Detaje nga kallëzimi penal i PDK-së ndaj Hekuran Muratit: Cenoi të drejtën e grevës dhe keqpërdori detyrën - NACIONALE

Detaje nga kallëzimi penal i PDK-së ndaj Hekuran Muratit: Cenoi të drejtën e grevës dhe keqpërdori detyrën

1 vit më parë

nga Besian Beha

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Muratit dhe ushtruesit të detyrës së sekretarit në këtë ministri, Enis Spahiu. Ata po i akuzon për cenim të drejtës në grevë, cenim të marrëdhënies së punës e keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në kallëzimin penal që e ka siguruar gazeta Nacionale thuhet se Murati e Spahiu, e kanë cenuar të drejtën e punëtorëve për grevë, duke mos ua ekzekutuar pagat për muajin shtator.

“Personat e kallëzuar në cilësi të personave zyrtarë, përkatësisht si titullarë të institucionit qeveritar, me dashje dhe në kundërshtim me autoriimet e tyre ligjore dhe legjislacionin ën fuqi, kanë ndërmarrë veprime për ndalimin e pagës për muajin shtator për mësimdhënësit e komunave të Kosovës, të cilët kanë ushtruar të drejtën kushtetuese e ligjore për grevë”, thuhet në kallëzimin penal të dorëzuar sot.

Kallëzimi penal i dorëzuar nga avokati i PDK-së, Faton Fetahu, pretendon se veprimet për ndalimin e pagave kanë qenë pa bazë dhe të paligjshëm.

Në kallëzim penal thuhet se e drejta e grevës është e garantuar me disa ligje, dhe që i punësuari nuk mund të diskriminohet për shkak të organizimit ose pjesëmarrjes në grevë.

“Të njëjtit me qëllim dhe me dashje kanë abstrahuar faktin kyç ligjor, atë se qeveria respektivisht kjo ministrit nuk është punëdhënëse e kësaj kategorie të të punësuarve. Të njëjtit, kanë marrëdhënie pune me komunat si institucione publike të nivelit local, e jo me institucionet qendrore, përkatësisht me ministrinë dhe personat që e drejtojnë personat e kallëzuar penalisht”, thuhet më tutje aty.

“Rrjedhimisht, keqpërdortimi dhe keqinterpretimi i Ligjit për Greva dhe ndërhyrja arbitrare e qeverisë, përbën shpërdorim detyre dhe tejkalim të kompetecave nga ana e personave të kallëzuar zyrtarë”, thuhet më tutje.”

Në këtë kallëzim penal, PDK-ja e ka përmendur faktin që në grevë kanë qenë edhe shërbyesit civilë, por që atyre u janë proceduar pagat, kurse mësimdhënësve jo.

“Pra në rrethana të tilla identike, personat e kallëzuar kanë zbatuar standarde të dyfishta për pjesëmarrësit në grevë duke bërë që mësimdhënësit të jenë subjekt i diskriminimit. Në këtë mënyrë, të njëjtëve me qëllim dhe dashje, nga personat e kallëzuar zyrtarë, u është shkelur statusi i barabartë i tyre si shtetas dhe qytetar të Kosovës”, thuhet më tutje.

“Po ashtu, e drejta për grevë është e paraparë edhe me Ligjin Nr. 03/L-200 për Greva, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-119 për Grevat, përmes të cilit theksohet se pjesëmarrja në grevë garantohet me ligj, si dhe nuk mund t’I ndalohet askujt ushtrimi i kësaj të drejte, e as ndërmarrja e masave ndëshkuese – nga ana e autoriteteve publike – e aq më pak, marrja e masës së ndalimit të pagës nga ana e institucionit që nuk është punëdhënës i të punësuarve që ushtrojnë këtë të drejtë”

“E dyta, pjesëmarrjen në organizimin sindikal dhe të drejtën për grevë e kanë përkrahur shumica e komunave, por jo të gjitha. Sepse në disa shkolla të këtyre komunave, mësimi ka vazhduar. Mirëpo pavarësisht se mësimdhënësit kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e punës, respektivisht heqjes dorë nga pjesëmarrja në grevë, edhe ndaj këtyre janë ndërmarrë masa ndëshkuese duke iu bërë ndalimi i pagës”, specifikohet në kallëzimin penal të siguruar nga Nacionale.

Sipas kallëzimit, PDK-ja pretendon se Murati e Spahiu kanë shkelur statusin e barabartë për qytetarët e Kosovës, kanë cenuar marrëdhëniet e punës, kanë cenuar të drejtën në grevë dhe kanë bërë keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Në rrethanat e rastit konkret, marrëdhënia e punës është marrëdhënie që krijohet nga të punësuarit (mësimdhënësit) dhe komuna punëdhënësi. Pra personat e kallëzuar, nuk kanë pasur të drejtë të bëjnë ndalesën e pagave sepse në këtë rast, komunat kanë vendosur ta respektojnë të drejtën kushtetuese për orgnaizim sindikal duke mos marrë asnjë veprim në drejtim të ndalimit të pagës”, thuhet në kallëzimin penal të PDK-së.

“Derisa komunat si punëdhënës, e kanë respektuar të drejtën e mësimdhënësve në grevë, madje pa asnjë pezullim të të drejtave nga marrëdhënia e tyre e punës, ndërhyrja e paligjshme e Qeverisë, respektivisht e Ministrisë përgjegjëse për financa, ka shkaktuar dëme të mëdha e madje të pariparueshme për gjendjen e tyre ekonomike, financiare dhe morale për të cilat pasoja, duhet të japin llogari personat e kallëzuar zyrtar dhe të gjithë zyrtarët e tjerë përgjegjës, që kanë pranuar të zbatojnë urdhëra të paligjshëm”

“Në rrethanat e rastit konkret, ministri ka mbivendosur në raport me komunat duke u uzurpuar kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre kur e ka shpërfillur vendimin e tyre për respektimin e të drejtës në grevë, respektivisht mos-ndërmarrjes së ndonjë veprimi për ndalim të pagës. Sepse nuk është në kompetencën e ministrit ndërmarrja e një veprimi të tillë”, thuhet më tutje.

PDK-ja duke u bazuar në këto argumente, ka kërkuar hetime të rregullt, të pavarur dhe profesional.

“Arsyeja e parashtrimit të këtij kallëzimi penal është duke u mbështetur në nivelin e përgjegjësisë së këtyre zyrtarëve publikë, subjekte të kallëzimit penal”, thuhet më tutje.

PDK-ja ka kërkuar që të ngritet aktakuzë dhe Hekuran Murati e Enis Spahiu të dënohen sipas ligjeve në fuqi.

Lajme të ngjashme