Çfarë thanë Osmani, Borrell e Lajçak për takimin e liderëve të Ballkanit në New York? - NACIONALE

Çfarë thanë Osmani, Borrell e Lajçak për takimin e liderëve të Ballkanit në New York?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shumë takime po zhvillohen në New York në kuadër të një organizimi në Asamblesë Parlamentare. E kur këto takime po zhvillohen pas shumë polemikave lidhur me dialogun, s’kanë munguar as takimet mes liderëve të Ballkanit e përfaëqsuesve të BE-së.

Një takim i tillë është zhvilluar mbrëmë ku ka marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Takim pas kritikave që kryeministri Kurti ia adresoi emisarit Lajçak, e pas shumë reagimeve nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Osmani ka shkruar në rrjete sociale se takimi u organizua nga Borrell, dhe ajo theksoi rëndësinë që Kosova ta ketë statusin kandidat për anëtarësim në BE.

“Integrimi euroatlantik vazhdon të jetë rruga e vetme për të siguruar paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon dhe përtej tij. Në takimin e sotëm të organizuar nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në New York, ritheksova se dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën është interes strategjik”, ka shkruar Osmani në rrjete sociale.

E për këtë takim kanë shkruar edhe pëfaqësuesit e BE-së. Joseph Borrell deklaroi se janë diskutuar sfidat, reformat dhe rruga drejt zgjerimit.

“Takimi tradicional me gjashtë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, anëtarët e ardhshëm të BE-së Ne diskutuam sfidat aktuale globale, përafrimin, punën e përbashkët në forume shumëpalëshe dhe reformat Duke u përgatitur për valën e ardhshme të zgjerimit, ne duam ta bëjmë realitet integrimin progresiv”, shkroi Borrell.

Për takimin, ka njoftuar edhe emisari i shumëpërmendur ditëve të fundit në Kosovë, Miroslav Lajçak. Ai ka thënë se janë përgjigjur në pyetjet dhe shqetësimet e liderëve të Ballkanit.

“Diskutim interesant dreke i organizuar nga Joseph Borrell me gjashtë Presidentët e Ballkanit Perëndimor në margjinat e #UNGA. Ne folëm në detaje për zgjerimin dhe iu përgjigjëm pyetjeve dhe shqetësimeve legjitime që kishin liderët”, tha Lajçak.

Në fakt, Bashkimi Evropian dje me një komunikatë të gjatë ka reaguar ndaj akuzave të Kurtit për emisarin Lajçak. Aty u kërkua të ruhet konfidencialiteti i bisedimeve dhe të zbatohet Asociacioni dhe marrëveshjet e tjera. Në të kundërtën, rrezikohet rruga evropiane e të dyja shteteve.

Në komunkatë thuhet se të gjitha palët duhet të zbatojnë marrëveshjen për të cilën janë zotuar. BE ka përsëritur kërkesën që të fillojë puna për zbatimin e Asociacionit,.

“Pas takimit të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë më 14 shtator në Bruksel, BE-ja shpreh shqetësimin e saj për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre sipas Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj, të cilat të dyja palët të rënë dakord në fillim të këtij viti, dhe të cilat janë të detyrueshme për to dhe luajnë një rol në rrugën evropiane të palëve”, thuhet në fillim.

“BE-ja u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim. Kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme, i cili gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për të zbatuar plotësisht të gjitha Marrëveshjet e Dialogut të kaluar. Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm”, bëhet e ditur në komunikatë.

BE-ja ka lënë të nënkuptohet se Kurti po e rrezikon parimin e konfidencialiteti në dialog, edhe pse pa përmendur emra. Sipas BE-së, është shqetësuese fakti që situata në veri është ende e tensionuar.

“BE-ja u kujton palëve përgjegjësinë e tyre për të respektuar parimin e konfidencialitetit në Dialog, i cili është një komponent kyç i çdo procesi negociator të ndjeshëm politik. BE-ja mbetet po aq e shqetësuar për mungesën e progresit nga të dyja palët në de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, disa muaj pas shpërthimit të fundit të dhunës që la të plagosur qytetarët, trupat e KFOR-it, forcat e rendit dhe përfaqësuesit e mediave, disa me pasoja të rënda dhe të përhershme”, thuhet në këtë komunikatë.

Në anën tjetër, përkrahje Lajçakut i ka dhënë edhe Departamenti Amerikan i Shtetit. Kurti nuk ka pranuar të komentojë për këto reagime.

Lajme të ngjashme