Intervistë | Halil Matoshi: Kurti e instrumentalizoi një të vdekur; kurrfarë reformatimi s’e ndreq Qeverinë e tij - NACIONALE

Intervistë | Halil Matoshi: Kurti e instrumentalizoi një të vdekur; kurrfarë reformatimi s’e ndreq Qeverinë e tij

8 muaj më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Halil Matoshi është një prej gazetarëve më me përvojë por edhe më të zëshëm në Kosovë. Tash që jemi në ditët e javët ‘e nxehta’ të dialogut, cilat janë qëndrimet e tij për këtë çështje?

Opinionisti dhe gazetari i njohur, Halil Matoshi në një intervistë për Nacionalen është përgjigjur në disa pyetje për ngjarjet e fundit aktuale politke në vend, përfshirë dialogun me Serbinë dhe një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

Po ashtu, Matoshi në këtë intervistë tregon se çfarë do të bëhet me Asociacionin, për punën e Qeverisë Kurti nëse do të ketë riformatim të kabinetit qeveritar, ndryshimi i qëndrimeve nga Kurti për ish-politikanë serb si dhe angazhimet e partive opozitare në vend.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë me z. Matoshi:

Nacionale: Z. Matoshi, cila mund të jetë e vërteta më e madhe sipas jush për 2023?

Matoshi: Palët do të detyrohen t’i zbatojnë të gjitha Marrëveshjet e dakorduara në Bruksel, porse do të ndëshkohet kushdo që provokon konflikt. Pozitën më të fortë negociuese do ta kishte Kosova sikur t’i ruante mekanizmat e saj në veri. Politikat e nxituara dhe të pakoordinuara me ShBA-në të Kurtit e “nxorrën” Kosovën nga veriu i vendit dhe tash, Kurti po përpiqet të blejë kohë nga Perëndimi sepse nuk është gati ta akceptojë kompromisin në politikbërje. Kurti megjithatë do ta pranojë Marrëveshjën nëse Asociacioni përfshihet brenda saj dhe nëse Kosovës i hapen dyert e institucioneve Ndërkombëtare, si KiE dhe NATO, si dhe statusi i vendit kandidat për BE. Vetëm projekti Ahtisaarian është leva në të cilën mund të mbahet shteti kosovar. Iluzionet duhet të hiqen. Ndarja e Kosovës e lë të pa objekt Pakon Ahtisaari duke imponuar zgjidhje jokushtetuese, duke krijuar një situatë tragjike për entitetin juridik - politik, shtetin e Kosovës, ngase pa veriun pushon arsyeja e ekzistimit të shtetit kosovar, duke u kthyer tek ideja serbe e ripërkufizimit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë.

Nacionale: Çka parasheh për këtë vit z. Matoshi, duke parë deklarimet se mund të ketë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë?

Matoshi: Nëse e parafrazoj Ulf Brunnbauer, profesorin e politologjisë dhe teorikun e nacionalizmit, Kosova kurrë nuk ka qenë më e mbrojtun nga Perëndimi se sa tani! Arsyeja: kursi prorus i Serbisë! Marrëveshja do të jetë “merre ose leje” simas modelit të Rambouillet-së dhe besohet të nënshkruhet deri në mars 2023. Kosova nuk humbë asgjë, pos që blen kohë për aleatët e saj - në rrethanat e reja gjeopolitike - për ta tërheqë Serbinë nga orbita ruse, e duke hapur mundësi për anëtarësim në organizmat ndërkombëtar. Pranimi i planit franko-gjerman (që e mbështet ShBA) e relativizon rolin e ‘Srpska Lista-s’ dhe vendosë demokracinë edhe tek sebët kosovarë e posaçërisht në veri. Mendoj se Serbia do të pranojë në negociata çdo gjë që nuk e përfshinë njohjen e Kosovës de jure në qendër, por si këmbim detyrohet t’i vendosë sanksione Rusisë.

Nacionale: Si i sheh deklaratat e ndërkombëtarëve z. Matoshi për themelimin e Asociacionit?

Matoshi: Asociacioni i komunave me shumicë serbe është detyrim ndërkombëtar i Kosovës. Ai ka shkuar në Kuvend si Marrëveshje Ndërkombëtare, si e tillë është ratifikuar më 83 vota për, plus vota e dyfishtë (serbët); Asociacioni si zgjidhje kushtetuese do të bëhet sipas Marrëveshjës së vitit 2013 dhe pikës 2 të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. - Asociacioni është mekanizmi i vetëm kushtetues i Kosovës për integrimin e serbëve të Veriut e për ta ruajtur integritetin territorial të shtetit. Nëse Kurti arrin ta këmbejë me njohje nga Serbia, do të ishte sukses i madh. Por duket se njohje de iure nuk do të këtë në këtë fazë!

Nacionale: Si po e shihni deklarimin e Kurti për Ivanoviqin dhe pse ky ndryshim i Kurtit?

Matoshi: Në luftën e personalizuar me Vučić-in, Kurti po e instrumentalizon një të vdekur, në thelb mbështetës të fashizmit të Milošević-it, Oliver Ivanović-in, si rreng për serbët, për përçarjen e tyre, siç e ka përdor dikur Serbia Rrahman Morinën! Porse konteksti është tjetër. Të jemi korrekt, nëse Kurti i atribuon Ivanović-it cilësi të tilla lartësuese, “punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike”, së pari duhej të sigurohej se ai nuk ka kryer krime lufte dhe së dyti, të rehabilitohej nga Presidentja Osmani. Në fakt, të dy, edhe Morina edhe Ivanović punuan për Serbinë fashiste dhe jo për Kosovën e qëndrueshme.

Nacionale: Këtë vit Qeveria Kurti bën dy vite në qeverisje, a prisni se mund të ketë riformatim të kabinetit qeveritar, nëse po, në cilat ministri dhe pse?

Matoshi: Në thelb kjo Qeveri është ideologjike dhe jozhvillimore siç ka premtuar, nuk ka asnjë dikaster që funksionon mirë. Punësim e drejtësi? Rinia po e braktis atdheun për një punë e drejtësia nuk vendoset nëse një shtresë shoqërore trajtohet si e përmbysur (e mujtur!); Nuk i ndihmon kurrfarë reformatimi, nëse Albin Kurti nuk ndërron kurs!?

Nacionale: Kush është për juve opozitari kryesor në Kosovë dhe pse?

Matoshi: Opozita është e dobët për arsye se pos kritikës Qeveritare nuk ka ndonjë ide të madhe, projekt nacional kosovar dhe e ka reputacionin në popull të lënduar, për shkak të korrupsionit dhe nepotizmit, ndonëse përbëhet nga parti shtetndërtuese. Besoj se po reformohet shpejt dhe si e bashkuar, mund ta krijojë një kauzë të re për Kosovën emancipuese dhe perëndimorizuese!

Lajme të ngjashme