Heshtje ‘mortore’ pas takimit të Kurtit me Sarrazinin fjalërëndë
Gjatë ditës së djeshme pritej që kryeministri Kurti takoi njërin prej personazheve më interesante ndërkombëtare gjatë zhvillimeve të fundit në veri dhe në dialog, Manuel Sarrazinin. Megjithatë, nuk u tha asnjë fjalë. Çka na flet kjo heshtje ‘mortore’?
Takimi në fjalë pritej të mbahej vonë, në orën 9 e 30 të mbrëmjes, por për habi u mbajt më herët.
Kryeministria njoftonte mediat që “për shkak të ndryshimeve në agjendë” takimi që ishte paralajmëruar në atë orë “tashmë” ishte mbajtur dhe kishte përfunduar në orët e para të mbrëmjes.
Por, fatkeqësisht as Qeveria e Kosovës e as kryeministri Kurti nuk do të njoftonin se çka ishte folur në atë takim.
Asnjë fjalë nuk e ka thënë deri tash as Sarrazini, që mban funksionin e Përfaqësuesit Special të Qeverisë së Gjermanisë për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Nacionale tashmë i ka dërguar pyetje zyres për komunikim në Qeverinë Federale të Gjermanisë por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka marrë përgjigje.
Pse ka rëndësi kjo heshtje?
Emisari Sarrazin u bë veçanërisht i rëndësishëm për t’i dhënë kuptim të ri prishjes së Qeverisë së Kosovës me partnerët e mëdhenj ndërkombëtarë të saj. Nga deklaratat e tij kuptohej se as Gjermania nuk ishte me ne.
Ai bëri bujë fillimisht kur u shpreh se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe ishte “gëlltitur tashmë”.
“Si Gjermania, ashtu edhe partnerët ndërkombëtarë kanë qenë gjithmonë të qartë për faktin se presim që Kosova ta përmbushë atë, dhe përshtypja ime është se kjo tani është pranuar në Prishtinë.” – kishte thënë ai në një intervistë për KoSSev.
Një tjetër deklaratë e tij ishte edhe më e rëndë.
Pas takimit të famshëm të 2 majit, z. Sarrazin ishte shprehur se “për herë të parë ka koncepte në tavolinë”. E për çfarë koncepti ishte fjala? Për atë konceptin e Ekipit Menaxhues që kryesohej nga një deputete e partisë së Aleksandër Vuçiqit.
“Mund të mos ketë ende ndonjë marrëvesje mes dy palëve për këtë çështje (Asociacionin). Por, të paktën për herë të parë ka koncepte në tavolinë se si mund të pajtohen interesat serbe dhe aftësia e Kosovës për të operuar si shtet. Deri tash, ky ka qenë gjithnjë veç një debat teorik.” – shprehej ai.
Nuk dihet nëse ai e kishte fjalën edhe për draft-vizionin e Kurtit. Sidoqoftë, pala kosovare kishte bërë zhurmë të madhe kur nënkuptueshëm të njëjtën gjë e kishte thënë edhe emisari Llajçak se duhej të gjendej mesi për çështjen.
I ashpër Sarrazini ishte shprehur edhe së voni, pas arritjes së marrëveshjes për hapat e parë të deeskalimit që u arrit në Bratisllavë.
Ai e quante hapin e bërë nga Qeveria e Kosovës drejt deeskalimit si “hap të vogël” dhe që nuk i jepte fund tensioneve.
“BE-ka e ka dhënë të qartë planin e saj trepikësh që do të thotë të mos ketë fare më prezencë të forcave speciale policore në veri dhe në afërsi të komunave, dhe ky zvogëlimi prej 25% është hap drejt asaj, por qartazi nuk e përmbush kërkesën e Bashkimit Evropian,” – deklaronte përfaqësuesi gjerman.
Dhe pikërisht në kontekstin e këtyre deklaratave – kohë kur Qeveria e Kosovës po kërkon të hiqen masat ndëshkuese para se të mbahen zgjedhjet në veri – ndodhi edhe takimi në fjalë. Dhe prandaj, heshtja e deritashme ngjan si ‘mortore’.

