Haradinaj për të dytën herë "të keqen" e njëjtëson me Kurtin: A ishte ripërforcim i porosisë ndaj Limajt? - NACIONALE

Haradinaj për të dytën herë "të keqen" e njëjtëson me Kurtin: A ishte ripërforcim i porosisë ndaj Limajt?

1 vit më parë

nga Xhezair Dashi

Në asnjë rrethanë me Vetëvendosjen – as në rast të marrjes së postit të kryeministrit.

Kështu e murosi qëndrimin Ramush Haradinaj, para dhjetë ditësh në “Pressing” të T7, duke folur për formacionin e përbashkët politik që ka udhëhequr – bashkë me Fatmir Limajn – që nga 17 janari i vitit të kaluar kur të parët patën lidhur koalicion parazgjedhor e deri te konkludimi i tyre.

Ndjenjat e përziera për rezultatin e korrur Haradinaj s’i fshehu: por s’e qëndrimi i AAK-NISMA, tha ai, është për një qeveri të opozitës. Për këtë qeveri eventuale të opozitës, Haradinaj i tha Leonard Kerqukit, koalicioni i vet “nuk do të vendos(te) kushte” karshi Bedri Hamzës dhe Lumir Abdixhikut.

“Krejt këta kanë m’e përfundu në burg”, tha në gjuhë tonike Haradinaj kur iu lëshua deklarimi i Albin Kurtit në shesh mbrëmjen e 9 shkurtit, kur opozitën – dhe argumentativisht edhe elektoratet përkatëse të tyre – i quajtu “hajvanë” dhe “hajvanat”.

Vetëm dy-tri ditë iu deshën që Limaj t’i shkundtte si pluhur jo të vetin nga këpucët këto qëndrime. Në “Debat Plus” ai u kujdes të saktësojë herë-herë që AAK dhe NISMA “janë dy parti të ndryshme, të veçanta”, kësisoji duke e autonomizuar vendimarrjen.

Limaj – pasi numrat i luajtën mirë, tre deputetë (mbase rrugës për katër) nga tetë gjithsejt të koalicionit – hoqi murin e artikuluar nga Haradinaj për Vetëvendosjen. S’e përjashtoi as VV, e as askëdn – “kushdo që më fton, unë shkoj ulem – për interes nacional”.

Dhe...nisi trazimi....

Me të zbardhur dita tjetër Ramush Haradinaj i çoi mesazh Limajt se “e keqja ka emër, Albin Kurti” dhe kësisoji nisi avalanshi i reagimeve të ndërsjella AAK – NISMA; dhe gjithandej spektrit publik e mediatik. Më së ashpri: Bekë Berisha.

Paraqitje të përbashkët mes këtyre dy partnerëve s’ka pasur: e madje as nën funksionar më të ulët në hierarki të partive. Ardian Gjini, nënkryetar i AAK-së, ndonëse jo edhe aq i bindur edhe për vete, tha se Fatmir Limaj “nuk shkon me Vetëvendosjen” dhe se “janë sqaruar” disa gjëra ndërpartiakisht.

Por, hiç më larg se sot Ramush Haradinaj e rinxori sërish frazën që në rend të parë ia kishte drejtuar Limajt: se “e keqja ka emër, Albin Kurti”.

S’dihet nëse frazimi për të dytën herë që “e keqja është Kurti” është edhe mesazh për të dytën herë ndaj Fatmir Limajt nga Ramush Haradinajd, por se shkrimi i tij rezonon me krejt atë çka dy partnerët e kanë pasur në diskurs gjatë tërë fushatës zgjedhore.

“Na la pa NATO, pa 🇺🇸, pa EU. Na solli Asociacionin më të keq të mundshëm. Na vendosi nën sanksione. Dobësoi biznesin, lodhi punëtorët e sektorit privat dhe publik. Na bëri të varur nga importi i energjisë dhe na e shtrenjtoi, dhe po na e shtrenjton prapë çmimin”, shkroi Haradinaj.

“I poshtëroi vlerat e lirisë duke lënë veteranët e UÇK-së jashtë pagës minimale me ndihmën e Listës Serbe. Na përçau në Kosovë, por edhe në rajon, me të gjithë shqiptarët, edhe në diasporë. Ky është e keqja!”, shkroi Haradinaj.

Haradinaj, për më tepër, këtë shkrim edhe e sponzorizoi për të arritur audiencë edhe më të gjerë se sa ndjekësit organik që ka.

Akterë të Lëvizjes Vetëvendosje tash e disa ditë kanë përzbutur – deri edhe në lëvdata – gjuhën publike ndaj Fatmir Limajt, duke folur në superlativ për të në rrafshin e luftëtarit e deri edhe te përkimi i pretenduar ideologjik mes VV-së dhe NISMËS si “socialdemokratë”.

Lajme të ngjashme