Rusia miratoi trajnime sekrete për ushtrinë e saj nga Kina në nivelin më të lartë, thonë burimet
Trajnimet e fshehta ushtarake të Kinës për forcat ruse vitin e kaluar ishin miratuar personalisht nga ministri i Mbrojtjes i Rusisë dhe përfshinë drejtpërdrejt të paktën katër gjeneralë rusë e kinezë, sipas dy zyrtarëve evropianë dhe dokumenteve që i ka parë agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zyrtarët thanë se përfshirja e individëve të tillë me rang të lartë në trajnime të lidhura me luftën në Ukrainë e sinjalizon rëndësinë e një bashkëpunimi të tillë për Rusinë dhe Kinën, që ka shkaktuar alarm në Evropë, edhe pse Pekini ka mohuar se trajnimi ka ndodhur.
Një dokument i klasifikuar rus, i parë nga agjencia “Reuters”, drejtpërdrejt iu referua një dekreti të brendshëm të lëshuar nga ministri i Mbrojtjes, Andrei Belousov, në gushtin e vitit 2025.
Aty thuhet se, në pajtim me një vendim të Belousovit, një delegacion nga forcat e armatosura ruse udhëtoi në Kinë për të marrë pjesë në ushtrime trajnuese në objektet e Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës.
Raporti i njëjtë jep hollësi për njërin nga kurset e trajnimit – sesion trejavor i përqendruar në mbrojtje radiologjike, kimike dhe biologjike në një qendër ushtarake në Pekin në nëntor.
Ministritë e Mbrojtjes të Rusisë dhe Kinës nuk iu përgjigjën kërkesave për koment për këtë artikull.
Ministria e Jashtme e Kinës tha në një deklaratë se qëndrimi i saj ndaj krizës së Ukrainës ka qenë konsistent.
“Pretendimet përkatëse janë tërësisht të pabazuara” – tha kjo ministri, duke iu referuar hollësive të këtij raporti.
Kina thotë se është neutrale në luftën e Rusisë në Ukrainë dhe e paraqet veten si ndërmjetëse për paqe./Nacionale