“Njohëm zgjedhjet…”: Escobar thotë se ShBA ka bërë gjithçka në të mirë të Kosovës në 90 ditët e fundit - NACIONALE

“Njohëm zgjedhjet…”: Escobar thotë se ShBA ka bërë gjithçka në të mirë të Kosovës në 90 ditët e fundit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gabriel Escobar, i dërguar i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, ka dhënë një intervistë relativisht të gjatë për Zërin e Amerikës, ku ka folur për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Në intervistën për VOA-n, Escobar është ndalur në disa tema të rëndësishme, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe kërkesat e ndërkombëtarëve rreth shtensionimit në veri. Çka tha Escobar?

Një pikë e rëndësishme në intervistë, ishte edhe çështja e përceptimeve në Kosovë, se ShBA-ja po bën më shumë trysni ndaj Prishtinës se Beogradit. Por një gjë të tillë e ka mohuar diplomati amerikan. Escobar ka deklaruar se ShBA-ja ka bërë gjithçka në favor të Kosovës në 90 ditët e fundit, duke vlerësuar se ShBA-ja nuk ka ushtruar shumë trysni ndaj Prishtinës.

“Gjithçka që kemi bërë gjatë 90 ditëve të fundit ka qenë për të mirën e Kosovës, gjithçka. Pra, mbështetëm Këshillin e Evropës. Pamë nevojën për zgjedhje të reja. I mbështetëm ato. I mbështetëm megjithëse Serbia ishte kundër tyre. Ne njohim rezultatin e zgjedhjeve, megjithëse patën vetëm 3% pjesëmarrje. Serbia donte që t’i shpallnim të paligjshme. Serbia donte që ne të mos njihnim autoritetin e kryetarëve. Ne i njohëm. Kur kryetarët u inauguruan, për ne ata ishin kryetarë.” – deklaroi ai.

Megjithatë, Escobar vlerësoi se ka nevojë për zgjedhje të reja në veri.

“Tashmë gjendemi në pozicionin e vështirë kur këta kryetarë nuk mund të pretendojnë se përfaqësojnë komunitetet ku janë kryetarë. Prandaj na duhen zgjedhje të reja. Por në të njëjtën mënyrë, ne pranuam se këta kryetarë kanë autoritetin ligjor për të vazhduar funksionet komunale. Kishim kërkuar megjithatë një gjë, që Kosova të mos përpiqej të merrte kontrollin e godinave komunale me forcë.” – shtoi ai.

Tutje, diplomati amerikan tregoi se kërkesa e vetme e ShBA-së ishte që të mos rriteshin tensionet në veri.

“E vetmja gjë që kërkuam nga qeveria e Kosovës është të mos rrisë tensionet, duke u përpjekur të shkojë atje me forcë. E megjithatë ata vepruan kështu. Pra nga njëra anë, gjithçka që kemi bërë, ka njohur legjitimitetin e Kosovës. Kemi mbajtur gjithnjë anën e tyre për të gjitha këto mosmarrëveshje.” – theksoi Escobar.

Asociacioni…

Sigurisht, temë e patejkalueshme e intervistës ishte edhe çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Escobar e përsëriti një deklaratë tashmë të theksuar disa herë, se Perëndimit nuk po kërkon asgjë më shumë se një Asociacion të modelit evropian.

“Qëndrimi ynë është se duhet të jetë një model evropian. Pra, qëndrimi ynë, qëndrimi amerikan, ka qenë gjithnjë se modeli i asociacionit duhet të jetë i tillë që të ofrojë shërbime komunale për një pakicë kombëtare të gjuhës serbe. Kaq – shërbime komunale.” – deklaroi ai.

Escobar ishte i qartë në lidhje me Asociacionin, duke treguar se një organizëm i tillë nuk duhet të ndërhyjë në Kushtetutën e Kosovës.

“Ajo nuk duhet të ndërhyjë me kushtetutën e Kosovës, strukturën e saj ligjore, apo funksionalitetin e saj. Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian u ka dhënë 16 lloje të ndryshme modelesh evropiane, që do të funksiononin për Kosovën. Në asnjë nga ato modele nuk mundet, që një vend fqinj të hyjë brenda kufijve të një vendi tjetër dhe të pengojë funksionalitetin e tij. Pra, nuk po kërkojmë një mjet matematikor midis dy qëndrimeve. Kërkojmë një version evropian. Pra, atij nuk i duhet asgjë më shumë se kjo.” – deklaroi ai.

Në funt të intervistës, Escobar u pyet se çka do të veprojë ShBA-ja nëse Kurti nuk i dëgjon aleatët e Kosovës. Përgjigja e tij ishte si më poshtë:

“Kjo nuk është një çështje SHBA – Kurti. Këtu është i gjithë komuniteti transatlantik që po i thotë qeverisë së Kosovës se dëshirojmë të bashkëpunojnë me qeverinë, por ne nuk mund të respektojmë vendime të njëanshme që krijojnë tension në një mënyrë të panevojshme, të shmangshme dhe të parashikueshme. Kjo është e gjitha çfarë po kërkojmë.” – komentoi Escobar.

Lajme të ngjashme