Intervistë | Hasani për mesazhet e Lajçak: Një ton tritol në shtetësinë e Kosovës, këto përralla t’ia tregojë ndonjë çobani në Sllovaki - NACIONALE

Intervistë | Hasani për mesazhet e Lajçak: Një ton tritol në shtetësinë e Kosovës, këto përralla t’ia tregojë ndonjë çobani në Sllovaki

2 vjet më parë

nga Dafina Demaku

Tallje me elitën profesionale në Kosovë. Lajçak flet për Kosovën sikur të ishte viti 60’të i shekullit të kaluar. Me tone kaq dramatike flet ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, për deklaratat e Ndërmjetësit Miroslav Lajçak, dhënë dje ekskluzivisht në intervistën për Nacionalen.

Dy nga çështjet e rëndësishme që Lajçak përmendi në intervistë, është aludimi i një ‘miksi jetese’ juridikisht në mes të Rezolutës 1244 dhe Arbitrazhit në Asociacion.

Në bisedën tonë me z.Hasani – për të shpjeguar tutje mesazhet e Lajçakut - shprehet kështu: “Rikthimi i saj sot, thënë figurativisht, është futje një toni tritol në themelet e sovranitetit dhe pavarësisë së Shtetit të Kosovës.” Për çka e ka fjalën?

Biseda me z.Enver Hasani rreth çështjeve kryesore nga intervista e Lajçakut:

NACIONALE : Z.Hasani, Miroslav Lajçak, në një intervistë dhënë dje për Nacionalen, i pyetur rreth çështjes së Rezolutës 1244 në Preambulën e Draftit të Asociacionit (evropian) si dhe Komisionin e Arbtirazhit deklaron kështu: “Çdo marrëveshje bazohet në kompromise dhe i respekton për aq sa është e mundur vijat e kuqe të secilës palë. Draft Statuti Evropian e reflekton këtë qasje të balancuar. Nga njëra anë, është i mbështetur fort në kornizën ligjore dhe për rrjedhojë edhe kushtetuese të Kosovës. Nga ana tjetër, i referohet Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, e cila është ende në fuqi, si shprehje formale e opinionit apo vullnetit të organeve të Kombeve të Bashkuara”; dhe “Më lejoni të sqaroj tani dispozitën për komisionin e arbitrazhit në nenin 42 të draft Statutit të BE-së. Le të fillojmë me atë që nuk është: nuk është një nivel tjetër brenda gjyqësorit të Kosovës; nuk i zëvendëson organet dhe alternativat gjyqësore ekzistuese në Kosovë; dhe, vendimet që do të dilnin nga komisioni nuk janë vendime gjyqësore”, na tha ai”, thotë tutje Lajçak. Si e komentoni këtë?
ENVER HASANI: E kam lexuar intervistën në fjalë. Në te ka shumë gjëra që janë tallje me elitën profesionale në Kosovë, me kuptim në rend të parë juristët dhe politologët. Zoti Lajçak flet për Kosovën sikur të kishte qenë viti ’60 i shekullit të kaluar, kur analfabetizmi ka qenë i lartë, për të mos thënë i skajshëm. Kosova siç dihet ka një universitet me pak më shumë katër dekada, kurse disa të tjerë me nga një dekadë, që kanë prodhuar juristë politologë që kanë njohuri themelore për gjërat për të cilat flet zoti Lajçak. Ndër to është edhe statusi i Rezolutës 1244 dhe i mekanizmit të arbitrazhit. Çdo jurist normal dhe politolog mesatar e din që rezolutat e Këshillit të Sigurimit që merren sipas kapitullit VII të Kartës së OKB janë kundër sovranitetin shtetëror të shtetit ose shteteve ndaj të cilëve zbatohen. E tillë është edhe Rezoluta 1244 e OKB. Ajo formalisht është në fuqi, por me shpalljen e pavarësisë së vendi, ajo nuk mund të ketë asnjë fuqi normative për çështjet e qeverisjes. Një fuqi të tillë e ka pasur, bazuar në zotimin e Kosovës sipas Deklaratës së Pavarësisë, vetëm në periudhën pavarësisë së mbikëqyrur. Rikthimi i saj sot, thënë figurativisht, është futje një toni tritol në themelet e sovranitetit dhe pavarësisë së Shtetit të Kosovës.

E njëjta vlen edhe për mekanizmin e arbitrazhit. Çdo jurist a politolog mesatar e din që krijimi i mekanizmave për zgjedhje të mosmarrëveshjeve në mes të autoriteteve publike të një vendi, përbën cungim serioz të sovranitetit dhe pavarësisë së tij. Për të ndodhur një gjë e tillë, duhet vendim i përfaqësuesit të sovranit, në rastin tonë vendimi i Kuvendit të Kosovës, i cili me dy të tretat e votave prononcohet për një gjë të tillë. E njëjta gjë vlen edhe për rikthimin e Rezolutës 1244 të rendin juridik-kushtetues të Kosovës. As Rezoluta e as Arbitrazhi nuk mund të bëhen me akt nënligjor, as me ligj, por vetëm me amendament kushtetues Këtë nuk mund ta bëj as kryeministri i Kosovës dhe as Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Kjo është kështu sepse futja e tyre aty është zhbërje e Deklaratës së Pavarësisë të datës 17 shkurt 2008.

NACIONALE : Një pjesë interesante nga kjo intervistë, ashtu siç e titulluam, është edhe fakti se z. Lajçak thotë se “i kanë ofruar z. Kurti vendosjen e inicialeve në Marrëveshje (Bazike dhe Aneksin) ose dërgimin formal të Marrëveshjes në OKB” Cili është komenti juaj?
ENVER HASANI: Është një tallje e radhës e zotit Lajçak. Ajo nuk mund të jetë e vërtetë: këto përralla ai mund t'ia tregoj ndonjë çobani në Sllovaki! Kurrë as teorikisht një gjë e tillë nuk do të mund të ndodhte, sepse, dihet botërisht, i vetmi rast kur marrëveshjet ndërkombëtare me një shtet joanëtar të OKB regjistrohen në Sekretariatin e saj janë marrëveshjet për kufij! Ata që dinë pak nga e drejta ndërkombëtare e kuptojnë se çfarë po them. Këtë e din edhe zoti Lajçak, meqë ka qenë ministër i Jashtëm sllovak, prandaj them se po tallet me ne, duke menduar se po i flet një opinioni tërësisht injorant.

NACIONALE: Zoti Besnik Bislimi pati thënë që Rezoluta 1244 është aty në preambulë, por nuk përbën kurrfarë baze ose pikënisje referenciale dhe qëndron aty thjesht si njëfarë gjuhe e përseritur. Çka i thoni ju injorimit qe i bën Bislimi kesaj rezolute?
HASANI: Besniku aq din, aq flet! Ai dhe shefi tij duhet ta dinë se Kosovës ia kanë shtuar një barrë të madhe, kanë krijuar autonomi politike dhe territoriale serbe dhe një status special për Kishën serbe dhe çdo objekt kulturor e historik serb, shkurt kanë prishur karakterin unitar të Shtetit të Kosovës dhe sovranitetin e tij territorial. Besniku duhet ta di që marrëveshjet e shefit të tij në Bruksel dhe Ohër, vitin që shkoi, janë të detyrueshme dhe Kosova nuk ka çare pa i zbatuar!

Nga intervista e zotit Lajçak dhe prononcimi i zotit Besnik Bislimi, qartë shihet që i pari ka mashtruar të dytin, dhe shefin e tij politik, duke ditur që këtyre u intereson vetëm pushteti. Në këtë drejtim, Lajçak ka pasur sukses kolosal, në biografinë e tij do t’i shkruhet si një tregim suksesi, pikërisht sepse ka mashtruar Besnik Bislimin me shefin e tij. Këtu, në këtë mashtrim, një rol të posaçëm kanë luajtur edhe këshilltarë ndërkombëtar që ishin në Bruksel dhe Ohër. Çdo gjë që thuhet tash rreth nënshkrimit dhe gjërave të ngjashme, janë për ruajtje të votës dhe asnjë lidhje nuk kanë me realitetin.

Lajme të ngjashme