Hyseni fton asamblistët e Gjilanit pa inate politike të votojnë lokacionin e ri të varrezave të qytetit
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni përmes një video-mesazhi ka bërë thirrje asamblistëve të gjitha partive politike që të votojnë lokacionin e ri të varrezave të qytetit.
Hyseni përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se me grupin e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Gjilanit kanë grumbulluar nënshkrime për një seancë të jashtëzakonshme e cila pritet të mbahet nesër.
Ai tutje ka ftuar asamblistët që pa dallime partiake, pa inate politike e pa ndonjë ndërhyrje tjetër të votojnë lokacionin e ri.
Postimi i plotë:
THIRRJE KËSHILLTARËVE KOMUNALË TË TË GJITHA PARTIVE POLITIKE
Pas grumbullimit të nënshkrimeve të nevojshme për thirrjen e një Seance të Jashtëzakonshme për votimin e lokacionit të ri të varrezave të qytetit, u bëj thirrje publike asamblistëve të të gjitha partive politike të KK-Gjilan, të mobilizohen e të votojnë lokacionin e ri, zgjidhje kjo për 100 vitet e ardhshme.
Është koha të veprojmë në të mirë të komunitetit, pa dallime politike!
