Gërvalla e bën sërish, “demanton” ShBA’në
Njohjet e reja “nuk pikin nga qielli” dhe s’ka fort rëndësi edhe aq “rreth asaj se a kemi apo s’kemi njohe të reja”; shumë më me rëndësi është se cila është cilësia e marrëdhënieve që shteti kosovar ka me shtetet tashmë njohëse, dhe atë jo vetëm me çfarëdo shtetesh njohëse, por me aleatët jetikë si Shtetet e Bashkuara. Kjo duhet të jetë politika e jashtme. Këto s’janë komente të bëra nga Nacionalja por nga vetë Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, para më pak se dy vitesh. Në një intervistë te Fidan Jupolli, ajo do të njoftonte, se megjithatë, ndonëse situata ishte jo aq premtuese sa i përket njohjeve, Kosova ia kishte të dal “të ulej në tryezë më vende që më parë s’ka biseduar kurrë”; ndërsa pyetur se cilat janë këto shtete ajo kishte bërë pauzën më të çuditshme (por edhe ikonike si karakteristikë shënjuese e krejt punës së saj si kryediplomate): “mmm...tjetër...herë”.
Dy vite e gjysmë në njërën nga pozita më të rëndësishme shtetërore, atë të pasqyrës së Kosovës me jashtë, Donika Gërvallës s’i janë parë punët; dhe, rrjedhimisht, ajo që nuk shihet edhe nuk ekziston. Se kompetenca e saj ka qenë e mangët në këtë detyrë të rëndësishme e kishte ilustruar vetë me të marrë punën duke ngatërruar flamujt bazikë të shteteve dhe organizatave ndrkombëtare në Twitter; për çfarë ishte shndërruar edhe në meme. Mosdija se flamuri i NATO-s s’është i njëjtë me të OKB-së s’është gjë e madhe? Ku mungonte gjeografia elementare, pritshmëritë ishin se gjeopolitika e avancuar do të ishte lëndë edhe më e rëndë për Gërvallën.
Që nga fundi i majit e gjer më sot, pasqyra e vendit është e një zone me potencial konflikti ndërsa qeveria kosovare është shënjuar si fajtore për “masa të dhunshme” që kanë ashpërsuar tensionet në veri; vendi gjendet përballë paralajmërimeve për sanksionim dhe rrënim marrëdhëniesh në përmasa fatale me mbarë komunitetit Trans-Atlantik. Kosova është përjashtuar, inicialisht, nga ushtrimi i madh ndërkombëtar me NATO-n “Defender 2023”, ndërsa ShBA’të, për shkak se kërkesat e tyre “u flakën tutje” nga qeveria kryetar i të cilës është Albin Kurti kanë njoftuar se do të pezullojë angazhimin e tyre me shtetet mosnjohëse dhe shtyrjes së Kosovës në integrimet euroatlantike të saj. Masa restriktuese janë paralajmëruar edhe nga Bashkimi Evropian. Krejt ky domen bie nën ministren e jashtme, Donika Gërvallën.
Top-diplomatja kosovare, në këto katër javë kohë, është paraqitur vetëm njëherë në media; dhe atë për të përgënjeshtruar vetë ShBA’në. Diplomatit, thotë Henry Kissinger, i lejohet vetëm një supozim sepse gabimet e tij janë të papërmirësueshme; ndërsa, nëse për hir të argumentit nisemi nga fraza se “ambasadori/ja është njeri i/e sinqertë që dërgohet për të gënjyer për të mirën e vendit të tij/saj”, Gërvalla del e bën saktësisht të kundërtën duke pretenduar gjëra të kundërta me ShBA’në për të "mirën/keqen" (relative) të vendit të saj. Për se është fjala?
Në konferencën e djeshme për media Gërvalla, pyetur rreth këtij prospekti të zbehjes së entuziazmit amerikan “demantoi” se ka pasur në rend të parë diçka që mund të quhet “entuziazëm” në angazhim me shtet mosnjohëse dhe integrime euro-atlantike të vendit.
“Edhe ashtu s’ka pasur ndonjë entuziazëm se kushedi se çka, dhe nuk është habi që ky entuziazëm nuk do të jetë prezent as gjatë debateve dhe diskutimeve që i kemi gjatë këtyre ditëve”, tha ajo pyetur nga gazetarja e Nacionales, Besarta Hoti. Kjo ishte “demanti” i Gërvallës.
Hiç më larg se dje, ishte Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, i cili duke folur në “Atlantic Council” njoftoi se ishte ShBA’ja ajo që “madje edhe unilateralisht” dhe përkundër vendeve skeptike, e shtyu përpara aplikacionin e Kosovës në Këshill të Evropës. Këtë arritje, Gërvalla e quan “historike” që më shumë se një vit, por pa ia atribuar një trohë merite “entuaziazmit” amerikan.
Nuk ka pasur entuziazëm amerikan për angazhim me shtetet mosnjohëse? ShBA thotë tjetër gjë. Ishte Këshilltari i Lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili para mëse një muaji duke raportuar në Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin amerikan, pati njoftuar për “angazhim intenziv” me pesë shtetet mosnjohëse.
“Mund t’ju them që, në këtë angazhimin internziv që kemi pasur me këto shtete (pesëshen mosnjohëse të BE’së) për sa kohë i afrohemi zbatimit të marrëveshjes për normalizim dhe mundësisë për këtë zbatim; kemi pasur sinjale nga disa prej këtyre mosnjohësve që e kuptojnë/pranojnë që kjo është diçka që duhet ta bëjnë shpejt, njohjen e Kosovës; ka prej tyre me të cilët do të jenë e vështirë; dhe kjo është diçka që ne ua themi miqëve tanë në Kosovë; që ne do të punojnë tepër shumë në këto përpjekje; ne po punojmë shumë për këtë dhe do të vazhdojmë të punojmë. Por, na duhet ta shohim këtë marrëveshje që të zbatohet. Sepse kjo do të bënte argumentin tonë shumë më të fortë (për njohjen e Kosovës) po ta shihnim marrëveshjen duke shkuar para”, pati thënë Chollet.
Gërvalla s’e ka sefte në demantim të ShBA’së; prej barcoletës së saj të famshme në profilin e saj në Facebook e deri te “demanti” i të gjithëve në një media portugeze se “nuk kemi marrëveshje me Serbinë” pavarësisht se ishte edhe shefi i saj (përveç ShBA’së) që proklamonin marrëveshje historike.
