"Haremi" i Albin Kurtit
Nje klasë e re pushtetarësh po lind në Kosovë. Në terma filozofikë, ajo mund të quhet homo haremus. Pra, shpura e afërt e Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës. Ata janë politikisht të fuqishëm për vetëm një arsye: afërsia me shefin e Qeverisë. Ky fenomen ngjan me historinë e simotrave të tyre të haremit perandorak osman. Vetëm me një dallim thelbësor: atëbotë e rëndësishme ishte biologjikja, ndërsa tash aksesi fizik tek ‘porta’ e kryeministrit Kurti.
Të ngujuar në zyrat komode të Qeverisë e të rrethuar me njerëz që mendojnë njësoj, kjo klasë propagandojnë se po qeverisin me vendin. Madje, ata janë të bindur se e meritojnë udhëheqjen me Kosovën, sepse mbi kokë kanë Albin Kurtin, njeriun të cilit i kanë borxh gjithçka. Ofiqet, ‘statusi shoqëror’ e privilegjet e tjera të pushtetit, burojnë nga ekzistenca e shefit të tyre. Andaj, ata të vetmen vlerë shoqërisht të tregtueshme e politikisht kredibile, e kanë lidhjen e afërt me kryeministrin Kurti.
Haremi dhe haremxhitë
Një gjë duhet të qartësohet. Termi harem, në kontekstin e shkrimit, nuk shenjon asgjë gjinore. Haremi këtu ka kuptimin e një arene politike, pjesëtarët e së cilës bëhen politikisht të rëndësishëm për shkak të ‘bashkëjetesës’ në një kulm me të parin e tyre.
Në kohën e Perandorisë Osmane, haremi ishte një nga institucionet qendore të saj, që shërbente si vatër sakrale e familjes, por edhe si fushë e politikëbërjes. Në krye të haremit ishte nëna sulltaneshë, fuqia e së cilës buronte nga afërsia direkte biologjike me sulltanin sundues. Lidhja biologjike me Padishahun përcaktonte rëndësinë politike të pjesëtarëve të haremit. Vullneti i lartmadhërisë ishte burim i fuqisë e legjitimitetit. Nëna sulltaneshë rrëzonte nga pushteti vezirët, bejlerët e kryekomandantët. Ambasadori venedikas në kohën e Muratit të Tretë, Paolo Contarini, theksonte se të gjitha të mirat dhe të këqijat vijnë nga nëna mbretëreshë.
Ky sfond historik, na ndihmon të kornizojmë haremxhiun që shërben në ‘pallatin’ e Kurtit, i cili është burimi suprem dhe i pazëvendësueshëm i legjitimimit. Haremxhiu, i cili mund të jetë i tillë pavarësisht gjinisë së tij, është njeri pa ndonjë të arritur të madhe jetësore. Ata nuk kanë ndonjë kontribut domethënës për shoqërinë kosovare. Në fakt, haremxhiu është pjesë e anonimatit. Ai është politikisht amorf, organizëm i patrajtë.
Megjithatë, si zotërues i një lidhjeje të drejtpërdrejtë me Kurtin, homo haremusi del në pah si figurë e rëndësishme. Pa ndonjë mendje kreative, homo haremusi është një qenie përtace, që shpjegon gjithçka nëpërmjet lenteve të kryeministrit. E kur ndokush e kundërshton, ai thirret në fitoren plebishitare të 14 shkurtit, e cila, dorën në zemër, për strumbullar e ka Kurtin.
Në përditshmërinë e tij, haremxhiu e ka gojën plot me terma si “fola me shefin e madh”, “më tha Kurti” e “e takova kryeministrin”. Albin Kurti është kryefjala e secilës fjali të homo haremusit. Andaj, ai është një person besnik ndaj shefit, dhe politikisht eunuk. Procesi i përzgjedhjes së haremxhiut, është imtësisht i kujdesshëm. Mungesa e egos politike është cilësi e pakapërcyeshme që duhet ta ketë subjekti që synon t’i bashkohet ‘haremit’ të Kurtit. Kushdo që e kalon këtë test, e di që shërbimi ndaj shefit të madh është njëherit shërbim ndaj vetes. Sepse, për sa kohë që Kurti qëndron në pushtet, aq gjatë ata do të jenë relevantë për njerëzit. Pak a shumë, sikurse gratë osmane të haremit. Ato largoheshin nga haremi e syrgjynoseshin, kurdo që bijtë e tyre humbnin luftën për pushtet. Njëjtë do t’u ngjajë edhe haremxhive të sotëm, herët a vonë.
Ekzistenca e grupeve të ndryshme në harem, politikisht kundërshtare, krijon një ambient psikoze. E nga kjo psikozë haremi, derivon domosdoshmëria për të përdorur Kurtin në garën e brendshme për pushtet. Kësisoj, Kurti, pashmangshëm, shndërrohet në një objekt përdorimi. Ai shfrytëzohet politikisht për t’u ngjitur në dhomat e haremit. Potencialisht të gjithë e përdorin shefin e ekzekutivit, por më së shumti ata që ndajnë kabinetin, ose që janë të afërt me të në parti. P.sh. shefi i stafit të tij, i cili për shkak të funksionit që ushtron, ka qasje direkte në zyrën e kryeministrit.
Por, epitoma e haremxhiut është zëvendëskryeministri i parë, një biçim profesori i AUK-ut, e gjithë fuqia politike e të cilit është rrjedhojë e besimit që shefi i tij e ka në të. Pa Kurtin, ai do të vazhdonte të ishte një person krejtësisht i parëndësishëm, kampion i pakonkurrencë për meme. E njëjta vlen edhe për atë koordinatoren e VV-së së nga Shqipëria, që në baza ditore shkëmben mesazhe me Kurtin, e asaj, merreni me mend, i frikohen edhe deputetët e ministrat e Qeverisë Kurti. Kush e njeh atë? Jashtë VV-së, ASKUSH. Por, asaj i beson Albin Kurti, personi që legjitimon fuqinë e haremxhiut.
Një logjikë e tillë tashmë është ulur këmbëkryq edhe në Grupin Parlamentar të VV-së. Shumë deputetë vazhdojnë të krijojnë ‘mite’ për lidhjen e afërt që kanë me Kurtin. Entuziazmi me të cilin më tregonte një deputet i partisë në pushtet për takimin me Kurtin, ështe tregues i mjaftueshëm i homo haremusit. E kam të pamundur që këtu ta pasqyroj besnikërisht shkëlqimin e syve të deputetit, teksa fliste për bisedat në takim, që për një koleg të tij është vetëm bisedë e trilluar. Ai ngazëllim më ngjante me atë të një djaloshi që e sheh për herë të parë dashurinë e jetës së tij. Gjersa ai synonte të më magjepste, mua më ngjallte neveri për gjendjen e mjeruar të haremxhiut deputet.