‘Ironike që e bëri Kurti’: NZZ zvicerane për vendimin rreth Manastirit, citon dy deklarata thumbuese të Sava Janjiqit - NACIONALE

‘Ironike që e bëri Kurti’: NZZ zvicerane për vendimin rreth Manastirit, citon dy deklarata thumbuese të Sava Janjiqit

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Është ironike që e bëri Kurti, thuhet në një pjesë të reportazhit të zviceranes ‘NZZ’ për vendimin rreth pronësisë së 24 hektarëve te Manastiri i Deçanit. Kjo, për faktin se gazeta i referohet kundërshtimeve të ashpra të Kurtit opozitar për të njëjtin vendim. Kryepeshkopi Sava Janjiq ka dy deklarata thumbuese në këtë artikull: atë se Qeveria e mori vendimin nën presion dhe e dyta: që ato të cilat njihen si ‘institucione serbe në Kosovë, e njihnin një vendim të gjykatës së Kosovës, e vetë Kosova nuk e njihte vendimin e gjykatës së saj’.

Një pikë kthese e rëndësishme është arritur lidhur me një çështje që është e vjetër me dekada (në Kosovë). Kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar të mërkurën se ka urdhëruar autoritetet që t’ia regjistrojnë 24 hektarë të tokës si pronë të Manastirit të Deçanit. Kjo është një pjesë e shkrimit nga reportazhi i gazetës zvicerane Neue Zurcher Zeitung (NZZ), për vendimin e Kosovës që t’ia njoh 24 hektarët tokë, si pronë e Manastirit të Deçanit.

Reportazhi elaboron historikun e tokës 24 hektarëshe rreth Manastirit të Deçanit.

“Sidoqoftë, Kosova nuk e pranoi këtë vendim pas pavarësisë së saj”, shkruan NZZ.

“Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të Perëndimit, vendimi final i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016, nuk ishte zbatuar kurrë”, shkruan gazeta zvicerane.

Gazeta i referohet një interviste të kryepeshkopit Sava Janjiq, të ketë thënë se ‘është paradoksale se si institucione si Manastiri e njohin vendimin e Gjykatës Kushtetuese’ kurse ‘institucionet e Kosovës, nuk e njohën deri tani’.

“Është diçka paradoksale”, thotë Sava Janjiq në një intervistë, citon NZZ.

“Ne, që thirremi si institucione serbe, e mbështesim vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës. Por qeveria dhe autoritetet e refuzojnë atë’, thotë Janjiq.

Gazeta tutje elaboron refuzimin që vjen nga komuna e Deçanit lidhur me këtë vendim.

“Zyra e regjistrit të tokës në qytetin e Deçanit, ka refuzuar në mënyrë kategorike regjistrimin e pronësisë së tokës për Manastirin. Kryetari i tha NZZ-së këtë javë, se vazhdojnë ta kundërshtojnë vendimin e gjykatës.

‘Një argument për këtë, qëndron se mund të krijohet precedent. Para se gjithash, shumë kisha dhe manastire njëherë e një kohë, kishin në pronësi numër të madh tokash”, shkruan gazeta, teksa më poshtë citon bisedën me aktivistin Adem Lushaj nga Deçani.

“Përndryshe, nuk kemi luftuar që ta tregtojmë vendin tonë për dëshirat ndërkombëtare”, thotë aktivisti nga Deçani, Adem Lushaj.

“Qyteti ishte skenë luftimesh të ashpra dhe është krenar për rolin e tij në luftë. Kujtimi i kësaj pjese, mbahet gjallë nga një numër i madh flajmush dhe muralesh me shkronjat UÇK (Ushtria Çlirimtare e Kosovës’. Kush na garanton se do të marrim diçka në këmbim të kësaj”, citon tutje gazeta Lushajn.

NZZ tutje shkruan se ‘është ironike që kundërshtari më i madh i kësaj çështje, Albin Kurti’ është njeriu që zbatoi vendimin'.

“Në këtë histori, është ironik fakti që kthesa e madhe u bë nga Albin Kurti i ‘të gjithë popullit’. Kurti ka qenë fundamentalisht kundër çdo koncesioni me Serbinë ose me komunitetin ndërkombëtar”, shkruan NZZ.

“Si një politikan opozitar, ai e përshkruante vendimin si ‘tradhëti dhe kriminale’, citon gazeta qëndrimet e Kurtit opozitar.

Kushte të reja?

Në pjesën e reportazhit ku i referohet kushteve të tjera që Kosova mund t’i ketë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gazeta i referohet raportit për Kosovën të Bakojanis, i cili ende nuk është publikuar dhe që përfundimisht mund të na ‘njoftojë’ me të ardhmen tonë drejt Këshillit të Evropës.

“Referuar burimeve diplomatike, raporti i Bakojanis për Kosovën, që ende nuk është publikuar, po ashtu do të adresojë edhe çështjen kontraverse të Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, që do të garantojë një autonomi për minoritetin serb”, shkruan NZZ.

‘Prishtina është pajtuar për të krijuar Asociacionin që prej më shumë se një decade, por tani implementimin e tij po e kushtëzon me njohjen e saj nga Serbia’, vazhdon tutje gazeta zvicerane

NZZ citon intervistën e Selimit për Nacionalen

Gjatë javës që po shkon, Gazeta Nacionale pati një intervistë me ish-ministrin e punëve të jashtme, z.Petrit Selimi.

Pjesë të saj, janë cituar në gazetën zvicerane NZZ.

“Ish-ministri i jashtëm, Petrit Selimi, beson se anëtarësimi i vendit në Këshillin e Evropës tashmë është i mundur, nëse të gjitha shtetet e mbështesin atë.

Një pjesë e rëndësishme e përfitimit nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës, veç tjerash, është edhe mundësia e pjesëmarrjes në Festivalin evropian të këngës ‘Eurovizion’ që kjo gazetë shkruan se ‘është shumë i popullarizuar në Ballkan’, shkruan NZZ.

Pjesa që NZZ zvicerane i referohet Nacionales, në mënyrë që ta elaborojë temën e Manastirit të Deçanit, ka të bëjë me ‘kushtet e reja të mundshme’ për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Qe citati kryesor që Selimi e tha për Nacionalen lidhur me këtë temë:

“…në raportin e Bakojanis të 27 shkurtit përmenden edhe dy pika: “Mbrojtja Efektive e Komunitetit Serb në Komuna Veriore” ku paragrafi 41 thotë se “themelimi i ASMM (Asociacionit) konsiderohet si parakusht për mbrojtje efektive të drejtave të njeriut” por paragrafi 29 thotë se themelimi i ASMM nuk është “kriter për anëtarësim”.

NZZ zvicerane, përfundon reportazhin me një citat të Sava Janjiqit:

“Qeveria veproi nën presion. Por, megjithatë është pozitive”.

Lajme të ngjashme