"Objekt talljeje, turp i turpit": Krasniqi e Abdixhiku e kritikojnë ashpër ministren Gërvalla - NACIONALE

"Objekt talljeje, turp i turpit": Krasniqi e Abdixhiku e kritikojnë ashpër ministren Gërvalla

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka qenë nën cakun e kritikës nga ana e dy liderëve kryesorë të opozitës. Memli Krasniqi i PDK-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK i lëshuan reflektorët e kritikës në drejtim të Gërvallës, të cilën e kritikuan për mënyrën e udhëheqjes së politikës së Kosovës. Ata përdorën një “artileri gjuhësore” goxha të rëndë, duke e cilësuar si “objekt talljeje e turp të turpit”, ndërsa mënyrën e menaxhimit të politikës së jashtme si “fatkeqësi” për Kosovën. Çka thanë Memli e Lumiri?

Në fakt, i pari që zgjodhi të komentojë figurën e Gërvallës ishte Abdixhiku. Në një intervistë për “Rubikon”-in e Adriatik Kelmentit në Klan Kosova, Abdixhiku ishte jashtëzakonisht i ashpër karshi Gërvallës, e cila dikur ishte pjesë e LDK-së. Madje, Abdixhiku deklaroi se fatkeqësisht ajo është kuadër e LDK-së, teksa menaxhimin e Gërvallës me politikën e jashtme e cilësoi fatkeqësi.

Abdixhiku ndau me publikun edhe një rrëfim që, sipas tij, ngjau në biseda joformale me diplomatë evropian. Sipas Abdixhikut, bisedat dhe diskutimet e Gërvallës janë “objekt talljeje” në korin diplomatik të BE-së.

“Fatkeqësia më e madhe që i ka ndodhë Republikës së Kosovës është mënyra se si është udhëhequr politika e jashtme në këto tri vite. Po ju them kështu nga komunikimet që i kemi ne si parti politike me familjen tonë evropiane, EPP…” – theksoi ai, teksa moderatori Adriatik Kelmendi i ndërhyri duke ia rikujtuar Abdixhikut se “Donika Gërvalla një kuadër i LDK-së”.

“Fatkeqësisht” – ishte përgjigja e Abdixhikut.

Në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, Abdixhiku tregoi edhe disa prapaskena nga bisedat me korin diplomatik evropian. Sipas tij, ky kor tallet me diskutimet e Gërvallës.

“Po ua them kështu prej komunikimeve jozyrtare, diskutimet e ministres sonë të jashtme janë objekt talljeje brenda korit diplomatik evropian.” – sqaroi ai.

Edhe shefi i PDK-së, Memli Krasniqi, që ishte i ftuar në “Click” të RTV 21, ishte jashtëzakonisht i ashpër me Gërvallën, por edhe me shefin e saj, Kurtin. Në fakt, ai e quajti Gërvallën si “turp të turpit”, ndërsa konkludoi se politika e jashtme e Kosovës veç e tillë nuk mund të quhet. Ndërsa për shefin e Gërvallës, pra z. Kurtin, ai theksoi se e ka konfrontuar Kosovën me botën e jashtme.

“Politika e jashtme e Kosovës veç e tillë nuk mund të quhet. Një kryeministër që na konfrontu me botën e jashtme, dhe një ministri e jashtme që është turpi i turpit.” – ka thënë ndër të tjera Krasniqi.

Ndryshe, Gërvlla ka qenë jashtëzakonisht e kritikuar nga ana e opozitës për mënyrën se si po e udhëheq politikën e jashtme. Madje, ajo ishte në qendër të debatit, pas një deklarate pa shije diplomatike në drejtim të BE-së, të cilën e cilësoi si “tigër prej letre” në aspektin e sigurisë.

“Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në bllok dhe pa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, BE-ja është një ‘tigër prej letre’ në aspektin e sigurisë.” – kishte theksuar zonja Gërvalla, deklaratë e cila kishte ngjallur shumë reagime.

Përkundër kritikave të rrepta, Gërvalla nuk u tërhoq, duke e publikuar fjalimin e saj, që u quajt skandaloz, në Facebook. Për më shumë, LVV-ja, pra partia e Kurtit, e mbrojti Gërvallën.

Lajme të ngjashme