S’u bashkua me linçimin e Kurtit: A ishte Vjosa Osmani tepër e butë për Dejan Pantiqin? - NACIONALE

S’u bashkua me linçimin e Kurtit: A ishte Vjosa Osmani tepër e butë për Dejan Pantiqin?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Derisa Vetëvendosje sot gjatë gjithë ditës bëri një fushatë të rrezikshme kundër prokurorit dhe gjyqtarit në rastin e Dejan Pantiqit, Vjosa Osmani më vonë në një intervistë nuk pranoi as që ta komentojë këtë. A ishte reagimi i presidentes shumë i butë?

Një fushatë ndaj prokurorit dhe gjyqtarit që morën vendim në rastin e ish-zyrtarit policor, Pantiq, nisi sot, kryesisht, nga eksponentë të partisë në pushtet.

Gjithçka madje, filloi me reagimin e kryeministrit Albin Kurti, i cili kërkoi të dijë edhe emrat e këtyre dy të fundit.

Presidentja, më ndryshe

Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, partneritetin e tyre e nisën me koalicion qeveritar, mes Listës Guxo dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Ky bashkëpunim, mbetet i fortë me zyrtarët e njëra-tjetrës që i dalin në mbrojtje për secilën kritikë bashkëpuntorëve, me të cilët kanë edhe një listë në Kuvendin e Kosovës.

Te presidentja Osmani, së fundi pamë diçka më ndryshe. Në fakt, kur foli rreth zëvendësimit të masës së paraburgimit për Dejan Pantiq, nuk pranoi as t’i komentonte linçimet e VV-së për gjyqtarin e prokurorin.

Këtu, na vjen një pyetje në mendje: A ishte Osmani shumë e butë?

Në intervistë dhënë Rubikonit, mund të thuhet se çështja kryesore që nxirret nga deklarata e Osmanit, është se ka kërkuar hetime rreth rasteve të ngjashme si të Pantiq, pra akuzave për terrorizëm.

“Ka qenë propozim i Prokurorit, dhe bazuar në atë, është marrë vendimi i gjyqtarit. Nuk duhet gjyqtarët t’i njoftojnë politikanët për vendime, në të kaluarën më kanë njoftuar që politikanët i kanë ftuar në zyre, kanë insistuar kë ta lirojnë, kë ta shpalllin fajtorë. Kjo nuk do të ndodhë tani, se politika nuk duhet të ndërhyje në gjyqësor.” – tha fillimisht ajo.

Sipas presidentes, anëtarët e sistemit gjyqësor e prokurorial duhet të jenë të pavarur nga politika, por jo nga ligji dhe Kushtetuta.

Këtu, gazetari ia parashtroi një pyetje: “A duhet një zëdhënës partie të tregojë?”.

Osmani, s’pranoi të flasë, derisa pyetja, me shumë gjasë duket të ketë qenë për zëdhënësin e LVV-së, Arlind Manxhuka.

“Nuk i komentoj deklaratat e partive, e madhe e vogel (si parti), si president nuk i komentoj deklaratat e partive.” – tha ajo.

Presidentja e vendit, konfirmoi se do t’i marrë shifrat nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për akuazat për terrorizëm.

“Sistemi gjyqësor duhet të marrë vendime që janë të bazuara në ligj dhe kushtetutë dhe ka shumë raste në historinë e sistemit tonë gjyqësor, kur për fat të keq s’i kanë respektuar as ata ligjet. Unë dua t’i marr shifrat nga KGJK-ja për raste të terrorizmit, cili dënim më i ulti, cili më i lartë, dhe a ka raste të arrestiit shtëpiak. Do t’i marr zyrtarisht këto. Duhet të hetohen edhe faza e akuzës, hetimit e pastaj dënimi.” – tha ajo.

“A është ky akt tradhtie?” – u pyet më tutje presidentja Osmani.

Këtu, ajo sërish përëriti se nuk do t’i komentojë deklaratat e partive politike, dhe se për këto, duhet “t’u drejtohemi vetë atyre”.

“Në momentin që t’i marr përgjigjet zyrtare për këtë rast dhe të tjerat për terrorizmin, do ta bëj krahasimin si garantuese e Kushtetuetës, tash komentet që jepen nga parti politike, nuk do t’i komentoj. Secili e bën vlerësimin e vet, dhe ju duhet të kërkoni përgjigje nga partia.” – tha kryetarja e shtetit.

Kërkimi i emrave dhe “tradhëtia”

Kryeministri i Kurtit kur u pyet për këtë çështje, u shpreh i habitur për ndryshimin e masës së paraburgimit nga 30 ditë, në arrest shtëpiak.

Kur ke një akuzë për terrorizëm e të dërgohesh në arrest shtëpiak, e unë jam kurreshtar ta marrë vesh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë dhe ai gjykatës i procedurës paraprak që e kanë marrë këtë vendim,” – tha Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Ndërkaq, zëdhënësi i VV-së, e quajti këtë “akt tradhëtie”.

Mënjëherë pas tij, ka reaguar edhe më i zëshmi për linçime të personave publikë, anëtari i Kryesisë së VV-së, Elvis Hoxha.

“Edhe Mentor Bajraktari u bë i njohur.”, ka shkruar Hoxha duke ia publikuar edhe fotografinë Bajraktarit.

Më tej, deputeti i VV-së, Dimal Basha ka akuzuar gjyqytarin që ka liruar Pantiqin, duke pyetur se si është e mundur se “një gjyqtar normal arrinë me vlerësu se terroristi qenka më sigurt n’shpi se n’burg?”.

“Po me pas qenë n’Serbi i kish shqiptu masë ma t’randë se ky n’Kosovë. Nuk ka veting që ta hjek tutën, po as që ta shton dozën e patriotizmit!”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Lajme të ngjashme