Petrit Zogaj: LDK-ja i ofroi Kurtit arsyetimin që kërkonte për zgjedhje në vjeshtë
Analisti Petrit Zogaj ka vlerësuar se LDK-ja i ka ofruar Lëvizjes Vetëvendosje arsyetimin që i nevojitej për të shkuar në zgjedhje të reja në vjeshtë.
Zogaj ka shkruar se fillimisht LVV-ja krijoi përshtypjen se po kërkonte partner për bashkëqeverisje, ndërsa LDK-ja, sipas tij, u vetëofrua menjëherë me kërkesën për postin e presidentit.
Sipas tij, Vetëvendosjes iu deshën disa javë që këtë kërkesë ta paraqiste si absurde dhe ta shtynte LDK-në drejt dorëzimit.
“Ne te njejten kohe LV e krijoje pershtypjen qe konstituimi i Kuvendit nuk eshte problem dhe per ta bere kete, duhet marreveshja per presidentin”, ka shkruar Zogaj.
Ai thotë se pas tërheqjes së LDK-së nga kërkesat për pushtet, LVV-ja e ka “betonizuar” idenë se zgjedhja e presidentit është problemi kryesor dhe se duhet të ketë pajtim për këtë para se të procedohet me Kuvendin dhe Qeverinë.
“Frika e LDKse per te shkuar ne zgjedhje eshte aq e lexueshme sa qe do te ishte budallaki per LV qe te mos insistonte qe te mbeshtetet emri i saj per president. Pra ose presidenti i LV ose zgjedhje”, ka deklaruar ai.
Në fund, Zogaj e ka kritikuar pozicionin aktual të LDK-së, duke thënë se kjo parti nuk është as opozitë e mirëfilltë, as pjesë e qeverisë dhe as alternativë për zgjedhjet e ardhshme.
“LDK as opozite e mirefillte, as pjese e qeverise dhe as alternative ne zgjedhjet e ardhshme”, ka përfunduar ai.