Intervistë | Ish-inspektori i AKI-së: Kosova duhet t'i dijë temat që mbesin pas nënshkrimit të marrëveshjes me Serbinë
Ish-inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, në një intervistë për gazetën Nacionale, ka rrëfyer për punën e tij në këtë institucion me rendësi të veçantë.
Ramadani ka folur edhe për qasjen e Serbisë ndaj Kosovës, e cila, sipas tij, synim kryesor e ka ndarjen territoriale të Kosovës dhe se moszbatimi i vendimeve të Qeverisë për targat dhe për mbajtjen e zgjedhjeve e çuan Serbinë një hap para.
Ai ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi dhe për propozimin e BE-së, duke thënë se duhet të “qartësohen temat që mbeten pas miratimit të një dokumenti apo marrëveshjeje.”
Më tej, ai në këtë intervistë ka treguar edhe për pjesëmarrjen e grupit famëkeq rus, "Wagner", në barrikadat në veri të vendit dhe për Policinë e Kosovës.
Nacionale: Z. Ramadani, në vitin 2019, ju jeni emëruar inspektor i Përgjithshëm në AKI. Nëse mund të na tregoni, cilat ishin disa nga sfidat me të cilat jeni ballafaquar dhe cili ka qenë njëri ndër operacionet më të sukseshme gjatë punës suaj? Pse u larguat nga AKI-ja?
Ramadani: Në thelb, e tërë periudha ka qenë sensitive dhe këtë kohë prej pak më shumë se tri (3) vitesh do ta mbaj në kujtesën time si periudhë krenarie dhe sfidimi të vazhdueshëm. Normalisht, puna në institucion të tillë mbetet e klasifikuar dhe ndahet vetëm me udhëheqësit e shtetit, porse ajo që mund të them është se shërbimi në sigurinë kombëtare është nder, sfidë dhe presion i jashtëzakonshëm. Angazhimi në forcimin e Agjencisë, rregullsisë, kontrollin e brendshëm dhe shërbimin në sigurinë kombëtare është detyrë që përcillet në vazhdimësi me sfida të ndryshme.
Jam i bindur se AKI-ja dhe njerëzit që punojnë aty meritojnë respektin e plotë institucional dhe qytetar, duke qenë se janë në vazhdimësi në betejë për sigurinë kombëtare të Kosovës. Normalisht, kjo është natyrë e punës, e cila jo gjithherë është falënderuese, sidoqoftë ruaj respektin e plotë për mënyrën e punës aty.
Derisa motivi për largimin tim nga AKI mbetet në mes meje dhe Kryeministrit Kurti, unë mund të them se e tërë puna ime për më shumë se tri vjet aty do të mbyllet në historinë personale dhe administrohet brenda Agjencisë. Si e tillë, ajo nuk do të përdoret asnjëherë nga unë qoftë për motive personale, apo të tjera.
Nacionale: Ne e shohim çdo ditë qasjen e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës. Po ju, si e shihni atë dhe çfarë mendoni se mund të veprojë Serbia këto ditë?
Ramadani: Serbia vazhdon të ketë qasjen armiqësore ndaj shtetit dhe popullit të Kosovës. Ajo synon që, së pari, të defunksionalizojë plotësisht Kosovën dhe, së dyti, të ndajë një pjesë të saj territorialisht. Unë besoj plotësisht se qëllimi afatgjatë i Serbisë është ndarja e Kosovës dhe ajo do të tentojë të bëjë të gjitha veprimet strategjike për të arritur atë qëllim.
Porse, ky objektiv i Serbisë nuk mund të realizohet asnjëherë nëse Kosova, udhëheqja politike dhe elita shoqërore, mbetet e vetëdijshme për saktësinë e veprimeve institucionale dhe nacionale. Pra, derisa Kosova nuk defunksionalizohet, rreziku i ndarjes largohet.
Në vazhdimësi, Serbia zhvillon aktivitete të pandalshme për tensionuar në aspektin politik e të sigurisë territorin e Kosovës, të thellojë ndarjen midis shqiptarëve dhe serbëve brenda Kosovës, të mbajë dhe forcojë strukturat ilegale të ri-organizuara tashmë në muajt e fundit të vitit 2022, të mbajë katër komunat tona në veri në një gjendje vakuumi institucional dhe të sigurisë, të sfidojë shtetin përmes krimit të organizuar dhe kontrabandës, sikurse edhe të pamundësojë veprimet e institucioneve të Kosovës në atë pjesë të territorit.
Fatkeqësisht, është dëshmuar që Kosova ka pasur disa ngecje në zbatimin e vendimeve shtetërore. Rasti i shtyrjes së zgjedhjeve lokale nga 18 dhjetori 2022 për më 23 prill 2023 duhet të jetë një mësim për institucionet e Kosovës. Sepse, vendimet, sikurse ishte edhe ai për targat ilegale, në momentin që merren duhet të jenë të zbatueshme dhe të zbatohen pastaj.
Saherë që Kosova merr vendime por ato vendime nuk zbatohen dhe kthehen në të pazbatueshme, Serbia arrin një hap para, duke dëshmuar mbajtjen e kontrollit të saj qoftë politik, qoftë tjetër, mbi një pjesë të territorit të Kosovës.
Sepse, besoj unë, pjesë e strategjisë së Serbisë për të defunksionalizuar shtetin e Kosovës është edhe dëshmimi se shteti i Kosovës është i cunguar dhe nuk ka kapacitet për të zbatuar vendimet e veta që i merr. Kështu, Serbia synon të diskutojë mbi “kapacitete alternative” për qeverisjen dhe zbatimin e vendimeve në veri të Kosovës si fazë e ndërmjetme. Pastaj, me kalimin e kohës, ato “kapacitete alternative” të kthehen në mekanizma për ndarjen e Kosovës.
Nacionale: Z. Ramadani, cili ka qenë bashkëpunimi juaj me agjencitë e tjera të Kosovës dhe me ato ndërkombëtare?
Ramadani: Në vazhdimësi, Kosova, sikurse edhe institucionet e sigurisë, janë në mbështetje profesionale dhe bashkëpunim të avancuar me shtetet tjera demokratike dhe perëndimore.
Nacionale: Si duhet të veprojë Kosova në raport me ndërkombëtarët në aspektin e dialogut dhe propozimit të BE-së?
Ramadani: Kosova duhet të fuqizojë koordinimin planifikues, vendimmarrës dhe zbatues me partnerët ndërmkombëtar dhe me NATO-n. Kjo, tek e fundit, është e precizuar saktë në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, të miratuar më 25 tetor 2022, pra më pak se katër (4) muaj më parë.
Ne duhet të jemi të bashkuar me partnerët ndërkombëtarë edhe në vendimmarrje, edhe në zbatim. Qartazi, Kosova nuk duhet të përshkruhet si e paparashikueshme. Sepse, paparashikueshmëria në vendime e Kosovës arrin të ngjallë debat hezitues tek partnerët ndërkombëtarë, të cilët pastaj na ndihmojnë në zbatim.
Besoj se Kosova ka humbur zellin e diplomacisë. Aktivitete gjithëpërfshirëse informuese dhe koordinuese me shtetet anëtare të NATO-s dhe BE-së duket mirëfilli se mungojnë. Kosova duket se po mungon në tavolinat profesionale të shteteve demokratike dhe ajo duhet të gjejë formën e rikthimit aty.
Mua më kujtohet fushata informuese për planin dhe politikat e transicionit të FSK-së në mandat ushtarak. Pavarësisht se NATO është në Kosovë, i tërë viti 2018 ka qenë i mbushur me aktivitete diplomatike civile dhe të mbrojtjes për të marrë mbështetjen e shteteve brenda NATO-s për kalimin e ligjeve transformuese. Ka dalë të jetë një aktivitet i suksesshëm dhe me kalimin e ligjeve për FSK-në dhe Ministrinë e Mbrojtjes, Kosova ka avancuar në raportet me shtetet përkrahëse.
E tillë apo e ngjashme më duket situata e tashme. Pra, qeveritarët, diplomatët dhe profesionsitët në Kosovë do të duhej të organizoheshin në aktivitete të shumta informuese dhe koordinuese jashtë Kosovës.
Sa i përket dialogut, kjo temë as nuk ka qenë e lehtë dhe as nuk është. Duket se e tillë, pra sfiduese, do të mbetet edhe në vitet e ardhshme, edhe nëse arrihet me sukses nënshkrimi i një marrëveshje në javët në vijim. Sepse, elita politike duhet të ketë kujdes për temat që mbesin në dialog me Serbinë pas kësaj Marrëveshjeje.
Dokumente “Merre ose leje” Kosova ka pasur disa herë gjatë historisë së vet që nga lufta, por e rëndësishme, besoj unë, është që të qartësohen temat që mbeten pas miratimit të një dokumenti apo marrëveshje.
Nacionale: Tash e sa kohë, Policia e Kosovës është pa drejtor të përgjithshëm, si ndikon në aspektin e sigurisë kjo gjë?
Ramadani: Në aspektin strukturor, besoj se Policia e Kosovës arrin të funksionojë pa probleme të veçuara edhe me Ushtrues Detyre. Sidoqoftë, në aspektin strategjik të planifikimit dhe veprimit institucional, vonesat në udhëheqje dëmtojnë institucionin. Njëjtë sikurse për të gjitha institucionet është edhe për Policinë e Kosovës.
Nacionale: Kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani kanë thënë se grupi rus, “Wagner”, ishte në barrikadat në veri. A mund të na tregoni nëse ishte ky grup dhe si i keni parë deklarimet e tyre në përgjithësi për situatën në veri?
Ramadani: Shqetësimet e sigurisë për Kosovën janë të vërteta, legjitime dhe të sakta. Presidenti i Serbisë, Vuciq, edhe publikisht e ka konfirmuar se Serbia është zonë operuese e Wagnerit. Ai, pak javë më parë, i ka bërë thirrje Ëagnerit që të ndalojë rekrutimin e serbëve për luftën në Ukrainë. Sado që është hipokrite kjo thirrje e Vuciqit, në fakt ajo konfirmon publikisht se Ëagneri vepron në Serbi dhe se serbët përqafojnë grupe të tillë kriminale e terroriste.
Normalisht, Vuçiq nuk ka përmendur Kosovën në këtë rast, porse është e qartë se ai luan me këto grupe kriminale për të rrezikuar territorin e Kosovës.
Tashmë, besoj se argumentimi publik për aktivitetet e Serbisë dhe të këtyre grupeve brenda Kosovës janë të rëndësishme, porse më e rëndësishme është që Kosova ta rikthejë zellin diplomatik dhe të aktiviteteve informuese e koordinuese me NATO-n dhe shtetet perëndimore përkrahëse.
Nacionale: A mund ta shohim z. Ramandani përsëri në ndonjë parti politike? Nëse po, cila do të ishte ajo?
Ramadani: Motivi dhe fokusimi i angazhimeve të mia më tutje do të jetë plotësisht në shërbim të politikave të sigurisë kombëtare. Qoftë në angazhime institucionale apo të shoqërisë civile, përkushtimi në sigurinë kombëtare do të mbetet pritoritet profesional. Unë besoj se ekziston hapësira që politikat e sigurisë kombëtare të përmirësohen, avancohen dhe fuqizohen. Të koordinohen me konceptet e avancuara të sigurisë së mençur të aleancave në modelin perëndimor.
Sa i përket partive politike, besoj se në secilën prej tyre ka njerëz atdhetar, profesional e të përkushtuar. Jam i bindur se është i nevojshëm bashkimi i profesionistëve për platforma objektive politike dhe nacionale. Njerëzit, aty ku janë, mund të japin edhe më shumë kontribut, edhe më shumë profesionalizëm.
Sidoqoftë, nuk planifikoj të marrë rol partiak në të ardhmen e afërt dhe besoj se kontributi në politikat nacionale është i mundshëm edhe në forma tjera.