Haradinaj në tryezën për sulmin terrorist në Banjskë: U sponzorizua nga Serbia, hetimi ndërkombëtar i domosdoshëm
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në tryezën e organizuar nga Grupi Parlamentar ka folur për sulmin terrorist në Banjskë, duke kërkuar hetim ndërkombëtar.
Haradinaj ka thënë se sulmi është kualifikuar si terrorist dhe Serbiq është sponsore e këtij sulmi, duke shtuar se ligji ndërkombëtar e dënon sulmin terrorist dhe sponsorizuesit e tij.
“Ajo që ka ndodh në veri të vendit të dielën, është sulm terrorist, pra kualifikohet si terrorizëm. Po ashtu, në bazë të gjitha të gjeturave deri sot, Serbia kualifikohet si sponzore e këtij sulmi terrorist. Në pikëpamje të ligjit ndërkombëtar, terrorizmi dhe sponzorët e tij denohet, ndërsa është interes i paqes në rajon që bashkësia ndërkombëtare ta merrë një pozicion të qartë që ndëshkon Serbinë, kjo mund të ndodh përmes një hetimi ndërkombëtar.” – ka thënë ai.
“Kosova nuk duhet asnjëherë me harrue dhe me e humb fokusin nga obligimet e marra, dmth nga plani franko-gjerman, i përkhraur nga Amerikanët dhe i cili parasheh të drejta për komunitetin serb në Kosovë bazuar në kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne nuk duhet të heqim dorë nga qëllimi ynë në këtë rast i arritjes së paqes në Kosovë e rajon, sepse e dimë që përmes avancimit të marrëveshjes së arritur e avancojmë edhe statusin tonë ndërkombëtar dhe euroatlantik. Interesi ynë është partneriteti për paqe dhe procesi drejt NATO-s, marrja e njohjeve, përmbyllja e kandidaturës sonë dhe anëtarësimi në KIE dhe në OKB e që është proces i vështirë.” – ka thënë Haradinaj ndër të tjera.
Ai ka falënderuar institucionet për punën e tyre për sulmin në Banjskë.
“I përgëzojë institucionet e Kosovës për punën që kanë bërë në ditën kritike, dmth policinë, inteligjencën dhe të gjitha institucionet e sigurisë. Sigurisht ka vend për analiza dhe për të nxjerrë mësime, po ashtu i falenderojmë edhe institucionet e Bashkësisë Ndërkombëtare, por meqë është sot tryeza e parë që e kemi thirrë dhe i dedikohet sigurisë, nderojmë me një minut heshtje heroin më të ri të Kosovës, Afrim Bunjaku." - ka përfunduar Haradinaj.
