Haki Abazi i VV-së lë dyshime se ka pasur marrëveshje për barrikadat: Të tregohet haptas
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka thënë se barrikadat në veri nuk do të hiqeshin nëse nuk do të kishte një marrëveshje.
Madje sipas asaj që ka thënë në T7, nëse ka pasur marrëveshje, “duhet të tregohet haptas”.
“Nëse ka marrëveshje, unë mendoj që duhet të tregohet haptas...Nuk e di nëse quhet e fshehur, por barrikadat nuk do të hiqeshin po të mos kishte marrëveshje, unë mendoj që edhe lëshimi i Pantiq dhe heqja e barrikadave janë pjesë e një negociate të vazhdueshme, që ka rezultu me heqjen e këtyre barrikadave.” – tha ai.
Ky reagim i tij, nuk është në vijë me atë të shumë zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, e madje edhe qeveritarëve, të cilët kanë lënë të kuptohet se nuk ka pasur ndonjë marrëveshje.
Z.Abazi kishte një qasje kundër partisë së tij edhe kur njoftoi se do të paraqitej në intervistë, duke ironizuar se ka “lejën” e Arlind Manxhukës, zëdhënësit të LVV-së.
“Sonte në ora 23:00 me “lejën” e Arlind Manxhukës do të paraqitem tek Fidan Jupolli. Demokracia është kulturë, qëndrimi kritik është shtytës, të qëndruarit drejtë e në linjë me premtimet është arsye për besueshmëri me atë që ta jep votën!.” - tha ish-zëvëndëskryeministri në Qeverinë Kurti 1.
