Intervistë | Hyseni: Qasja e Kurtit në dialog e gabuar, Kosova nuk mund t'i ikë Asociacionit
Skender Hyseni, ish-ministër i Jashtëm i Kosovës, ka folur rreth takimit të sotëm mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel. Ish-diplomati ka thënë se qasja e deritanishme e Kurtit është e gabuar, duke theksuar se dialogu nuk ka asnjë alternativë tjetër.
Duke folur për dialogun, ai ka theksuar se Qeveria Kurti nuk duhet të negociojë mbi çështje parciale, por duhet të fokusohet në marrëveshjen finale, e cila duhet të jetë objektiv strategjik i shtetit kosovar.

Në intervistën për gazetën Nacionale, në ditën kur nëBruksel po takohenKurti e Vuçiq, Hyseni ka thënë se shpreson që pas këtij rundi diskutimi, do të qetësohet situata që u tensionua javë më parë.
Ndërsa sa i përket çështjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ish-kryenegociatori shtetëror për dialog ka deklaruar se Kurti nuk mund t’i shmanget formimit të asociacionit.
Intervistë:
Nacionale: Çfarë pritni nga ky takim?
Hyseni: Mbështetur në qasjen e deritashme tërsisht të gabuar të Qeverisë Kurti ne dialog në njërën anë dhe në anën tjetër duke pasur parasysh strategjinë serbe obstruktive të ruajtjes së status-quosë si interes dhe synim strategjik, vështirë të pritet ndonjë përparim në dialog. Sidoqoftë, dialogu nuk ka alternativë, njësoj sikur që edhe arritja e një marrëveshjeje të përgjithshme me njohje të ndërsjellë midis dy vendeve nuk ka alternativë. Sa më parë që të kuptohet kjo, aq më mire.
Nacionale: A mendoni se do të arrihet ndonjë marrëveshje?

Hyseni: Unë mendoj se parim thelbësor dhe objektiv strategjik i qeverisë së Kosovës duhet të jetë trajtimi i elementeve të marrëveshjes së përgjithshme e assesi negocimi i marrëveshjeve parciale, të cilat edhe ashtu bëhen vështirë të zbatueshme në mungesë te marrëveshjes së përgjithshme dhe njohjes reciproke. Këto ditë dëgjova Kurtin të thoshte se ishte “ i interesuar të diskutonte elementet e marrëveshjes së përgjithshme”. Kjo më jep të kuptoj se Kurti përfundimisht e ka kuptuar se strategjia e deritashme e dialogut që ka zhvilluar ai në Bruksel ka qenë tërësisht e gabuar. Zgjidhja është marrëveshj e përgjithshme me njohje të ndërsjellë, e cila rrjedhimisht dhe, me automatizëm i zgjidh të gjitha çështjet tjera parciale midis Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e Kosovës nuk duhet të bie në grackën e Serbisë duke bërë dialog për çështje të veçantë, sepse kjo qasje dialogun e degradon dhe si rrjedhim sjell forcimin e status-quosë, që është interes jetik i Serbisë dhe Rusisë.
Nacionale: A do të ‘qetësohen’ marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë nga ky takim?
Hyseni: Shpresoj dhe uroj që kjo të ndodhë. E pakta ky takim duhet të sjellë racionalitet në dialog. Retorika luftënxitëse është aleat i keq. E për fat të keq fjalën luftë e kemi dëgjuar shpesh dhe iracionalisht kohëve të fundit.
Nacionale: Çka mendoni për çështjen e Asociacionit që parashihet të bëhet sipas propozimit të SHBA-së?

Hyseni: Shtetet e Bashkuara janë faktor kyç në arritjen e marrëveshjes për njohje. Dhe, rekomandimet amerikane duhet të përfillen dhe respektohen plotësisht! Kurti duhet t’i kthehet fromulës dhe platformës e cila konsiston në qëndrimin se së pari duhet të diskutohen elementet e marrëveshjes së përgjithshme duke përfshirë njohjen dhe të nënshkruhet ajo! E vetëm pas nënshkrimit dhe njohjes do të fillonte zbatimi i zotimeve të marra me marrëveshjen e përgjithshme. Natyrisht se nuk shoh as një mundësi që Kurti të mund të shmangë çështjen e asociacionit. Ai duhet ta dijë këte. Asociacioni duhet të trajtohet në kuadër të marrëveshjes për njohje, dhe të zbatohet pas nënshkrimit dhe njohjes, duke respektuar të gjitha komentet dhe vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese. Po e theksoj! Marrëveshja e përgjithshme i bën lehtë të zgjidhshme të gjitha marrëveshjet e veçanta. Përderisa Serbia insiston se normalizimi mund të vijë përmes zbatimit të marrëveshjeve të veçanta, Kurti duhet të insistojë që së pari duhet të ndodhë normalizimi dhe njohja, e pastaj zbatimi.