Haradinaj i pyet PDK-në e LDK-në: A ta presim Kurtin që ta dorëzojë me vullnet mandatin e tij?
Ndonëse partitë opozitare janë ringjallur, ato po veprojnë kundër rrugën e tyre të kundërshtimit të kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë së tij. PDK-ja kërkon zgjedhje, ndërsa LDK-ja e ka nisur rrugën e tretë, e AAK-ja ka një kohë që ka hedhur në publik idenë e një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti.
Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka shkruar një status, që në fakt më shumë duket një kritikë ndaj dy partive të tjera opozitare. Ai ka thënë të gjitha tri partitë po kërkojnë daljen nga gjendja, duke shtuar se AAK-ja e ka ofruar modelin e saj për rrugëdalje, e që përfshin mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.
“Ne si Aleancë kemi ofruar një model se si të dilet nga situata e krijuar, që është mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë, si mjet mbase tash për tash i vetmi, për ta ndalur degradimin e mëtejshëm që po i bëhet vendit.” – shkruan Haradinaj.
Ish-kryeministri Haradinaj u ka parashtruar edhe dy pyetje dy partive opozitare.
“Në fakt edhe njëra edhe tjetra parti opozitare, po e kërkojnë të njëjtën gjë që e kemi kërkuar edhe ne, por nuk po e shohin mënyrën se si realizohet kjo!
Pyetja ime është, si shkohet në zgjedhje, ose si gjendet rruga e tretë për të dalë nga kjo gjendje?
A ta presim kryeministrin që ta dorëzojë me vullnet mandatin e tij, gjë e cila duket e pamundshme, apo të presim të ndodhë ndonjë mrekulli vetvetiu?” – pyet Haradinajn.
Ai i ka ftuar dy partitë e tjera opozitare të përkrahin mocionin e AAK-së për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
"Prandaj partitë tjera opozitare, nëse janë të sinqerta në qëndrimin e tyre se kjo qeveri duhet ndalur me çdo kusht sepse po e shkatërron vendin, atëherë duhet ta kuptojnë se mocioni i propozuar prej nesh, është rruga e vetme, rrjedhimisht edhe ta mbështesin." - përfundon shkrimi i Haradinajt.
Idetë e PDK-së dhe LDK-së
Deri tani opozita ka zgjedhur diskutimet si metode primare, ndonëse nuk e ka përjashtuar edhe protestën. Ndërsa kërkesa për zgjedhje të reja tashmë është etabluar si kërkesë e PDK-së. Megjithatë, cilësia kryesore e opozitës është përçarja dhe ecja ndaras në rrugën e kundërshtimit të Qeverisë Kurti dhe pushtetit të LVV-së. Në fakt, janë disa ide të cilat opozita i ka hedhur në hapësirën politike.
Partia Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe opozitare, tashmë e ka të qartë zgjidhjen e problemit e krizës aktuale. Sipas tyre, duhen zgjedhje të reja parlamentare, pasi sipas tyre Qeveria Kurti e ka humbur kredibilitetin e tyre.
"Gjithsesi, duke parë se kjo Qeveri nuk ka më asnjë lloj kredibiliteti për të qeverisur me vendin – PDK konsideron se zgjidhja e vetme për ta larguar Kosovën nga kjo rrugë e shkatërrimit të çdo gjëje që është arritur në vitet e lirisë e të shtetësisë, është mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, sa më parë." – shkruhej në një komunikatë të PDK-së dy ditë më parë.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur një rrugë të re, e cila përfshin edhe konsultimin me aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile e medies, përfshirë disa gazetarë të njohur të Kosovës. Por LDK, më saktë kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, nuk e ka përjashtuar as mundësinë e protestës.
“Natyrisht, sepse ne tani bojkotimi ende në formatin e plotë le të themi se nuk marrim pjesë në komisione, të mos marrim pjesë në seanca, të mos marrim pjesë në jetën parlamentar ende nuk kemi ardhur në atë pozitë sepse nuk është qëndrim ende i LDK-së, or nuk e përjashtojmë varësisht prej zhvillimeve. Në fakte ne nuk i kemi përjashtuar çdo formë të refuzimit ndaj partinave të qeverisjes që është edhe jashtë institucionale, përfshirë edhe demonstratën. Nuk i kemi përjashtuar asnjëherë në qoftë se kuptojmë që rruga institucionale e pirur prej Qeverisë së Kosovës, prej liderëve tonë institucional është drejt përplasjes katastrofale te Kosovës, tani ne e vërejmë që është nisur në atë drejtim dhe po përpiqemi ta parandalojmë.”- ka thënë Abdixhiku.


