Ish-ministri bullgar: Maqedonia ose e njeh pakicën bullgare, ose nuk ka BE
Ish-ministri bullgar i Mbrojtjes, Bojko Noev ka thënë se Maqedonia e Veriut duhet të plotësojë edhe kuota në administratë sa i përket përfaqësimit të pakicës bullgare.
Në një bashkëbisedim për mediumin EUalive, ai ka thënë se në qëndrimin e BE-së, të miratuar më 2022, përmendet shkoqur nevoja për garanci kushtetuese për barazinë e bullgarëve krahas grupeve të tjera etnike në Maqedoninë e Veriut, përcjell NACIONALE.
“Pas dekadave të tëra me shtypje e kufizime, pranimi se ka bullgarë që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, dhe vetëm ata që kanë marrë nënshtetësi bullgare sipas prejardhjes numërojnë mbi 100 mijë vetë, është një goditje e rëndë ndaj politikave nacionaliste të maqedonizmit”, ka vlerësuar ish-diplomati bullgar.
Teksa ka përkujtuar se qeveria e Mickoskit ka nismuar gjyqe politike ndaj atyre qytetarëve që e shprehin etnicitetin bullgar, Noev ka përkujtuar se cilat kushte duhet t’i plotësojë Shkupi zyrtar.
“Barazia kushtetuese për bullgarët nënkupton të drejtën për gjuhën e tyre, kulturën, kuotat në administratën e shtetit dhe një numër të drejtash të tjera të rregulluara, si për këdo tjetër”, ka shtuar ai.
Ndryshe, Parlamenti bullgar po përgatit një deklaratë për ta kundërshtuar përpjekjen që me anë të një ‘plani B’ të zhbllokohen bisedimet për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.
EUalive, duke u mbështetur në burimet e veta në Sofje, shkruan se reagimi i deputetëve bullgarë ka të bëjë me atë që po e shohin si përpjekje të maqedonasve për të shmangur ndryshimin e Kushtetutës sa për të përfshirë edhe pakicën bullgare.
Që prej 2020-s, Sofja zyrtare ka bllokuar bisedimet për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, duke vënë në pah çështje të pazgjidhura historike e kulturore, ashtu sikurse edhe atë që është ndjesuar si politikë antibullgare.
Dy vite më vonë, Bullgaria e hoqi veton e saj duke e mbështetur “propozimin francez” që parashihte lejimin e Shkupit për t’i filluar bisedimet me kushtin e ndryshimit të Kushtetutës së vet dhe përfshirjen e pakicës bullgare.
Por, kjo nuk ndodhi për shkak se qeveria e re maqedonase, e kryesuar nga Mickoski i VMRO-DPMNE, kundërshton rreptë ndryshimin e Kushtetutës, pavarësisht se Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka shprehur vullnet për ndryshime të tilla.
Gjithsesi, presidenti i Këshillit Evropian António Costa, me rastin e vizitës së tij në Shkup më 15 maj, hodhi poshtë mundësinë e rinegocimit të marrëveshjes së 2022-s, duke ngulmuar që Maqedonia e Veriut të fokusohet në zbatimin e ‘planit A’.
Në anën tjetër, vizita pak ditë më vonë e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, dha mesazhe të tjera.
“Ne e dimë se ka pengesa në rrugë, dhe ne po i diskutojmë ato ashtu sikurse edhe gjetjen e mekanizmave për t’i tejkaluar këto pengesa”, kishte thënë Kallas.