Haradinaj: Aleanca me ShBA-në është e përjetshme
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka udhëtuar për në Uashington, atje ku do të marrë pjesë në ceremoninë "Lutjet e mëngjesit”.
I pari i Aleancës ka treguar se gjatë vizitës një javore pritet të ketë takime në Departamentin e Shtetit, Senat dhe Kongres.
“Sot, po e nisi një javë të vizitës sime në Uashington, ku do të qëndroj dhe do të marrë pjesë në ceremoninë "Lutjet e Mëngjesit". Gjatë kësaj vizite do të kem një agjendë e cila do të përfshijë takime në Departamentin e Shtetit, Senat dhe Kongres, e po ashtu edhe takime tjera me institucione të rëndësishme.” – ka shkruar Haradinaj.
Ai gjithashtu ka treguar se veçse ka takuar miqtë e vjetër të Kosovës, që sipas tij kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë zëri ynë në Amerikë.
“Ndjenjë e veçantë të takoj miqtë e vjetër të Kosovës, znj. Nancy Y. Bekavac, anëtare e Bordit të Universitetit Amerikan (AUK) dhe Shaun Burn, të cilët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë zëri ynë në Amerikë. Me këtë rast, i falënderova për gjithë kontributin e tyre që kanë dhënë me dekada, në veçanti për miqësinë dhe besimin e tyre në Kosovë. Kosova asnjëherë nuk duhet të harrojë që aleanca me ShBA-të është e përjetshme dhe duhet të mirëmbahet me punë, komunikim të sinqertë dhe bashkëpunim të vërtetë.” – ka shkruar ai.
Lutjet
Lutjet e Mëngjesit janë një traditë e vjetër, për më gjatë se gjashtë dekada, sipas së cilës, çdo vit, më 4 shkurt, në lutjet e përbashkëta mblidhen presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, anëtarë të Kongresit, politikanë amerikanë dhe udhëheqës ushtarakë, si dhe mysafirë nga qindra vende të botës.
Kjo traditë e lutjeve ka nisur që nga koha e presidentit Dwight Eisenhower, më 1952. Senatori i atëhershëm Franck Carlson nga Kanzasi kishte ftuar spontanisht presidentin Eisenhower në Senat për një lutje të përbashkët për suksesin e Qeverisë.
Kështu, ideja fillestare për lutje të përbashkëta të pozitës dhe opozitës për paqe dhe sukses në SHBA, u shtri në organizmin ndërkombëtar të lutjeve të përbashkëta ndërmjet liderëve amerikanë dhe atyre nga vende të shumta nga mbarë bota.
Lutja e mëngjesit është një manifestim që zgjatë disa ditë dhe tubon rreth 3.500 mysafirë. Aty zhvillohen takime të ndryshme, dreka e darka, por ngjarja kryesore është mëngjesi i të enjtes, kur aty do të flasë edhe presidenti i SHBA-së si dhe njëri nga mysafirët, por që identiteti i tij nuk bëhet publik në këtë fazë.
Kosovarët që do të luten...
Përveç Haradinajt, në Lutjet e Mëngjesit do të marrin pjesë edhe emra të tjerë të politikës kosovare.
Një ndër ta është edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili përtej oqeanit do të fluturojë javën e ardhshme.
Kjo tashmë është konfirmuar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media.
“Ai po ashtu do të ketë takime në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në të dy Dhomat e Kongresit Amerikan, atë të Përfaqësuesve dhe në Senat” thuhet në komunikatë.
Megjithatë, Krasniqi nuk do të jetë i vetmi nga PDK. Kjo pasi, edhe deputetja Blerta Deliu do të jetë e pranishme në lutje.
Kështu pohoi vet ajo përmes një postimi në rrjetin social "Facebook".
"E nderuar me ftesën për të marrë pjesë në takimin tradicional të Lutjeve të Mëngjesit, ku pjesëmarrës do të jenë liderë botërorë, deputetë, diplomatë, kongresmenë, senatorë e zyrtarë të lartë të shtetit amerikan", shkroi ndër tjerash ajo.


