Arben Gashi kërkon përjashtimin e Albulena Haxhiut nga seanca, pretendon që u sulmua verbalisht nga prapa
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arben Gashi, ka pretenduar nga foltorja e Kuvendit të Kosovës se i janë lëshuar fjalë të rënda nga një ministre e Qeverisë së Kosovës.
Bëhet fjalë për ministren Albulena Haxhiu, e cila ishte po ashtu e ashpër në fjalën e saj. Por, duket se Haxhiu ka lëshuar fjalë jashta asaj që ishte dëgjuar.
Arben Gashi u ankua se ministrja po i pengonte fjalën dhe kërkoi përjashtimin e saj nga seanca.
“Do duhej që për gjuhën që e përdor ministrja nga prapa, kryesuesja e Kuvendit t’ia tërheqë vërejtjen dhe ta largojë nga salla,” – u shpreh z. Gashi.
Por, kjo nuk ndodhi. Haxhiu mbajti fjalimin e saj dhe sulmoi ashpër Gashin por edhe Abelard Tahirin duke thënë se Kosova për herë të parë kishte pozicion të dinjitetshëm përballë Serbisë.
Ajo akuzoi Gashin e Tahirin edhe se po inkurajonin dhunë duke thënë që nuk kishte prokurorë në veri të vendit.
