“I ka dy fëmijë”: Veliaj publikoi fotografitë e Lolitës e JOQ-it, reagojnë organizatat ndërkombëtare - NACIONALE

“I ka dy fëmijë”: Veliaj publikoi fotografitë e Lolitës e JOQ-it, reagojnë organizatat ndërkombëtare

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës, dy ditë më parë ka publikuar identitetet e dy personave, duke pretenduar se menaxhojnë faqet e njohura satirike “Lolita” dhe “JOQ Albania”. Në një përpjekje për t’i ngjarë Edi Ramës, kryeministrit të Shqipërisë dhe “patronit” të tij politik, Veliaj, krahas emrave, i përmendi edhe fëmijët e pronares së pretenduar të “Lolita”-s, duke i bërë tabelë të mundshme qitjeje ata nga militantët e pushtetit në Shqipëri.

Dy faqet, që menaxhohen në mënyrë anonime, kritikojnë, tallin dhe ironizojnë me pushtetin qendror dhe lokal në Shqipëri, për të cilën gjë kanë fituar zemrat dhe mendjet e mijëra njerëzve. Në fakt, nuk janë pak ata që mendojnë se këto dy faqe janë opozita e vetme në vend. Por, kompasi i kritikës së tyre është më i gjerë se vetëm politika, pasi dy faqet dhe në vecanti “Lolita”, është e njohur për kritikën edhe ndaj shumë dukurive shoqërore. Gjithmonë në mënyrë anonime, me sarkazmë e shpotitje autentike.

Publikimi i identiteteve, ndonësë të pakonfirmuar, ka alarmuar organziatat evropaine për lirinë e mediave, duke vlerësuar se kryetari i Tiranës, ka rrezikuar jetën e dy personave, të cilët ai ka thënë se qëndrojnë prapa këtyre faqeve anonime.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, ka thënë se këto faqe ndihmojnë në llogaridhënien e pushtetit dhe sjellja e Kryetarit të Tiranës është e papranueshme.

Jam i zemëruar nga sjellja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në zbulimin e identitetit të administratorëve të faqeve satirike të Facebook-ut shqiptar Lolita dhe JOQ, duke ua rrezikuar jetën dy personave të përmendur nga Veliaj. Z. Veliaj ka publikuar emrat dhe informata tejet private të familjeve të këtyre dy personave, duke supozuar se i ka ‘identifikuar’ ata, duke i vendosur ata direkt në rrezik fizik. Vetëm disa orë më parë, ai përmendi ata prapë, duke thënë se Policia është nisur drejt tyre, duke sugjeruar se atë mund të jenë arrestuar”, ka shkruar Sekretari i EFJ-së.

Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, me bazë në Gjermani, thotë se janë të shokuar me identifikimin publik që Veliaj u ka bërë dy personave që ai dyshon se janë prapa dy faqeve satirike, duke kërkuar nga ai t’iu kërkojë faljë dy të apostrofuarëve.

Ne jemi të shokuar që Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, identifikoi individë që dyshohet se janë prapa dy faqeve anonime Lolita dhe JOQ, duke cuar kështu në shqetësime të sigurisë. Veliaj duhet që menjëherë të kërkojë falje dhe të sigurohet që identitetet e individëve privatë janë të mbrojtura”, thuhet në reagimin e ECPMF-së.

E gjatë ditës së djeshme kishte reagime edhe në Kosovë ndaj zbulimit të të dy identiteteve të pretenduara të faqeve satirike.

Gazetari Berat Buzhala kishte shkruar se kryetari i Tiranës, Erion Veliaj në stil mafioz kishte linçuar publikisht një grua dhe një nënë që ai mendon se menaxhon faqën “Lolita”.

“Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, në stil mafioz në një prezentim të tij në Tiranë, doli edhe e linçoi publikisht një grua dhe një nanë që e ai mendon që e menaxhon faqen në Facebook, që quhet Lolita. Për fatin e keq të shqiptarëve të Shqipërisë, përvec Lapsit dhe Lolitës, të paktaaaaa janë ato faqe dhe media që guxojnë ta kritikojnë njeriun e parë të Tiranës.” – shkroi gazetari Buzhala.

Edhe drejtuesi i “Pressingut”, Leonard Kerquki i kishte dalur në mbrojtje faqës Lolita dhe gruas që Veliaj tha se menaxhon këtë faqe.

Me anë të një postimi në Facebook, Kerquki fjalimin e Veilajt që përmendi faqen “Lolita” e vlerësoi si sulm të paprecedent.

“Sulmi i paprecedent qe Erion Veliaj, Kryetar i Tiranes, i beri “vajzes” qe ai dyshon se qendron prapa faqes Lolita. - duke ia permendur edhe femijet, eshte i papranushem. Ne Shqiperi, Edi Rama dhe Erion Veliaj tashme kontrollojne pothuajse krejt mediat e medha dhe me sulmin ndaj Lolites po tentojne ta mbysin edhe zerin e fundit te kritikes. Heshtja e kolegeve gazetare nga Shqiperia ndaj deklaratave te Erionit, nderkaq, eshte e neveritshme”, ka shkruar Kerquki.

Ndërsa, pa reaguar nuk e la as analisti Kosovar, Rron Gjinovci. Ai e vlerësoi si kërcënim ndaj Faqës dhe menaxhuesve të saj reagimin e kryebashkiakut Veliaj.

“Në nji transmetim live në faqen e Erjon Veliajt, ky i fundit në stilin e mafiozit u mundu me kërcënu faqen Lolita, duke ia përmend emrin nji gruje që ky dyshon se është Lolita, ku ndër të tjera përmendi edhe vajzat e saj. Me demek unë e di kush je dhe se ke fëmijë. A e kuptoni sa bandit është tipi? Si mundeni me votu këtë bandit të vockël ju në Tiranë, po edhe ju në Kosovë, si mundeni me konsideru model të kryetarit të nji kryeqyteti nji sharllatan si ky?” – shkroi ai.

Lajme të ngjashme