të ardhmen pas anëtarësimit, siç na u kërkua.
Nuk mund të themi që garancat nuk janë të vlefshme, më shumë se ajo letër nuk mund të kërkojë askush.
Pengesat për anëtarësim i mendonim nga shtete që s’e njohin Kosovën, por assesi e asnjëherë s’e mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokratizim e më herët ishin krah nesh për çlirim e pavarësim.
Plotësimi i kritereve për anëtarësim që mori 82 për qind të votave, 25 vjet pas gjenocidit të Serbisë dhe 16 vjet pas shpalljes së pavarësisë, është moment i festimit të arritjeve dhe krenarie pqe çdo qytetar, e për aleatët miqtë e mbështetësit e Kosovës.
Mungesa e përkrahjes është për keqardhje, nuk i ndihmon normalizimit e dialogut, e nuk i kontribuon paqes dhe demokracisë e sigurisë.
Qeveria ka punuar parreshtur dhe ka bërë çdo veprim për të plotësuar standardet, kushtet, kriteret e parakushtet për t’u bërë anëtare e plotë e KiE-së. Ne duam anëtarësim meritor, konsiderojmë që e meritojmë anëtarësimin pasi ndajmë vlerat e përbashkëta dhe plotësojmë standardet. Anëtarësimin e shohim për nga përfitimet që sjell për qytetarët, veçanërisht për komunitetet joshumicë.
Kjo e drejtë dhe mundësi nuk bën të kufizohet duke e vonuar anëtarësimin e Kosovës. Qeveria s’e ka pranuar draftin nga Lajçaku, sepse ai është refuzuar më 26 tetor, dy ditë para kësaj, unë kam dorëzuar vërejtjet e mija kapitale për këtë.
Qeveria s’e pranon kushtëzimin e anëtarësimit me Asociacion. Për normalizim bisedojmë në Bruksel, jo në Strasburg.