Hoxhaj: Jam marrë personalisht me rastin e Togos, Qeveria Kurti përgjegjëse për këtë dështim
Togoja ka tërhequr njohjen e Pavarësisë së Kosovës. E turpshme kjo për një shtet, por ç'ti bësh! Ironia shtohet kur kuptohet fakti se pikërisht ai që nënshkroi njohjen, nënshkroi edhe çnjohjen.
Bëhet fjalë për Robert Dussey, aktualisht ministër i punëve të jashtme të vendit afrikan. Ai, të hënën në një konferencë për media bashkë me Ivica Daçiq, tha se është tërhequr njohja e Kosovës dhe se kjo është përfundimtare.
Jo vetëm kaq, ai lavdëroi edhe Daçiqin për angazhimin në diplomacinë afrikane, ku theksoi edhe faktin se 54 shtete përbëjnë atë konfederatë, njëherit një të tretën e OKB-së.
“Ne në Togo njohim vetëm një Serbi, një Serbi të bashkuar. Jam i lumtur që ju dëgjoj duke përmendur tërheqjen e njohjes së Kosovës dhe ky është vendim definitiv.” – ka thënë Dussey.
E dështimin për këtë, sipas Enver Hoxhajt, njeriu që nënshkroi vënien e marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet, ka adresë: Qeveria Kurti.
Në një prononcim për Gazetën Nacionale, Hoxhaj deklaroi se është marrë personalisht me njohjen e Togos, duke thënë se është angazhuar pafundësisht që të arrihet ajo.
"Personalisht jam marrë me rastin e njohjes së Togos, e kam vizituar Togon dhe kur isha ministër i jashtëm homologu nga Togo ka vizituar Kosovën dhe ka nënshkruar marrëdhënie diplomatike. Qeveria Kurti është përgjegjëse për këtë dështim të radhës!", tha fillimisht ai.
Veç kësaj, ish-kryediplomati pohoi se ky lëshim ndërkombëtar është një tjetër problem që po i shfaqet vendit tonë, pas dorëzimit të sovranitetit të brendshëm në veri dhe rrudhjes së sovranitetit të jashtëm.
"Nën qeverisjen e Albin Kurtit, Kosova po udhëhiqet nga dështimi në dështim. Lëre që s'ka arritur të marrë asnjë njohje të vetme për Kosovën, por, përkundrazi, Serbia është duke e goditë kudo Kosovën ndërkombëtarisht. Dorëzimit të sovranitetit të brendshëm në veri dhe rrudhjes së sovranitetit të jashtëm, i shtohet edhe një listë pretendimesh për çnjohje".
Kujtojmë, për këtë çnjohje, deri më tani nuk ka folur asnjë nga krerët shtetërorë, përfshirë këtu drejtuesit e MPJD-së.
Paralajmërimi
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pak javë më parë regjistroi paraqitjen vjetore të 2022-ës, me ç'rast kishte publikuar të arriturat e vendit që drejton.
Nga pallati presidencial, siç transmetonte media pro-regjimit të Vuçiqit, Kurir.rs, i pari i serbëve pat folur edhe për njohjet e Kosovës.
Ai përmendi edhe emrat e këtyre vendeve, por është interesant fakti se Togo nuk ishte në mesin e tyre. Gjithsesi, ai përmendi edhe tri shtete në mëdyshje, e ka gjasa që Togo të jetë në grupin e të dytëve.
Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Estwatini, Lybia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucia dhe Maldivet, sipas Vuçiqit, kanë tërhequr njohjen e Pavarësisë së Kosovës.
Por, nuk bën të harrohet fakti se disa prej ambasadorëve kosovarë në botë, ditë me radhë demantuan zërat e çnjohjes, duke publikuar foto me ministra të punëve të jashtme të disa prej vendeve që sipas kreut serb janë në listën e mësipërme.
"Na presin sfida të vështira sa i përket Kosovës. Ne nuk kemi provokuar askë. Nuk kemi bërë asnjë incident. Si mund të quhet provokim kur mbrohet Kushtetuta jonë. Janë 106 vende që nuk e njohin Kosovën. Nëntë prej tyre e kanë tërhequr. Tri janë edhe më tutje në mëdyshje", deklaronte ndër tjerash ai.
Kreu serb foli edhe rreth proceseve integruese të Republikës së Kosovës, duke thënë se vështirë që mund të bëjë diçka për në Këshillin e Evropës, porse do të mundohen me çdo kusht për në UNESCO.
"Po presim vendin e dhjetë që do ta tërheqë njohjen. A mund të bëjmë diçka për Këshillin e Evropës? Vështirë. Për në Unesco? Do të luftojmë", thoshte Vuçiq.

