Jasharaj: Nëse s’dalin pagat, mblidhemi dhe vendosim për hapat e tjerë
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se po presin që t’iu dalin pagat e muajit shtator.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, Jasharaj ka deklaruar se nëse pagat nuk ekzekutohen, ata do të mbledhen dhe vendosin si do të veprohet më tutje.
"Deklaratat e ministrit Murati besoj që kanë qenë aty për aty. Edhe zt. Murati edhe ministrja e Arsimit e dijnë që në grevën e shpallur nga BSK kanë qenë edhe shërbyesit civil, e atyre u kanë dalë pagat. Ne po shpresojmë që gjatë këtyre ditëve t'u dalin pagat mësimdhënësve sepse edhe mësuesit tanë kanë shprehë indinjatën për këtë gjë. Dua të jem optimist që Qeveria megjithatë do të marrë një vendim më në fund dhe do t'i jep pagat e muajit shtator. Nëse jo, atëherë kryesia do të mblidhet e do të vendosë për hapat e mëtejmë”, deklaroi Rrahman Jasharaj.
Ndryshe, ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se për këtë temë do ta zbatojnë ligjin, duke shtuar se kush ka punuar, merr rrogë.
Për këtë temë, Murati do të përballet në një interpelancë me deputetët nesër në Kuvend.