HRW: Deklaratat e Prindon Sadriut dhe Luan Dalipit rrezikojnë të krijojnë mjedis armiqësor për gazetarët - NACIONALE

HRW: Deklaratat e Prindon Sadriut dhe Luan Dalipit rrezikojnë të krijojnë mjedis armiqësor për gazetarët

1 vit më parë

nga NACIONALE

Organizata Human Rights Watch (HRW) ka publikuar raportin të drejtat e njeriut për vitin 2022 në Kosovë dhe në 100 shtete të tjera. Te gjeturat janë tmerruese: sulmet ndaj mediave, tensionet në veri, vrasja e grave nga burrat e tyre e diskriminimi ndaj komunitetit LGBT+, janë disa nga temat që janë përmenduar në raport.

Në raportin e HRË-së theksohet edhe gjendja e gazetarëve në Kosovës. Sipas raportit, gazetarët janë të keqtrajtuar dhe ndaj tyre vazhdojnë sulmet dhe kërcënimet.

E për këto sulme e kërcënime, HRW-ja ka potencuar reagimin e dobët të organeve kompetente.

Liria e Medieve Mes janarit e gushtit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës regjistroi 22 raste të sulmeve, kërcënimeve dhe frikësimit kundër gazetarëve dhe medieve.

Asociacioni raportoi se në shumicën e rasteve, gazetarët ballafaqohen me ngacmime, kërcënime e frikësim në platforma të rrjeteve sociale.

Sipas AGK-së, hetimet kriminale lëvizin ngadalë, kur ato nisen. Në shkurt, Prindon Sadriu, bashkëshort i presidentes së Kosovës dhe zyrtar i rangut të lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në një postim në “Facebook”, gazetarët dhe mediet në Kosovë i etiketoi si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

Në mars, shefi i stafit të kryeministrit, Luan Dalipi, në një postim në “Facebook”, i lidhi mediet e Kosovës me “biznese kriminale” dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i bojkotonin ato.

Deklarata të tilla rrezikojnë që ta minojnë besimin e publikut në medie dhe që të krijojnë një mjedis armiqësor për gazetarë.

Sulmet e Dalipit dhe Sadriut ndaj mediave

Shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi, me anë të një shkrimi në profilin e tij, kishte bërë akuza të rënda ndaj mediave duke thënë se i ngjajnë me kompani të kriminalizuara.

Nuk është gjë e re përdorimi i ndonjë mediumi për të shantazhuar qeverinë. Thurja e gënjeshtrave apo kurtheve dhe plasimi i tyre në portale i bën këto të fundit të ngjasojnë me kompani të kriminalizuara që model biznesi kanë shpifjen dhe tentimin për të shantazhuar qeverinë dhe/apo manipuluar publikun, ose thjeshtë për të fituar pandershëm sa më shumë përmes klikimeve/shikueshmërisë së ‘lajmeve’ të tyre”, shkruante Dalipi.

Në anë tjetër, Zotëri i Parë, burri i Vjosa Osmanit, Prindon Sadriu, kishte sulmuar ashpër mediat duke thënë se mediat janë “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijera dollarë). Bileta avioni First Class e rrallë herë Business Class. Për Economy as që flitej. Ju nuk keni lënë gjë publike pa keqpërdorë”, shkruante Sadriu.

Kujtojmë se edhe raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan kishte theksuar vështirësit që hasin gazetarët në Kosovë si dhe kërcënimet e zyrtarëve publikë ndaj mediave.

"Disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare u përpoqën të frikësonin përfaqësuesit e medias.", thuhej në raport.

Lajme të ngjashme