Injorimi i gazit amerikan nga pushteti, alarmojnë odat ekonomike: Po rrezikohet partneriteti strategjik me ShBA-në
Injorimi dhe heshtja nga pushteti aktual për gazin amerikan ka shkaktuar reagime të shumta, sidomos sa i përket aspektit ekonomik dhe të sigurisë.
Reagime ka pasur nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), si dhe nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), ku është deklaruar se refuzimi i projekteve rajonale të gazit të lëngshëm natyror (LNG) rrezikon të ketë ndikim negativ në partneritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shprehu shqetësim për “mungesën e vazhdueshme të konsideratës” nga Qeveria në detyrë e Kosovës karshi thirrjeve të Qeverisë amerikane për përfshirjen e vendit në infrastrukturën dhe rrjetin e furnizimit me gaz të lëngshëm natyror (LNG), duke paralajmëruar se një shpërfillje e thirrjeve amerikane mund të ketë ndikim në partneritetin mes dy vendeve.
“Oda Amerikane vlerëson se partneriteti strategjik i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një nga asetet më të rëndësishme kombëtare të vendit. Shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve dhe prioriteteve strategjike të aleatit më të afërt të Kosovës bart rrezikun e ndikimit në cilësinë dhe thellësinë e këtij partneriteti me kalimin e kohës”, u tha në reagimin e OEAK-ut më 17 qershor.
Ndërsa kryetari i OEK-ut, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se janë duke e parë me shqetësim, pasi që vetëm Kosova për momentin ka mbetur jashtë gazit amerikan.
“Ne jemi duke e parë me shqetësim. Me shqetësim, për shkak se vetëm Kosova për momentin ka mbetur jashtë gazit amerikan. Ne jemi dëshmitarë se, të njëjtën ditë që Shqipëria nënshkroi me Greqinë marrëveshjen për gazin amerikan, të njëjtën ditë Kroacia me Bosnjën e nënshkruan po të njëjtën marrëveshje me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që Bosnja ta marrë gazin nga terminali në Krk të Kroacisë. Dhe këto marrëveshje shkojnë përtej gazit; kjo e ka të mirën ekonomike, ndikon në zhvillimin ekonomik, ndikon që të jesh i pavarur nga gazi rus. Se ku ta di unë, po të varesh vetëm nga gazi amerikan”, tha ai për EO.
Rafuna theksoi se një marrëveshje e tillë do të sillte përfitime ekonomike dhe strategjike për Kosovën.
Ai shtoi se prej vitit 1999, ShBA-ja ka investuar shumë në Kosovë dhe se Oda Ekonomike, pa mbështetjen e ShBA-së, nuk do të mund t’i gëzonte të gjitha shërbimet që ua ofron biznesit, të cilat janë shërbime ndërkombëtare.
“Ne jemi dëshmitarë që Amerika prej vitit, edhe para ’99-s, por sidomos prej ’99-s, sa shumë ka investuar në Kosovë. Dhe sa shumë është duke investuar prapë. Ne si Odë Ekonomike, për shembull, pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk kishim mundur t’i marrim të gjitha këto shërbime që ua ofrojmë bizneseve, që janë shërbime ndërkombëtare. Si çështja e barkodit, si çështja e origjinës, si tani çështja e ATA karnetit që është në përfundim e sipër”, tha ai.
Gjithashtu ka pasur reagim edhe nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), e cila theksoi se zhvillimi ekonomik, siguria energjetike dhe integrimi euroatlantik duhet të ndërtohen në koordinim me aleatin kryesor të vendit.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, deklaroi se “kundërshtimi i projekteve amerikane, përfshirë projektin e gazit amerikan, është kundërshtim i zhvillimit të Kosovës”.
Ndërsa ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se perceptimet se SHBA-ja ka qëllime negative ndaj Kosovës janë të gabuara. Duke folur për çështjen e gazit amerikan, ai theksoi se Uashingtoni ka qenë vazhdimisht mbështetës i Kosovës.
“Ai që kundërshton dhe mendon se Amerika ka tendencë negative për të na dëmtuar, e ka jo vetëm gabim, por është një gabim që nuk falet”, tha Gërxhaliu.
Këto reagime kanë ardhur pasi që e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, i ka bërë thirrje Kosovës të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara përmes projektit për gazin e lëngshëm natyror (LNG), duke thënë se kjo do ta ndihmonte të siguronte të ardhmen e vet energjetike.
Në një opinion për mediat kosovare të enjten, Prattipati tha se “së bashku, ne mund ta forcojmë sigurinë energjetike dhe t’i rrisim ekonomitë tona krah për krah”.
Prattipati i bëri thirrje Kosovës të veprojë shpejt për ta realizuar këtë partneritet, sepse ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme do të kërkojë kohë.
Ajo paralajmëroi se “mundësia për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet”.
U.D e presidentës,Albulena Haxhiu, është përgjigjur shkurt me një gjuhë injoruese, duke thënë se nuk e ka parë "fare" thirrjen amerikane për gazin.
"Nuk e kam parë fare, më vjen keq, nuk e kam parë”, deklaroi shkurt ajo.
Ndërsa nuk ka pasur fare përgjigje zyrtare nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sa i përket kyçjes në gazin amerikan.
Duhet theksuar se Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ka mbetur jashtë këtij projekti./Nacionale.