“Ishim dhe jemi të shqetësuar”: Sveçla pyetet se “a kanë pritur që Serbia do të pushtojë Kosovën”?
“Vetëm të përkohshëm”, e quan depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Në një intervistë të realizuar të mërkurën e kaluar, por të publikuar dje, ai flet edhe për atë se a kanë pritur “të pushtohet” vendi nga Serbia, dhe rreth asaj se a duhet partnerët ndërkombëtarë të përfshihen më shumë në atë pjesë të vendit. Nacionale, iu sjellë të përkthyera disa prej pjesëve kryesore, të intervistës për mediumin zviceran “20 minuten”.
U deshën plot 20 ditë që të largohen barrikadat në veri të Kosovës, të cilat u hoqën nga personat që i vendosën vetë ato.
Qeveria e Kosovës dhe institucionet e sigurisë, nuk vepruan, pasi që sipas kryeministrit Albin Kurti, “KFOR-i u kishte kërkuar kohë”.
Sveçla i jep disa detaje
Në intervistën dhënë mediumit zviceran, ministri Sveçla ka thënëse “kanë menaxhuar” që bashkë me partnerët ndërkombëtarë, të depërshkallëzojnë situatën, të cilën e quan, “vetëm të përkohshme".
“Ne jemi ata që po insistojmë në rend dhe ligj, në vlera demokratike dhe në një vend që u shërben të gjithë qytetarëve njëjtë. Me ndihmën e partnerëve tanë, ne kemi menaxhuar që të sjellim një depërshkallëzim, por duke parë eksperiencat e kaluara, kjo është pa dyshim vetëm e përkohshme.” – ka thënë ai.
Një pyetje mjaft e rëndësishme i është shtruar në këtë intervistë z.Sveçlës. Ai është pyetur si vijon: “A keni pritur që Serbia ta pushtojë Kosovën?”.
Sveçla ka përmendur se kanë qenë dhe janë ende të shqetësuar, por jo edhe “të frikësuar”.
“Kemi qenë dhe jemi të shqetësuar, por nuk nënkupton se jemi të frikësuar. Analiza e situatës bazohet në fakte dhe arsye ekzistuese. Por skenarët e paarsyeshëm nuk mund të përjashtohen plotësisht. Aktualisht jemi dëshmitarë të një lufte në Evropë, në të cilën një despot ka ndjekur synime të errëta për Ukrainën dhe rajonin, duke kapërcyer vijat e kuqe që deri vonë dukeshin të paimagjinueshme.” – është përgjigjur ai.
Pikërisht dje, në një intervistë për mediumin gjerman “Welt”, Kurti kërkoi shtimin e trupave dhe mjeteve ushtarake të misionit të KFOR-it në Kosovë, po Sveçla, çka mendon për përfshirjen e palëve ndërkombëtarë në zgjidhjen e situatës?
“Të jemi të qartë: Serbia nuk është palë e punëve të brendshme në Kosovë, por më së shumti agresore. Serbia është palë vetëm në diskutimin për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Vetëm autoritetet e Kosovës janë kompetente për çështjet që kanë të bëjnë me organizimin e brendshëm të Kosovës. Kjo bëhet në partneritet dhe në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar.” – ka thënë ai.
Shënim: Deklaratat e Sveçlës janë dhënë të mërkurën në një intervistë të realizuar në stacionin policor në Mitrovicë, por janë publikuar dje, më 1 janar.

Situata pas barrikadave, dhe një kërkesë e Kurtit
Në një artikull të publikuar më 1 janar, e përditshmja gjermane “Welt”, duket se ka biseduar me kryeministrin Kurti rreth situatës në veri
Shefi i ekzekutivit në një prononcim, ka kërkuar rritje të numrit të ushtarëve dhe mjeteve ushtarake të NATO-s në Kosovë.
“Një rritje e konsiderueshme e numrit të ushtarëve dhe mjeteve ushtarake të NATO-s… do të rrisë sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.” – ka thënë ai.
Barrikadat në veri ndërkaq, filluan të hiqen mëngjesin e së enjtes. Të njëjtat qëndruan për 20 ditë, duke bllokuar lëvizshmërinë e qytetarëve.
Mëngjesi i së enjtjes nisi me djegien e 2 kamionëve që bllokonin një lagje në veri të vendit.
“Bazuar në informacionet zyrtare, në mëngjesin e hershëm është raportuar se në lokacionin e quajtur "Shkëmbi i Dudës" në Mitrovicën e Veriut janë djegur dy mjete të rënda (kamionë), të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime, përderisa rasti është duke u hetuar.” - thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Vlen të përmendet se dërgimi i ish-policit Pantiq në arrest shtëpiak derivoi në një shtensionim të situatës në veri. E pas ndryshimit të masës së paraburgimit, barrikadat, që ishin vendosur si shenjë proteste ndaj arrestimit të Pantiqit, filluan të largoheshin.
Pas këtyre zhvillimeve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian dolën me një komunikatë të përbashkët, ku thuhej se kanë pranuar garanci nga lidershipi politik në Kosovë se nuk do të kishte lista të arrestimeve për qytetarët e barrikaduar.
“Ne mirëpresim garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmojnë se asnjë listë e serbëve të Kosovës nuk ekziston për t’u arrestuar apo përndjekur për protestat/barrikadat paqësore. Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit duhet të respektohet, dhe çdo formë e dhunës është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet.” – thuhej mes tjerash në këtë komunikatë.
.


