Interpelanca: ministri Murati ballafaqohet me deputetët për pagat e mësimdhënësve - NACIONALE

Interpelanca: ministri Murati ballafaqohet me deputetët për pagat e mësimdhënësve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, do të ballafaqohet sot me deputetët e Kuvendit të Kosovës rreth çështjes së moseksekutimit të pagave për mësimdhënësit. Të zgjedhurit e popullit e kanë thirrur në interpelancë Muratin për çështjen: “Cenimi i të drejtave të punëtorëve në administratën shtetërore me ndalimin e pagave, si dhe presioni mbi pushtetin lokal, ndërhyrja në autonominë e komunave”.

Me një muaj vonesë, për shkak të grevës së mësimdhënësve, mësimi në shkollat publike të Kosovës nisi të hënën. Sidoqoftë, vetëm pas rikthimit në shkolla, mësimdhënësit morën vesh se nuk do të paguhen për muajin shtator.

Kjo ndodhi, pasi Qeveria e Kosovës mori vendim që të mos i ekzekutojë pagat për kohën sa ata kanë qenë në grevë.

E për deputetët e Kuvendit, "fajtori" kryesor për këtë çështje është ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Kësisoj Murati sot do të raportojë në interpelancën e thirrur nga opozita për këtë çështje.

Interpelanca e Muratit do të jetë pika e tretë në rendin e ditës së seancës së sotme.

“3. Interpelancë me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati për çështjen: “Cenimi i të drejtave të punëtorëve në administratën shtetërore me ndalimin e pagave, si dhe presioni mbi pushtetin lokal, ndërhyrja në autonominë e komunave”, thuhet në njoftim.

Kallëzimi penal i PDK-së ndaj Hekuran Muratit: E cenoi të drejtën e grevës dhe e keqpërdori detyrën

Partia Demokratike e Kosovës dorëzoi të enjtën kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, dhe ushtruesit të detyrës së sekretarit në këtë ministri, Enis Spahiu. Ata po i akuzon për cenim të së drejtës për grevë, cenim të marrëdhënies së punës e keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në kallëzimin penal, që e ka siguruar gazeta Nacionale, thuhet se Murati e Spahiu e kanë cenuar të drejtën e punëtorëve për grevë, duke mos ua ekzekutuar pagat për muajin shtator.

“Personat e kallëzuar në cilësi të personave zyrtarë, përkatësisht si titullarë të institucionit qeveritar, me dashje dhe në kundërshtim me autoriimet e tyre ligjore dhe legjislacionin në fuqi, kanë ndërmarrë veprime për ndalimin e pagës për muajin shtator për mësimdhënësit e komunave të Kosovës, të cilët e kanë ushtruar të drejtën kushtetuese e ligjore për grevë”, thuhet në kallëzimin penal të dorëzuar dje.

Sipas kallëzimit, PDK-ja pretendon se Murati e Spahiu e kanë shkelur statusin e barabartë për qytetarët e Kosovës, se i kanë cenuar marrëdhëniet e punës, se e kanë cenuar të drejtën për grevë dhe se kanë bërë keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Në rrethanat e rastit konkret, marrëdhënia e punës është marrëdhënie që krijohet nga të punësuarit (mësimdhënësit) dhe komuna - punëdhënësi. Pra personat e kallëzuar, nuk kanë pasur të drejtë të bëjnë ndalesën e pagave sepse në këtë rast, komunat kanë vendosur ta respektojnë të drejtën kushtetuese për organizim sindikal duke mos marrë asnjë veprim në drejtim të ndalimit të pagës”, thuhet në kallëzimin penal të PDK-së.

SBAShK-u: Nëse s’dalin pagat, mblidhemi dhe vendosim për hapat e tjerë

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se po presin që mësuesve t’u dalin pagat e muajit shtator.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, Jasharaj ka deklaruar se nëse pagat nuk ekzekutohen, ata do të mblidhen dhe do të vendosin se si do të veprohet më tutje.

"Deklaratat e ministrit Murati besoj që kanë qenë aty për aty. Edhe z. Murati, edhe ministrja e Arsimit e dinë që në grevën e shpallur nga BSPK-ja kanë qenë edhe shërbyesit civilë e atyre u kanë dalë pagat. Ne po shpresojmë që gjatë këtyre ditëve t'u dalin pagat mësimdhënësve ,sepse edhe mësuesit tanë e kanë shprehur indinjatën për këtë gjë. Dua të jem optimist që Qeveria, megjithatë, do të marrë një vendim më në fund dhe do t'i japë pagat e muajit shtator. Nëse jo, atëherë kryesia do të mblidhet e do të vendosë për hapat e mëtejmë”, deklaroi Rrahman Jasharaj.

Në anën tjetër, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se për këtë temë do ta zbatojë ligjin, duke shtuar se kush ka punuar, merr rrogë./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme