Hapet për qarkullim pika kufitare në Merdare
Policia e Kosovës ka njoftuar se është hapur pika kufitare në Merdare e cila ishte bllokuar në anën serbe dy kilometra larg kufirit.
Sipas policisë, në ora 09:50 është liruar për qarkullim kjo pikë kufitare.
“KOMUNIKATË PËR MEDIA - Shtesë Pika kufitare ”Merdare” lirohet për qarkullim Prishtinë, më 29 dhjetor 2022 Bazuar në informacionet e fundit, rruga e cila ishte bllokuar me 27.12.2022 në kilometrin e dytë brenda në Serbi, sot në ora 09:50 është liruar për qarkullim. Andaj, njoftojmë qytetarët dhe bashkatdhetarët tani se pikë kalimi kufitar “Merdare”, është liruar për qarkullim dhe i është kthyer normalitetit të plotë.”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se më 27 dhejtor në anë serbe 2 kilometra afër kufirit në Merdare Një grup prej dhjetra serbëve kishin bllokuar një rimorkio me kamion dhe traktor,
Ata që i kishin vendosur këto barrikadat, kishin deklaruar se në këtë mënyrë po u japin përkrahje serbëve nga veriu i Kosovës të cilët për të nëntëmbëdhjetë ditë janë në barrikada në atë pjesë të provincës jugore të Serbisë, duke kërkuar plotësimin e kërkesave që i kanë bërë, si lirimin e serbëve të arrestuar, tërheqjën e policëve nga veriu i Mitrovicës si dhe "tërheqja e listave për arrestimin e serbëve."
Deri më tani rruga Kurshumlijë - Podujevë në fshatin Merdare, kishte qëndruar e bllokuar.
Qindra mërgimtarë mbetën të bllokuar si pasojë e mbylljes së kësaj rruge. Ata u detyruan që të përdorin pikat tjera kufitare për të hyrë në Kosovë.
Ndërkohë për sot është raportuar se do të largohen edhe barrikadat e tjera të vendosura në veri të vendit.
Pas 20 ditëve, pritet të nisë heqja e të paktën dhjetë barrikadave të vendosura në pjesën veriore të Mitrovicës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mbrëmjen e së mërkurës ka thënë se është çështje orësh largimi i barrikadave, duke thënë se nëse nuk ndodhë kjo, “do të ketë veprim të menjëhershëm”.
Osmani në “Rubikon” ka deklaruar se barrikadat do të largohen, “pas koordinimit me aleatët e vendit”.
“Por mund të them se pikërisht për shkak të kooridnimeve me aleatët tanë, është çështje orësh heqja e barrikadave, dhe nëse nuk largohen ato, do të ketë veprim të mënjehrshëm të dakorduar, të institucioneve tona.” – tha ajo.
Edhe nga pala serbe kanë deklaruar se barrikadat mund të nisin të hiqen mëngjesin e së enjtës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se barrikadat do fillojnë të hiqen mëngjesin e së enjtes, pasi sipas tij, “serbët ia pranuan propozimin".
Vuçiq pas takimit në Rashkë me serbët nga Kosova, ka thënë se barrikadat hiqen deri pas 48 orëve.
“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat.” – ka thënë ai.
Ndërkaq, kërkesë për largimin e barrikadave ka qenë lirimi i ish-policit serb, Dejan Pantiq, i cili të mërkurën është liruar nga paraburgimi dhe i është caktuar masa e arrestit shtëpiak.


