Ia krehin bishtin me sharje që ta lartësojnë në Kosovë
Edhe në ditët e tij të zorit, pushteti i Vuçiqit nuk po i ndahet përpjekjeve për të investuar në imazhebërjen e kryeministrit në largim të Kosovës, Albin Kurti.
Duke e portretizuar atë negativisht, pritjet e pushtetit në Serbi me sa duket janë që rejtingu i tij në Kosovë të rritet.
Me këso ngjyra e ka portretuar edhe ministri serb i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq.
Në një intervistë për mediumin serb ‘NIN’, ai është ankuar se Kurti gjoja ka përgjegjësinë për shkatërrimin e karakterit shumëetnik dhe demokratik të shoqërisë në Kosovë.
“Atij duhet t’i njihet merita se po e zbaton vazhdimisht programin e partisë së tij, që mbështetet në agjendë etnonacionale me synim të bashkimit të tokave shqiptare, për largimin e plotë të çfarëdo ndikimi serb në Kosovë, për të shkatërruar institucionet e popullit serb që kanë ekzistuar për qindra vite”, ka thënë Gjuriq.
Kreu i diplomacisë serbe ka theksuar se është shpërfillur provizioni i dikurshëm që partia më e votuar e komunitetit serb të caktojë përfaqësues në qeverinë e Kosovës dhe institucionet e tjera.
“Kurti nuk është politikan demokrat evropian, por është një etnonacionalist i maskuar dhelpërisht, që nuk ngurron të përdorë ndonjëherë metoda rudimentare, e ndonjëherë të sofistikuara, për të eliminuar praktikisht çdo ndikim kolektiv politik të komunitetit serb, ashtu sikurse edhe çdo mbijetojë fizike dhe prani të serbëve”, ka shtuar Gjuriq.
Në vazhdim të intervistës, ai nuk ka lënë pa përmendur as ndërtimin e marrëdhënieve të reja me Shtetet e Bashkuara në formën e bashkëpunimit strategjik.
Sipas tij, Serbia ka investuar përpjekje të shumta në ndërtimin e një infrastrukture politike me Washingtonin.
Ai ka shtuar se epërsia e Serbisë është marrëdhënia e mirë personale me Trumpin, por edhe me njerëz të shpurës së tij.
“Ky është potencial, jo vetëm kur bëhet fjalë për bashkëpunimin e ndërsjellë mes Serbisë dhe Amerikës, por edhe kur vjen puna për t’i zgjedhur çështjet rajonale”, ka shtuar mes të tjerash Gjuriq.
“Serbia dhe interesat kombëtare serbe kanë qenë gjithmonë në humbje kur ne kemi lënë një boshllëk në Washington, kur ne nuk ishim të angazhuar e nuk vepronim. Në vitet e mëparshme, ne kemi investuar përpjekje e resurse të shumta për të ndërtuar infrastrukturë politike e diplomatike në ShBA”, ka theksuar Gjuriq.