Gërvalla i kërkon Perëndimit 'të mos gabojë më' si në Ukrainë dhe të nxjerrin mësimet
Pasi qortoi e kritikoi mbarë komunitetin Trans-Atlantik se po bëjnë “gabime të rënda strategjike”, Ministrja e Jashtme e Kosovës ka vazhduar të njëjtin “leksion” ndaj Perëndimit. Nuk e njohin Serbinë dhe po e përkdhelin atë, tha ajo në një intervistë mbrëmë në ATV, ku veçse qëndroi në linjat e intervistës së saj të fundit në “Der Standard”, intervistë kjo që argumentativisht mund të shënohet për skandal të madh diplomatik në vend. Gërvalla i mëshoi Perëndimit, e kuptueshëm më së shumti ShBA’së si lidere e Perëndimit, se “nuk kanë nxjerrur mësimet nga gëbimet që i kanë bërë në të kaluarën”. Këtu ajo e supozoi “gabimin” e bërë në Ukrainë, me mosevitimin e luftës atje, që, sipas saj, e për të njëqindtën herë që nga 24 shkurti i vitit të kaluar, ajo pandeh se mund t’i ndodh Kosovës.
“Mosnxjerrja e mësimeve edhe në strategjitë e gabuara që kanë çuar në mosevitimin e luftës në Ukrainë, të bëjnë të mendosh që gabimet e tilla mund të përsëriten edhe në Ballkanin Perëndimor. Është detyrë e jona si institucione që atë çfarë ne dimë për fqinjin tonë, për synimet dhe strategjitë e tyre, ne i ndjekim në detaje, edhe deklaratat e tyre i ndjekim dhe deklarimet e tyre i nxjerrim edhe mes rreshtash”, tha ajo.
Këtu, ajo e vendosi linjën me Vuçiqin dhe Daçiqin. “Mosnxjerrja e mësimeve nga gabimet e bëra në të kaluarën, nga gabimet e vjetra, që kanë pasur të bëjnë me vlerësimin e Serbisë në atë kohë dhe të mentorit qoftë të Vuçiqit apo Daçiqit, sepse të dy politikën e kanë filluar si djelmosha të Millosheviqit”.
Gërvalla nuk ndalet. Perëndimi, thotë ajo, nuk po i kupton intencat që ka Serbia. Këtu ajo vazhdon t’i mëshojë edhe Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçakut, për njëanshmëri.
“Shumë shpesh Lajçaku paraqet qëndrimet e Vuçiqit. Ky është konstatimi ynë, nga përcjellja që i kam bërë procesit, nga përcjellja e deklaratave që i jep Miroslav Lajçak në forume të ndryshme”.
“Për sa kohë ndërmjetësi Lajçak nuk e përjashton një propozim që është dhënë, e që madje i tejkalon edhe kompetencat të cilat Republika Srpska i ka në Bosnje-Hercegovinë, ne e kemi të pamundur të paraqesim propozimin tonë”, ka thënë mes tjerash ajo.
Intervista "shpërthyese"
Para dy dite, Gërvalla e dha një intervistë relativisht të gjatë për gazetën e njohur austriake “Der Standard”, ku foli për çështjet aktuale, përfshirë tensionet e shtuara në veri dhe marrëdhëniet e acaruara me aleatët. Në fakt, Gërvalla ka pasur kritika ndaj ShBA-së, BE-së, Miroslav Lajçakut. Që në krye të intervistës, Gërvalla e kritikoi Bashkimin Evropian, duke e quajtur "gabim serioz strategjik" kërcënimin e BE-së për masa ndaj Kosovës, nëse nuk shtensionohet situata në veri.
“Ky është një gabim i rëndë strategjik. Kërcënimet kundër një demokracie kushtetuese aleate që mbron ligjin në fuqi dhe përfaqësuesit e zgjedhur kundër kriminelëve të dhunshëm që përdorin granata dore kundër ushtarëve të KFOR-it, janë një sinjal fatal. Kjo fton përshkallëzimin - dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç po përshkallëzohet më tej: forcat speciale serbe kanë pushtuar vendin tonë dhe kanë rrëmbyer tre policë.” – deklaroi ajo fillimisht.
Pasi nuk u mjaftua me kritikat ndaj BE-së, ajo e zgjeroi cakun e saj të kritikave. Tash aty u futën edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shefja e MPJD-së vlerësoi se Kosova nuk mund të bëjë vetëvrasje pse këtë ia kërkojnë aleatët e saj (lexo: ShBA dhe BE).
“Kosova nuk mund të bëjë vetëvrasje politike as për miqtë e saj më të ngushtë. Ne, si Perëndimi në tërësi, nuk duhet të lejojmë që disa diplomatë problematikë ta fusin rajonin në luftë në një aleancë jo të shenjtë me përfaqësuesin e Putinit, Vuçiç. Në çdo rast ne do ta mbrojmë vendin tonë sepse mbrojmë shtetin ligjor dhe demokracinë. Vuçiqin nuk e ndalon dot as me para, as me qetësim, vetëm me një qëndrim kristal. BE-ja nuk e ka këtë sepse nuk është dakord” - deklaroi ajo.
Ndërsa, pasi përfundoi kritika kolektive ndaj Perëndimit, Gërvalla nuk ngurroi të lëshohet edhe në emra të përveçëm. Në shënjestren e kryediplomates kosovare ishte Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbinë. Gërvalla e akuzoi diplomatin e BE-së se shpesh mban qëndrimin e Vuçiqit.
“Përshkallëzimi është rezultat i një strategjie të gabuar. I dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, shpesh mban qëndrimin e Vuçiqit. Jo vetëm që kjo është vdekjeprurëse për ndërmjetësimin; e inkurajon Vuçiqin të përshkallëzohet. Situata është jashtëzakonisht e rrezikshme, madje ka edhe trupa Ëagner në vend. Një strategji e re nevojitet urgjentisht, duke përfshirë staf të ri, nëse duam të ndalet përshkallëzimi.” - shtoi Gërvalla.
Kujtojmë që Gërvalla, ditë më parë, bëri një deklaratë të çuditshme, duke e përulur ndihmën amerikane për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Edhe ashtu s’ka pasur ndonjë entuziazëm se kushedi se çka, dhe nuk është habi që ky entuziazëm nuk do të jetë prezent as gjatë debateve dhe diskutimeve që i kemi gjatë këtyre ditëve.” – deklaroi dje Gëvralla gjatë një konference për medie.

