Kritika ShBA-së, BE-së, Lajçakut: Intervista "shpërthyese" e Donika Gërvallës për mediumin austriak
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka dhënë një intervistë relativisht të gjatë për gazetën e njohur austriake “Der Standard”. Në këtë intervistë, Gërvalla ka folur për çështjen aktuale, përfshirë tensionet e shtuara në veri dhe marrëdhëniet e acaruara me aleatët. Në fakt, Gërvalla ka pasur kritika ndaj ShBA-së, BE-së, Miroslav Lajçakut. Por çka tha Gërvalla?
Që në krye të intervistës, Gërvalla e kritikoi Bashkimin Evropian, një nga partnerët më të mëdhenj të Kosovës në shtetndërtim. Ajo e quajti gabim serioz strategjik kërcënimin e BE-së për masa ndaj Kosovës, nëse nuk shtensionohet situata në veri.
“Ky është një gabim i rëndë strategjik. Kërcënimet kundër një demokracie kushtetuese aleate që mbron ligjin në fuqi dhe përfaqësuesit e zgjedhur kundër kriminelëve të dhunshëm që përdorin granata dore kundër ushtarëve të KFOR-it, janë një sinjal fatal. Kjo fton përshkallëzimin - dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç po përshkallëzohet më tej: forcat speciale serbe kanë pushtuar vendin tonë dhe kanë rrëmbyer tre policë.” – deklaroi ajo fillimisht.
Pasi nuk u mjaftua me kritikat ndaj BE-së, ajo e zgjeroi cakun e saj të kritikave. Tash aty u futën edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shefja e MPJD-së vlerësoi se Kosova nuk mund të bëjë vetëvrasje pse këtë ia kërkojnë aleatët e saj (lexo: ShBA dhe BE).
“Kosova nuk mund të bëjë vetëvrasje politike as për miqtë e saj më të ngushtë. Ne, si Perëndimi në tërësi, nuk duhet të lejojmë që disa diplomatë problematikë ta fusin rajonin në luftë në një aleancë jo të shenjtë me përfaqësuesin e Putinit, Vuçiç. Në çdo rast ne do ta mbrojmë vendin tonë sepse mbrojmë shtetin ligjor dhe demokracinë. Vuçiqin nuk e ndalon dot as me para, as me qetësim, vetëm me një qëndrim kristal. BE-ja nuk e ka këtë sepse nuk është dakord” - deklaroi ajo.
E kur përfundoi kritika kolektive ndaj Perëndimit, zonja Gërvalla nuk ngurroi të lëshohet edhe në emra të përveçëm. Në shënjestren e kryediplomates kosovare ishte Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbinë. Gërvalla e akuzoi diplomatin e BE-së se shpesh mban qëndrimin e Vuçiqit.
“Përshkallëzimi është rezultat i një strategjie të gabuar. I dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, shpesh mban qëndrimin e Vuçiqit. Jo vetëm që kjo është vdekjeprurëse për ndërmjetësimin; e inkurajon Vuçiqin të përshkallëzohet. Situata është jashtëzakonisht e rrezikshme, madje ka edhe trupa Ëagner në vend. Një strategji e re nevojitet urgjentisht, duke përfshirë staf të ri, nëse duam të ndalet përshkallëzimi.” - shtoi Gërvalla.
Natyrisht, Gërvalla e kritikoi edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin.
“Ky agresion i hapur është një alarm i kuq: kështu i nisi luftërat e tij ish-presidenti serb Slobodan Millosheviç në vitin 1991. Ne kemi paralajmëruar prej kohësh se do të ketë vdekje nëse Vuçiq nuk ndalet. Shembulli do të lërë gjurmë përtej rajonit. Sepse vë në pikëpyetje parimet dhe besueshmërinë e Perëndimit globalisht, siç dëgjojmë nga pjesë të tjera të botës.” – vlerësoi Gërvalla.
Ndryshe, Gërvalla edhe dje bëri një deklaratë të çuditshme, duke e përulur ndihmën amerikane për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Edhe ashtu s’ka pasur ndonjë entuziazëm se kushedi se çka, dhe nuk është habi që ky entuziazëm nuk do të jetë prezent as gjatë debateve dhe diskutimeve që i kemi gjatë këtyre ditëve.” – deklaroi dje Gëvralla gjatë një konference për medie.


