Ish-udhëheqësit e LDK-së të pakënaqur me Abdixhikun: Njëzëri i kërkojnë ta rrëzojë Qeverinë Kurti
Ata që kanë qenë në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës për një kohë të gjatë, duket se nuk janë të kënaqur me udhëheqjen aktuale të partisë. Njëzëri, në reagimet që i bënë brenda dy ditësh, po ia kërkojnë kryetarit Lumir Abdixhiku një gjë – rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Përmes një shkrimi të gjatë në Facebook, Abdixhiku gjatë ditës së dielës i reagoi kryeministrit Albin Kurti, në lidhje me deklaratat e këtij të fundit, se në vend ka pasur progres ekonomik.
I pari i LDK-së, deklaroi se gjatë qeverisjes së Kurtit ekonomia ka shënuar rekorde negative, dhe se i njëjti, po bën propagandë.
Abdixhikut i kërkohet ta rrëzojë Qeverinë
Kjo ishte kërkesa kryesore që ish-udhëheqësit e LDK-së e patën për Abdixhikun, me të cilin, po shprehen se nuk janë të kënaqur.
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në një prononcim për Tëvë1, i kërkoi Abdixhikut që të përdorë secilin mekanizëm për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
“Vetëvendosje e ka mbjellë farën e tyre edhe tek LDK-ja, edhe te njerëzit e LDK-së të cilët sot në një formë turpërohen nga ajo që ka punuar LDK-ja në të kaluarën. Këtë shtet, për 20 vite nuk e ka bërë VV-ja, ka punuar vetëm në shkatërrimin e tij, ka qenë edhe kundër shpalljes së pavarësisë, edhe kundër marrëveshjes së Vjenës.” - tha Mustafa.
Ndërkaq sot, pikërisht për kritikat që Abdixhiku ia bëri Kurtit në lidhje me “progresin ekonomik”, reagoi edhe ish-anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Skender Hyseni.
Hyseni thotë se pajtohet me konstatimet e Abdixhikut në postimin e bërë, por sipas tij, kreut të LDK-së “po i mungon guximi për t’u marrë me çështjet substanciale të shtet-ndërtimit të Kosovës”.
“Megjithatë, pyetja më logjike që imponohet në këtë rast është: Si është e mundshme që një lider opozitar, Abdixhiku ia numëron gjitha atë mal dështimesh Kurtit, dhe në të njehtën kohë deklarohet kundër rrëzimit të kësaj qeverie, si qëndrim poltik partiak! Diçka këtu nuk shkon! Nëse deklaron se kjo qveri ka deshtuar në çdo gjë dhe në të njetën kohë, të njejtës i thua vazhdo të “qevrisësh” sepse ne nuk duam të të rrëzojmë, “kritikun” Abdixhiku e bënë poaq të pa besueshëm dhe manipulues.” – tha ai.
Hyseni pati disa fjalë edhe për “një pjesë të madhe të kryesisë së LDK-së”, për te cilët tha se po heshtin ndaj politikës “manipulante e kalkulante” të instaluar nga Abdixhiku.
“Ka kohë që, përmes figurave si Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku dhe 4-5 antarë tjerë në Kryesinë e LDK-së, Albin Kurti dikton politikat dhe qëndrimet e LDK, Vota për zgjedhjen Vjosa Osmanit presidente dhe përkrahja e pakusht e qverisë Kurti në misionin e tij shkatërrimit të çdo gjeje të ndërtuar deri më tani, LDK-në, e ka kthye në një formacion politik hybrid, që të mos them, patericë të VV-së. Këta janë ata që “LDK-në e kanë sjellë nivel të AAK-së” në zgjedhjet e fundit dhe askush tjeter.” – tha ai.
Në fund, Hyseni përsëriti një deklaratë të njëjtë si ajo e Mustafës, duke thënë se LDK duhet ta largojë Kurtin nga qeverisja.
“Nëse Abdixhiku do të donte të dëshmonte të kundërtën, ai duhet pa humbur kohë të deklarohet duke thënë se do te perdoret çdo mjet demokratik për ta larguar këtë formacion politik nga qeverisja, para se të bëhet vonë! Dhe këto deklarata t’i mbështes me verpime opozitare konkrete, me çdo mjet demokratik!” – tha ai.
Ndërkaq, të dielën për Tëvë1 është deklaruar edhe ish-nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ku sipas mediumit në fjalë, edhe ky është i pakënaqur me udhëheqjen e Abdixhikut.
“Moti ju kam treguar që Lëvizja Vetëvendosje nuk është zgjidhja për Kosovën. Aso kohe shumë kush nuk ka besuar por sot për ditë e më shumë po vërtetohen qëndrimet e mia edhe nga disa që më kanë linçuar, për shkak të qëndrimeve konsistente.” – ka thënë ai.
Në lidhje me këto deklarata të bëra këto dy ditë, Nacionale ka kontaktuar zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por të njëjtit nuk kanë folur deri në momentin e publikimit të këtij teksti.
Dyfishimi i LDK-së
Përkundër këtyre kritikave që po ia bëjnë ata që dikur e drejtuan këtë subjekt politik, sondazhet e fundit tregojnë një rritje të ndjeshme.
Nacionale gjatë muajit shtator publikoi sondazhin e UBO Consulting ku u pa se LDK-ja ka shënuar rritje të mbështetjes qytetare.
Partia politike që po e udhëheqë Abdixhiku në zgjedhjet e 14 shkurtit mori më pak se 12.7 për qind të votave, por ia ka dalë që të rikuperohet.
Në muajin prill kjo parti politike kishte 19.4 për qind të votave, për të shënuar më pas rritje në 20.3 për qind gjatë muajit qershor, dhe së fundi, në shtator më 22.3 për qind.
Vlen të theksohet se partisë së Abdixhikut së fundi iu bashkua edhe deputetja e Listës Guxo e cila ishte pjesë e grupit parlamentar të partisë në pushtet, LVV-së, Doarsa Kica – Xhelili.




