Haradinaj takon ambasadorin amerikan: Biseduam mbi zhvillimet politike dhe përpjekjet për anëtarësim direkt në NATO
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka takuar sot ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike dhe ato të sigurisë në vend.
Ai ka bërë me dije se në këtë takim me fokus të veçantë është diskutuar për anëtarësim e Kosovës në NATO.
Në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj ka shkruar se diplomatin amerikan e ka siguruar që aktivitetet politike të jenë të përqendruara në synime të përbashkëta.
“Në Ambasadën Amerikane, pata nderin të zhvilloja një diskutim të hapur dhe miqësor me ambasadorin Jeffrey Hovenier. Biseduam mbi zhvillimet politike dhe ato të sigurisë në vend, me fokus të veçantë në përpjekjet tona për anëtarësim direkt në NATO. E sigurova ambasadorin Hovenier se do të angazhohemi që aktivitetet tona politike të jenë të përqendruara në këtë synim të përbashkët”, ka shkruar ai.
Haradinaj ka falënderuar diplomatin amerikan për mbështetjen për Kosovën.
“I shpreha mirënjohjen time të thellë ambasadorit Hovenier për mbështetjen e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës, duke qëndruar pranë nesh në çdo hap. Plani aksional për anëtarësim në NATO (Membership Acton Plan) mbetet objektivi ynë strategjik, si perspektiva e vetme për të siguruar paqe dhe siguri afatgjatë për vendin dhe rajonin tonë”, ka shkruar Haradinaj.