Hoti: Qeveria po krijon situata që e rrisin rëndësinë e Rezolutës 1244 në Kosovë
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës me paaftësitë e saj po e fuqizon Rezolutën 1244 në territorin e Kosovës.
Ai ka përmendur tri veprimet e Qeverisë që po ndikojnë në këtë drejtim.
“Për shkak të: (1) mungesës së rezonit shtetëror në menaxhimin e interesave shtetërore të Kosovës, (2) ndjekjes së qëllimeve të ngushta elektorale në vendime të natyrës strategjike e të sigurisë nacionale, si dhe (3) pa koordinim me aleatët në këto vendime, po krijohen situata që e rrisin rëndësinë e Rezolutës 1244 në menaxhim të sfidave të sigurisë në Kosovë” ka shkruar Hoti në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, një gjë e tillë bën një prapakthim në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës.
“Kjo përbën kthim prapa. Në qeveritë paraprake, në pamundësi që Rezoluta 1244 të anulohet formalisht në Këshillin e Sigurisë të OKB-së, është punuar me aleatët në zbehjen totale të rëndësisë së saj. Kjo qasje ka përfshirë edhe raportimin më të rrallë në OKB dhe me përfaqësim gjithnjë e më të ulët nga ana e Kosovës. Shpresoj që këto situata të mos jenë të pakthyeshme në Qeverinë e ardhshme të Kosovës, e cila duhet të kthejë menjëherë normalitetin në vend dhe bashkëpunimin e ngushtë dhe të domosdoshëm me aleatët”, ka shkruar Hoti.