Intervistë | Meta: Doarsa ishte prej njerëzve më të privilegjuar në parti, koha do t’i tregojë të gjitha - NACIONALE

Intervistë | Meta: Doarsa ishte prej njerëzve më të privilegjuar në parti, koha do t’i tregojë të gjitha

3 javë më parë

nga Muhamet Koci

Deputeti i Listës Guxo, Burim Meta, është shprehur i befasuar me largimin e deputetes Doarsa Kica-Xhelili nga partia.

Ai ka treguar se ajo ka qenë prej personave më të privilegjuar në parti.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Meta ka thënë se Kica-Xhelili asnjëherë nuk ka shprehur ndonjë pakënaqësi në strukturat partiake.

"Doarsa, mikja ime, ka qenë pjesë e partisë tonë, ka qenë jashtëzakonisht mirë e trajtuar te ne, ka qenë nder personat më të privilegjuar që ka mbështetur partia Guxo. Nuk kemi pasur ndonjë ankesë apo kërkesë individuale të saj, e cila është paraqitur tek ne dhe nuk është realizuar, apo ndonjë kërkesë sinifikante që ajo nuk është përshtatur me veprimet tona. Kështu që, nuk dua a të hyj te arsyet e saj", ka thënë ai.

Ai ka thënë se veprim i saj ka qenë individual dhe nuk dëshiron ta komenton.

"Asnjëherë nuk i ka diskutuar ato pakënaqësi me ne, asnjëherë nuk i ka diskutuar në formën zyrtare, po e përsërisë edhe një herë", është shprehur ai.

Me tej, Meta ka treguar kohen kur ka kuptuar se Kica-Xhelili nuk do të jetë pjesë e partisë së tyre. "Në fillim të muajit gusht ka ardhur një mesazh në grupin tonë ku funksionojmë ne deputetët, ministrat dhe dy zëvendësministrat e partisë Guxo. Aty kemi marrë një mesazh ku thotë se më nuk do të jetë pjesë e partisë Guxo", ka thënë ai.

Sipas tij, koha do të tregojë arsyet e largimit të saj nga Lista Guxo.

"Nuk dua t’i komentojë interesat e saj, koha besoj se është treguesi më i mirë. Mendoj se në ditët e ardhshme koha do të tregoj se cilat kanë qenë pikësynimet e saj të largimit nga Partia Guxo. Unë nuk gjykoj largimin e saj, është vendim individual i saj", është shprehur Meta.

Deputeti i Guxo-s ka treguar se largimi i saj nuk do ka dëmtuar partinë në aspektin organizativ.

"Largimi i një deputeti nuk është pak as për partitë vogla dhe nuk është pak as për partitë e mëdha. Ne tani do të kemi një deputet më pak, që nuk është pak. Megjithatë, ne do të vazhdojmë të funksionojmë dhe aspak nuk do të pengon mirëfunksionimi e partisë Guxo. Sepse në aspektin e strukturës organizative nuk është se ka dhënë shumë kontribut Doarsa", është shprehur ai.

Meta ka mohuar çdo mundësi që të mund të këtë largime reja nga kjo parti.

Udhëheqja kolegjiale, ide e Gërvallës

Në këtë intervistë, Meta ka folur edhe për Kuvendin Themelues të Listës Guxo, ku kjo parti ka zgjedhur strukturat e saj udhëheqëse.

Duke komentuar zgjedhjen e Donika Gërvallës dhe Faton Pecit në krye të partisë, Meta ka thënë se me këtë veprim kanë dashur të tregojnë së është e mundur edhe në Kosovë udhëheqja kolegjiale e partisë.

Sipas tij, kjo ide ka qenë e Donika Gërvallës. "Nuk e kemi pasë të lehtë as na ta akceptojmë një propozim të tillë, i cili ka ardhur nga liderja e jonë Donika Gërvalla. Kemi diskutuar gjerë e gjatë për një çështje të tillë, i kemi lënë kohë vetës që të mendojmë për ditë të tera, dhe pastaj të vendosim. Kemi diskutuar disa herë dhe në fund kemi ardhur në këtë përfundim", ka vlerësuar Meta.

Ai është shprehur i bindur se ky model i udhëheqjes së partisë do të tregohet i suksesshëm.

"Ne kemi dëshmuar se do të kemi një format kolegjial për menaxhimin e subjektit tonë politik, i cili do të udhëhiqet nga dy bashkëdrejtuesit dhe kjo do ta ndihmon suksesin e ardhshëm të menaxhimit", është shprehur Meta.

Sipas tij, ky model do të ndihmon në harmonizimin dhe konkretizimin e ideve të tyre.

Kuvendin e Listës Guxo, ai e ka vlerësuar si madhështor. Sipas tij, kuvendi ka treguar seriozitetin e këtij subjekti politik.

"Kuvendi ka qenë madhështor ku kanë marrë pjesë 521 delegatë që kanë qenë nga ter territori i Kosovës. Tanimë kemi zgjedhur kryesinë, e cila përbehet nga 17 anëtar, gjithashtu kemi zgjedhur dy bashkëdrejtues të partisë tonë, që janë Donika Gërvalla dhe Faton Peci dhe të cilët po tregojnë suksese të vazhdueshme në Qeverinë Kurti 2", ka treguar ai.

Deputeti i Guxo-s ka thënë se kjo parti po shtrihet në të gjitha komunat e Kosovës, duke shtuar se idetë e kësaj partie po mirëpriten nga qytetarët e Kosovës.

Presidentja nuk ka ndikim në parti

Deputeti Burim Meta ka mohuar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të ketë ndonjë ndikim në parti.

Ai ka bërë me dije se Osmani është themeluese e kësaj partie, por prej momentit të zgjedhjes se saj në postin e shefes së shtetit, ajo nuk është marrë me partinë. "Ne jemi produkt i Presidentes së Republikës së Kosovës, sa ajo nuk ishte presidente e Republikës së Kosovës, sa ishte themeluese e partisë Guxo. Dhe e dini ju shumë suksesin që ka korrë presidentja se bashku me kryeministrin e tanishëm në zgjedhjet e 14 shkurtit", ka thënë ai, duke shtuar se tani e para e vendit i kryen detyrat që i takojnë me Kushtetutë.

Meta nuk ka treguar nëse kjo parti në zgjedhjet e ardhshme do të garojë si e vetme.

"Nuk e kemi bërë këtë analizë akoma. Ne kemi punë në teren që të rritemi, të ngrisim përqindjen tonë dhe natyrisht dëshirojmë që të jemi parti parlamentare. Por, për këtë çështje do të vendos Këshilli Drejtues që përbehet prej më shumë se 70 personave. Pra, ata do të ulen dhe do të diskutojmë formën e konkurrimit tonë në zgjedhjet e ardhshme. Këtë nuk mund ta them unë, dhe as dy bashkëdrejtuesit e partisë tonë. Sepse kjo çështje do të diktohen në Këshillin e Përgjithshëm", ka thënë ai.

Meta ka lavdëruar punën e Qeverisë, duke thënë se ekzekutivi po bënë punë të mirë.

Sipas tij, Kosova është shumë e sigurt me Kurtin kryeministër dhe Osmanin presidente.

Në kundër të Qeverisë së Kosovës, ka thënë ai, ministrat e kësaj partie po bëjnë punë të mirë, duke mohuar kritikat e opozitë për Ministrinë e Punëve të Jashtme.

"Nuk mund ta atakojmë MPJ-në për çështjen e njohjeve, sepse njohja është vendim i organizatave tjera. Edhe kryeministri dhe zëvendëskryeministrja bashkërisht kanë bërë punën e tyre. Ju i dini vizita zyrtare që i kanë pasur në numër me të madh se çdo herë tjetër. Ju e dini punën që po e bënë Serbia kundër Kosovës në këtë kontekst. Mirëpo po e lemë që nga mesi i tetori te kemi informata jashtëzakonisht të mira për ndonjë njohje eventuale, për ndonjë proces të anëtarësimit, apo procese të tjera të rëndësishme që qytetarët tanë i mirëpresin", ka thënë ai.

Sa i përket riformatimit të mundshëm të Qeverisë, ai ka thënë se deri me tani partnerët e koalicionit qeverisës nuk e kanë diskutuar këtë temë.

Meta i ka dhënë të drejtë kryeministrit Kurti, i cili në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm të LV-së ka kritikuar deputetët e koalicionit qeverisës.

"Me të drejtë ndoshta për shkak të çalimit në pjesëmarrje që kemi pasur ndonjëherë me prezencën e deputetëve dhe po mendojë që punë të renda na presin, një vjeshtë e nxehtë po na pret dhe një dimër goxha i nxehtë kërkon një mobilizim të terë estabilishmentit politik pozitar që të aktivizohemi më shumë, si në nivel të legjislativit, ashtu edhe në nivel të ekzekutivit", ka thënë ai.

Sipas tij, edhe nëse ndodh ndonjë riforatim i Qeverisë, kjo parti nuk rrezikohet.

"Edhe në ndonjë riformatim eventual, ne si parti Guxo jemi komod për shkak të sukseseve që i kemi treguar në dy ministritë, në Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës dhe Ministrinë e Bujqësisë", është shprehur Meta.

Lajme të ngjashme