Haxhiu e quante “tallje me Republikën”, BE: Kosova të mundësojë kthimin e serbëve në institucione - NACIONALE

Haxhiu e quante “tallje me Republikën”, BE: Kosova të mundësojë kthimin e serbëve në institucione

3 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Tashmë kur u konkludua procesi i jashtëzakonshëm zgjedhor në katër komunat të populluara me shumicë serbe – me bojkot absolut të serbëve të veriut – Bashkimi Evropian sërish i është kthyer dy çështjeve. Kthimin e përherhshëm të serbëve në institucionet e Kosovës si dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ndonëse nuk ia kontestuan Kosovës të drejtën ligjore dhe kushtetuese për mbjajtjen e atyre zgjedhjeve, BE shprehet se ato nuk garantojnë zgjidhje politike afatgjate. Saktësisht për shkak të mospjesmarrjes së serbëve në to. Kosova duhet t’ua mundësojë kthimin serbëve në institucione, kërkon BE-ja.

Pjesëmarrja shumë e ulët, veçanërisht në mesin e qytetarëve serbë të Kosovës, tregon se ky proces nuk konsiderohet dhe nuk mund të konsiderohet si zakonisht. Pjesëmarrja në proceset zgjedhore ka për qëllim të sigurojë që zërat e komuniteteve që përfaqësojnë liderët e zgjedhur do të dëgjohen. Që kur serbët e Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës në nëntor 2022, BE-ja ka qenë vazhdimisht e angazhuar me të dyja palët për të lehtësuar kthimin e tyre”, reagoi Bashkimi Evropian.

Këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione dhe që Kosova ta mundësojë këtë kthim. Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, specifikohet më tutje.

Më 5 nëntor të vitit të kaluar serbët u dorëhoqën masivisht nga institucionet e vendit në krizën që nisi me çështjen e targave që Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë lëshon për katër vendbanimet me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës. Kërkohej konvertimi i pakompromistë i tyre prej “KM, etj” në tabela të Republikës së Kosovës (RKS). Reperkusionet e një vendimi të tillë të qeverisë kosovare, ishin asisoji që të gjithë serbët u dorëhoqën nga institucionet dhe i kthyen atyreve paralele që mirëmbahen nga Serbia. Afro 600 policë zhveshën uniformat, me t’u pasuar prej gjyqtarëve, prokurorëve, administratës etj. Zgjidhje që atëherë nuk ka pasur.

Çka thotë shteti kosovar për këta të dorëhequr?

BE dhe ShBA kërkon lejimin dhe mundësimin e kthimit të tyre, por kështu nuk mendon Kosova. Kthimin e po të njëjtëve, Ministrja e Drejtësisë, e pati quajtur “tallje me Republikën e Kosovës”. Njëjtë shprehej edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, se ata që hoqën uniformat e policisë kosovare, s’ka se si të pritet që kthehen sërish.

Haxhiu ishte e prerë, të njëjtën s’bëhet që të kthehen në pozitat paraprake: “E konsideroj që është e papranueshëm që gjyqtarët dhe prokurorët serbë që dorëhiqen apo policët në anën tjetër të pranohen të kthehen në institucione sepse kjo është tallje me institucionet e Republikës, si e tillë nuk duhet të pranohet”. Duhet t’u jepet mundësia serbëve tjerë që janë të interesuar për ato pozita, kërkonte Haxhiu, ndonëse konkurset e hapura për pozita të tilla dështojnë vazhdimisht për shkak të mosaplikimeve.

Zgjedhjet “pa serbë” në Veri

Serbët u bojkotuan masivisht zgjedhjet në ato zona, ndërsa fituan dy kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, dhe dy të Partisë Demokratike të Kosovës në Zubin Potok dhe Zveçan. Në votime dolën rreth 1 mijë e 500 qytetarë nga 45 mijë sa ishin me të drejtë vote. Legjitimeti i këtyre zgjedhjeve, s’do mend që të jetë i kontestueshëm ndonëse ligjore gjithsesi që janë.

Me të marrë kryesimin e këtyre komunave lindin çështjet e njëmendta. Si do të qeveriset në ato komuna ku tërë stafet e administratës janë dorëhequr? Në kë do të mbështeten për zbatimin e vendimeve? Cilat ndërtesa do t’i shfrytëzojnë? Etj. Pyetje për të cilat duhet të ketë përgjigje brenda 30 ditësh.

Në anën tjetër, siç njoftoi Ndërmjetësi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, në takimin e Nivelit të Lartë në Brukse më 2 maj, Kosova duhet të paraqes me doemos një draft-Statut të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, të cilën e ka obligim “të menjëhershëm” në bazë të Aneksit të Zbatimit të Marrëveshjes Bazë të arritur në Ohër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve. Çështja e rikthimit të serbëve në institucionet nga ku janë dorëheqhur, Lajçak thotë se është gjithmonë pjesë e diskutimeve të tij me palët, ndonëse pala kosovare nuk e thotë një gjë të tillë.

Lajme të ngjashme