Intervistë| | Hamiti: Kurti dhe Osmani i kuptojnë mesazhet e miqve me vonesë, tërhiqen mbasi të kenë bërë dëm - NACIONALE

Intervistë| | Hamiti: Kurti dhe Osmani i kuptojnë mesazhet e miqve me vonesë, tërhiqen mbasi të kenë bërë dëm

3 vjet më parë

nga Muhamet Koci

Dëmtimi i raporteve të Kosovës me SHBA-të e ka shqetësuar edhe ish- ish-ambasadorin e Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti. Ai ka drejtuar një varg kritikash ndaj krerëve institucionalë të Kosovës për lëndimin e këtyre raporteve

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kuti për lëndim të raporteve me SHBA-të.

Ai ka vlerësuar se sjellja e dy krerëve shtetërorë e ka sjellë Kosovën në gjendjen që aleati kryesor t`i vendos sanksione.

Ish-ambasadori i Kosovës në Londër ka bërë me dije se Kurti dhe Osmani po i kuptojnë me vonës të madhe mesazhet e miqve ndërkombëtar.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Hamiti ka treguar se ata tërhiqen nga veprimet e gabuar mbasi të kenë bërë dëm.

Në këtë intervistë të gjatë, zyrtari i LDK-së ka theksuar se Kosova kurrë nuk ka marrë qortime nga SHBA-ja me tone kaq të ashpra dhe pa ekuivoke.

Sipas tij, rikuperimi i këtyre raporteve do të marrë kohë.

Madje, Hamiti ka thënë se rikuperimi i plotë i raporteve Kosovë-SHBA nuk mund të bëhet me Kurtin dhe Osmanin në pushtet.

Nacionale: Me shtensionimin e situatës, a mund të rikuperohen prapë raportet me SHBA-të?
Hamiti: Rikuperimet mund të bëhen, por shpejt jo. Plotësisht nuk mund të rikuperohen me këtë Qeveri, me Osmanin e Kurtin në pushtet, me Presidenten që kohën më të madhe është ‘missing in action’, siç do të thoshin anglishtfolësit, që po abstenon nga funksionet e veta kushtetuese, nuk po siguron funksionimin demokratik të institucioneve, nuk po qëndron mbi palët, por është rreshtuar me Qeverinë, dhe me Kurtin që bën aventura të rrezikshme, si ajo me targat para një gjysmë viti, pas të cilës u tërhoq, mbasi bëri dëm, dhe kësaj aventure të javës së fundit, dëmet e së cilës ndoshta shumëkush s’i ka parë ende. Po duket as vetë Qeveria, e cila vazhdon t’i bjerë moh realitetit të sanksioneve amerikane dhe keqësimit të marrëdhënieve Kosovë – SHBA për fajin e saj.

Nacionale: Z. Hamiti, për tensionet në veri SHBA-ja dhe BE-ja kanë gjetur fajtore më shumë Kosovën. Cili është vlerësimi juaj për reagimin e aleatëve ndaj Kosovës?
Hamiti: Tensionet në veri i shkakton Serbia me strukturat kriminale atje. Kështu e minon sundimin e ligjit në atë pjesë të shtetit tonë. Qeveria e Kosovës ka rënë në grackën e Serbisë edhe kësaj here, fatkeqësisht. Vendosja e sundimit të ligjit atje, punë e vështirë për çdo qeveri tonën, mund të bëhet vetëm në koordinim me aleatët tanë, dhe me ndihmën e tyre. Kryeministri Kurti ka marrë veprime atje në kundërshtim me këshillat e aleatëve, dhe jo në koordinim me ta, siç e ka thënë ambasadori amerikan. Aleatët, nëpërmjet KFOR-it dhe EULEX-it, kanë rol kyç për sigurinë dhe në një shkallë (EULEX-i) edhe me ndihmë për sundim të ligjit në komunat veriore. U desh edhe intervenimi i KFOR-it për të parandaluar shpërthim më të madh, por gjendja eskaloi megjithatë, me pasoja për policinë tonë e ushtarët e KFOR-it, por edhe për reputacionin e Kosovës. Për këtë SHBA-ja dhe BE-ja e fajësojnë Qeverinë e Kosovës.

Aleatët e Kosovës na kanë ndihmuar me dekada, fillimisht për lirinë dhe demokracinë, pastaj edhe për pavarësinë dhe sovranitetin tonë. Na ndihmuan për t’u çliruar, në kohët më të liga të historisë, kur përballeshim me rrezikun e shfarosjes nga lufta gjenocidale e Serbisë në pranverë të vitit 1999. Na ndihmuan në rrugën e pavarësimit. Shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë e koordinuar me aleatët tanë, praktikisht nën kujdestarinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po ashtu, në mbrojtjen e drejtësisë dhe të legjitimitetit të shpalljes së kësaj pavarësie, që e konfirmoi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në korrik të vitit 2010, me ne kanë qenë amerikanët, shumë vende evropiane. Aleatët tanë amerikanë dhe evropianë kanë luajtur rolin kryesor edhe në procesin e njohjeve ndërkombëtare, të anëtarësimit tonë në organizata ndërkombëtare. Pa harruar këtu ndihmën e pakursyer ekonomike në vitet e pasluftës, deri sot.

Nacionale: Në seancën e djeshme të Kuvendit, ku u diskutua për situatën në veri, kryeministri Kurti tha se nuk i ka befasuar aleatët për intervenimin në veri. Kush po e thotë të vërtetën, sipas jush?
Hamiti: Kurti ka marrë veprime atje në kundërshtim me këshillat e tyre, sidomos të amerikanëve, siç e kanë thënë vetë ambasadori Hovenier, po e përsëris. Prandaj, nga nivele të larta të Administratës, duke përfshirë edhe nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken, është thënë publikisht se kjo sjellje do të ketë pasoja për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve. Pasojat po i shohim tanimë. Është hera e dytë që Kosova sanksionohet për shkak të Albin Kurtit. Herën e parë gjatë Qeverisë Kurti 1 për shkak të masave të reciprocitetit me Serbinë, heqja e të cilave kërkohej për t’i hapur udhë dialogut për marrëveshje përfundimtarë me Serbinë, që atëherë mendohej se do të rezultonte me njohje reciproke. Kësaj herë sanksionet duken edhe më serioze. E vërteta e hidhur është se Kosova po sanksionohet për fajin e kësaj Qeverie. Për më keq, deklarata e Kurtit që e quante kumtesën e Sekretarit Blinken ‘naive’ është skandaloze, shumë e dëmshme për raportet e Qeverisë së Kosovës me Administratën e SHBA-ve, mikut dhe përkrahësit historik të Kosovës së pavarur. Marrëdhëniet speciale, miqësia e përhershme me SHBA-të, janë trashëgimi e Ibrahim Rugovës që i ka shërbyer Kosovës, pa të cilën Republika jonë nuk mundet.

Nacionale: Qortimi i SHBA-së ishte i ashpër. Ju për një kohë të gjatë merreni me politikë të jashtme, kemi pasur ndonjëherë qortime të tilla?
Hamiti: Nuk kemi pasur ndonjëherë qortime me tone kaq të ashpra, të prera, pa ekuivoke. Shihni, qortimet e amerikanëve ndaj Kosovës janë bërë lajme ndërkombëtare, madje të bujshme. Pse? Bota e di rolin vendimtar dhe përkrahjen e palëkundur të SHBA-ve për Republikën e Kosovës. Po ashtu, mirënjohjen e popullit të Kosovës për këtë përkrahje.

Nacionale: Ashtu siç u paralajmërua, pas qortimeve erdhën edhe sanksionet. Kosova u përjashtuar nga stërvitja “Defender Europe 23”. Çka do të thotë kjo për Kosovën?
Hamiti: Përjashtimi i FSK-së nga stërvitja “Defender Europe 23”, një ushtrim i përbashkët multi-nacional nën drejtimin e komandës amerikane në Evropë që synon të ndërtojë gatishmëri dhe ndërveprueshmëri ndërmjet SHBA-ve dhe partnerëve dhe aleatëve të NATO-s, është sanksion i rëndë. FSK-ja është në rrugën e transformimit të saj për t’u bërë ushtri e vendit tonë falë rolit vendimtar të SHBA-ve. 1300 ushtarë të Kosovës, që ishin përgatitur gjatë për këtë stërvitje me ushtritë e NATO-s, janë privuar nga kjo mundësi e jashtëzakonshme. Qoftë edhe mosangazhimi i SHBA-ve për njohje të reja të Kosovës është sanksion ndaj Qeverisë sonë, koston e të cilës e bart populli i Kosovës për fajin e Qeverisë së vet.

Nacionale: Opozita, shoqëria civile dhe të tjerët po i shohin me shqetësim kritikat amerikane. Por, kështu nuk po i shohin edhe njerëzit e pushtetit. Si shpjegohet kjo?
Hamiti: Ne si LDK, por edhe opozita dhe shoqëria civile, ka kohë që po flasim për një Qeveri të papërgjegjshme dhe jokompetente si në punët e brendshme, ashtu edhe të jashtme. Fundja rezultatet katastrofike të politikës së brendshme qytetarët e Kosovës po i përjetojnë në lëkurën e vet. Me propagandë ky pushtet po përpiqet të mbulojë dështimet e veta, shkeljet e Kushtetutës dhe të ligjeve nga ministra të kësaj Qeverie, punësimet partiake dhe familjare të VV-së, kapjen e të gjitha institucioneve publike. Kosova as që ka politikë të jashtme me Kurtin në krye të Qeverisë. Ai bën çka bën, kryesisht keq, krye më vete, teksa protagonistët e tjerë në politikën e jashtme të Kosovës bëjnë sehir, nga padija ose serviliteti.

Nacionale: Pas një javë e tensione në veri, duket se Kurti dhe Osmani janë pajtuar me ndërkombëtaret për shtensionimin e situatës, duke i hapur rrugë zgjedhjeve të reja. Çka tregon kjo?
Hamiti: Kjo tregon se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani i kuptojnë mesazhet e miqve tanë me vonesë të madhe. Tërhiqen mbasi të kenë bërë dëm për interesat e vendit, të cilin përpiqen ta paraqesin si sukses me propagandë të përndezur patriotike për veshët e militantëve të vet, thua se janë në fushatë zgjedhore.

Nacionale: Me shtensionimin e situatës, a mund të rikuperohen prapë raportet me SHBA-të?
Hamiti: Rikuperimet mund të bëhen, por shpejt jo. Plotësisht nuk mund të rikuperohen me këtë Qeveri, me Osmanin e Kurtin në pushtet, me Presidenten që kohën më të madhe është ‘missing in action’, siç do të thoshin anglishtfolësit, që po abstenon nga funksionet e veta kushtetuese, nuk po siguron funksionimin demokratik të institucioneve, nuk po qëndron mbi palët, por është rreshtuar me Qeverinë, dhe me Kurtin që bën aventura të rrezikshme, si ajo me targat para një gjysmë viti, pas të cilës u tërhoq, mbasi bëri dëm, dhe kësaj aventure të javës së fundit, dëmet e së cilës ndoshta shumëkush s’i ka parë ende. Po duket as vetë Qeveria, e cila vazhdon t’i bjerë moh realitetit të sanksioneve amerikane dhe keqësimit të marrëdhënieve Kosovë – SHBA për fajin e saj.

Lajme të ngjashme