I madh e i vogël kundër Lajçakut, ShBA-ja e BE-ja e përkrahin sllovakun: Çka tash?
Taboret tashmë janë ndarë: në një anë janë liderët e Kosovës dhe, në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Liderët kosovarë, pra Albin Kurti, Besnik Bislimi, Donika Gërvalla, Glauk Konjufca, që të gjithë janë kritikë ndaj Miroslav Lajçakut, të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, të cilin e kanë akuzuar për anshmëri ndaj Serbisë. Ndërsa ShBA-ja e BE-ja janë “në një linjë” në përkrahje të Lajçakut. Çka tash?
Dy analistë, më saktë Visar Ymeri dhe Albinot Maloku, janë në një mendje se dialogu është në një pikë nadir. Madje, Ymeri, gjatë debatit në emisionin “Debat Plus” të RTV Dukagjinit, vlerësoi se në rast të mosbesimit ndaj ndërmjetësit, atëherë procesi i dialogut duhet të ndërpritet.
“Në një proces negociator ku njëra nga palët, si Kosova, tregon mosbesim gati absolut, karshi ndërmjetësit, pra BE-së, atëherë ai proces duhet të ndërprehet ose dikush nga akterët të ndërrohet. Kurti dje mundohej të thotë se problemin e ka me Lajcakun, por problemin e ka me BE-në, sepse Kurti ka problem me këtë lloj të procesit të dialogut, për dy arsye. Një që duke e shikuar nga jashtë e ka keqkuptuar procesin e dialogut, e dyta kur është futur brenda ka pasur më shumë besim në aftësi të veta sesa që është dashur të ketë. Më shumë besim te aftësitë e veta prej një intelektuali, diplomati e politikani.” – deklaroi Ymeri në “Debat Plus”.
Ndërsa, politologu Maloku, në një përgjigje për gazetën Nacionale, theksoi se pozicioni i Kosovës në dialogun në Bruksel nuk ka qenë asnjëherë më i degraduar.
“Pozicioni i Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian e mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ka qenë asnjëherë me i degraduar se tani. Diagnoza e problemeve të këtij procesi pa ofruar kurën e alternativën, gjithmonë duke pasur në mëndje akterët aktual të forcave, siç po bënë kryeministri i vendit, duket se më shumë po tregon për mendësi regresiste sesa të një demokracie progresiste të tij si drejtues i Qeverisë. Rikujtimi nga mbështetësit e Republikës së Kosovës, se duan angazhim e përqendrim të Prishtinës në procesin e dialogut në Bruksel është mjaftueshëm tregues se në çfarë derexhe ka rënë kursori i politikës së vendit. Të gjitha diskutimet tjera rreth fuqizimit të Republikës kanë rënë. Mbështetësit e Kosovës flasin veç për dialogun e dështimin e tij.” – deklaroi Maloku.
Tutje, analisti Maloku e kritikoi edhe qasjen e Qeverisë Kurti në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, duke theksuar se procesi i dialogut nuk duhet parë si proces që sjellë vota.
“Mënyra e drejtimit të dialogut nga lehtësuesi është për çdo kritikë dhe kjo nuk do shumë mend, mirëpo nuk është në përshkrimin e detyrës së kryetarit të Qeverisë së Kosovës të diagnostikojë, mirëpo të bëjë progres edhe atëherë kur duket krejtësisht e pamundur. Në dialog nuk dilet gjithmonë e me çdo kusht fitues. Duhet të dish të dalësh fitues. Kryeministri Kurti e ka nisur mbrapsht procesin e dialogut dhe me siguri sot e ka të vështirë të fitojë nga ky proces. Mendimi se nga ky proces tek e fundit fiton votat për drejtuar Qeverinë, është i mjerë kur Kosova ka përplot probleme tjera, deri edhe në të papërballueshme.” – shtoi ai.
Ndryshe, dje vallës së kritikës ndaj BE-së – më saktësisht Lajçakut – i hyri edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila po ashtu e akuzoi Lajçakun se ishte “në anën e Serbisë”.
“Lajçak, nuk është hera e parë kur ai është treguar tërësisht i njëanshëm në një proces dialogu, në të cilin BE duhet të sigurohej të jetë i paanshëm. Ne disa herë e kemi shprehur pakënaqësinë tonë në mënyrë interne rreth faktit se si Lajçak e udhëheq këtë dialog dhe javën e kaluar është mbushur kupa. Ka qenë tepër i hapur qëndrimi i Lajçakut në favor të Serbisë”, ka thënë ajo për "Zërin e Amerikës".
Ndryshe, kohë më parë edhe presidentja Vjosa Osmani e kishte kritikuar qasjen e BE-së në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

