“S’do të bëjmë asnjë hap për njohje”: Cili është plani i Kosovës për njohje të reja pa SHBA-të? - NACIONALE

“S’do të bëjmë asnjë hap për njohje”: Cili është plani i Kosovës për njohje të reja pa SHBA-të?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Lëndimi i raporteve me SHBA-të shkaku i tensioneve në veri do të sillte pasoja të mëdha për Kosovën. Këto pasoja më evidente do të jenë në fushën e politikës së jashtme, ku përkrahja e Kosovës nga SHBA-së është jetike.

Paralajmërimet e SHBA-së se më nuk do të angazhohet për të ndihmuar Kosovën në sjelljen e njohjeve të reja dhe në anëtarësimet në organizatat të ndryshme ndërkombëtare, po konsiderohet si tejet shqetësuese nga njohësit e politikes së jashtme.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka zgjedhur heshtjen përballë këtyre paralajmërimeve.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, dje para deputetëve nuk ka treguar se cili është plani i Kosovës në këtë situatë. Duke injoruar pyetjet e deputetëve për këtë çështje, ajo është marrë me mbrojtjen e kryeministrit Kurti.

Analisti Visal Ymeri ka thënë se pa përkrahjen e SHBA-së Kosova do ta ketë vështirë në arenën ndërkombëtare.

Në fakt çka kemi parë ne është që kanë filluar të zbatohen një listë sanksionesh nga ShBA-ja. Pra përjashtimi nga ‘Defender 2023’, me qortimet e vërejtjet goxha serioze të ambasadorit amerikan, të cilët i ka thënë para mediave e ndër të cilët më shqetësuese është që ShBA-ja s’do të bëjë asnjë hap në përkrahje të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare tash e tutje”, ka thënë ai për EO.

Të njëjta shqetësime ka shprehur edhe opozita.

Në seancën e djeshme parlamentare, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kërkuar nga ministrja Gërvalla të tregon nëse ka ndonjë plan për njohje.

Ministre me aktakuzë, nuk ka shqiptar mbi ketë tokë që është kundër shtrirjes së sovranitetit, besa asnjë ndërkombëtarë. Shtrine sovranitetin deri në Nish, nëse keni fuqi vete, urdhëroni. Të gjitha forca i keni ju si qeveri, shtrinë sovranitetin, askush nuk po ju ndalon me e shtri sovranitetin, me i kapë kriminelët, nuk keni ndalesa. Problemi është që ti me u merr me punë tanë më shumë. Na trego çka do me bo?. Cili është plani B për njohjet, kur del sekretari i shtetit, del ambasadori amerikan, dalin shtetet e QUINT-it dhe të e thonë se ne nuk kemi gatishmëri ta përkrahim Kosovën për njohje të reja e anëtarësim në organizata”, ka deklaruar Musliu-Shoshi.

Ajo e ka bërë me dije se shumica e njohjeve që i kanë ardhur Kosovës kanë qenë me ndihem e SHBA-së.

Donikë, të lutem koncentrohu në atë se çfarë po fol. Kosovën edhe para vendimit të GjND-së e kanë njohur Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk po e kontestoj unë Pavarësinë e Kosovës, të gjitha shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës, e kanë pasur përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Si kryediplomate, ma jep vetëm një shembull, një shtet që e ka njohur Republikën e Kosovës dhe Amerika nuk e ka përkrahur. Ti me ata përkrahësit e juaj që janë jashtë kuvendit mundoheni ta shtrembëroni këtë deklaratë dhe këtë fakt, ky është fakt. I fundit është Izraeli, që ti e nderuar nuk ke arritur prej Izraelit me sigurua as edhe një njohje të vetme. Është marre që ulesh në atë karrige dhe nuk arrin asnjë njohje ta sigurosh për dy vjet e gjysmë.”, është shprehur Musliu-Shoshi.

Paralajmërimet e SHBA-së

Pas krijimit të tensioneve në veri, SHAB-ja ka paralajmëruar pasoja për Kosovën.

Madje, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se SHBA-ja nuk do të bëj asnjë hap për ta mbështetur Kosovën në arritjen e njohjeve të reja.

Në një diskutim me gazetarë, ai ka thënë se shteti amerikan nuk do të angazhohet as për anëtarësimin e Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare.

Në këtë moment i kemi kërkuar kryeministrit Kurti në mënyrë që të bëjë deeskalimin e situatës, por ai nuk është përgjigjur në këto kërkesa. Kësisoji, po shqyrtojmë se cilat do të jenë masat tjera. Por, më duhet të them se në këto momente nuk do të gjeni entuziazëm te ShBA-të që të përgjigjen për interesa të Kosovës, siç është angazhimi për shtetet mos-njohëse, apo puna për të avancuar integrimin evropian të Kosovës.”, ka thënë Hovenier.

Republika e Kosovës deri me tani është njohur mbi 100 shteti. Njohja e fundit është ajo nga Izraeli.

Në qeverinë Kurti II nuk është arritur asnjë njohje e re për Republikën e Kosovës.

Lajme të ngjashme