Albulena Haxhiu, Tahirit e Gashit: Po inkurajoni dhunën në veri
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj shefit të deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri dhe atë të LDK-së, Arben Gashi, duke thënë se po ‘bëjnë më shumë se keqinformim’ për situatën në veri.
Haxhiu ka thënë se opozita po inkurajon dhunuesit kur po thonë se në veri të vendit nuk ka gjyqytarë dhe prokurorë.
“Ju ftoj që mos mi keqinformu qytetarët. Me dal shefi i grupit parlamentare e më thënë se nuk ka prokurorë dhe gjyqtarë në veri është shumë pak është më thanë është keqinformim, po inkurajoni dhunuesit sepse kur ju shohin juve që thoni se nuk ka prokurorë dhe gjyqytarë atëherë mund të bëhet dhunë...”, ka thënë ajo në seancën e Kuvendit.
“A je në gjendje zotëri Tahiri me dhënë dorëheqje nëse ajo çka ke thënë ti është e pavërtetë. Tash jam e gatshme që bashkë me ty dhe Arbenin të shkojmë në Mitrovicë në prokurori dhe gjykatë. Aty janë prokurorët dhe aty janë gjyqtarët, prandaj mos shpifni”.
Ajo bëri thirrje që opozita t’i bashkohet pushtetit në raport me Serbinë.
“Së pari konsideroj që Kosova ka pozicion të dinjitetshëm në raport me negociatat me Serbinë, për herë të parë tre krerët e RKS janë të unifikuar me qëndrimet përballë Serbisë dhe do të doja që këtij unifikimi t’i bashkohet edhe opozita.”, ka thënë ajo.
