“Guximi i Ganes”: Qysh u ofendua e kush e mbrojti Ganimete Musliun, gruaja që e kritikoi Albin Kurtin? - NACIONALE

“Guximi i Ganes”: Qysh u ofendua e kush e mbrojti Ganimete Musliun, gruaja që e kritikoi Albin Kurtin?

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Përderisa VV-ja vazhdon të tallet me opozitën në çdo formë të mundshme, herë pas here duke bërë edhe akuza të rënda në videot propaganduese që realizon, një grua doli në Kuvend dhe i tregoi kryeministrit të Kosovës një të vërtetë, e cila mjaftoi për të ndezur ofendimet ndaj saj nga persona që siç i quajti analisti Mirena, “janë lluzera të nxjerrë në sipërfaqe nga Kurti e Osmani”.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, në seancën parlamentare të mbajtur të enjten vonë, doli në foltore dhe iu drejtua kryeministrit Kurti duke e kritikuar në një mënyrë të guximshme.

“A po të kujtohet Albin, kur vishe me krahë t’hapun si shqiponjë, e thoje pse po mbani seanca natën, prej kujt po ikini. Çka je tu bo ti Albin tash? Dreqi t’hangtë, nuk e le asnjë qershi pa e hongër. Asnjë qershi s’do me e lanë,”- u shpreh Musliu, teksa për t’ia rifreskuar kryeministrit më mirë fjalët që i kishte thënë dikur, fjalimin e saj e shoqëroi edhe me gjeste, duke shkaktuar të qeshura në Kuvend, e edhe te vetë Kurti.

Megjithatë, pas fjalimit të Musliut, në mediat sociale nisi një lumë ofendimesh ndaj saj e votuesve të saj.

“Kafshë", ishte ofendimi që fillimisht këngëtari Ardijan Rrusta ia bëri votuesve të deputetes Musliu, të cilët dihet se kryesisht janë nga Drenica, ndërsa duke komentuar në statusin e një qytetari, ai vazhdoi me komente tepër të rënda ndaj deputetes së PDK-së, të tilla si: “Qeso “Femnash” ne mesjete i kan quajt which, e jo katundare,e kan perfundu ne turen e druve.

Veç Rrustës, një figurë tjetër publike, ish-deputeti i VV-së, Fisnik Ismaili, doli me një postim në Facebook, duke shkruar se:“Qesi lladikash si Ganja është mbushë Lëvizja plot. Çka po hani m** ju, se? Sa shypojat me thonj të kambës të papremë mrena i keni...”

Komentet e Rrustës fillimisht nxitën ofendime e sharje të shumë qytetarëve ndaj Musliut, duke krijuar një debat të madh e dënim nga ana e shumë politikanëve, analistëve e aktivistësve, që i dolën në mbrojtje Musliut.

Ndër figurat politike që i cilësuan ofendimet ndaj saj si të “patolerushme” ishin: Duda Balje, Abelard Tahiri, Albana Bytyçi, Bekë Berisha, Besnik Tahiri, Hisen Berisha, Blerta Deliu Kodra e Vlora Çitaku, por nuk mungoi mbështetja e dënimi i ofendimeve ndaj saj as nga shumë analistë e gazetarë të tjerë.

Ilir Mirena, Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi kanë qenë në mesin e atyre që kanë thënë se sulmet ndaj Musliut e votuesve të saj kanë bazë regjionin nga ajo vjen - pra Drenicën dhe i kanë cilësuar si "racizëm kulturor" - si dhe partinë së cilës deputetja Musliu i përket.

Ndërkohë që, analisti Rron Gjinovci ka “shpjeguar”se ofendimet ndaj Musliut nuk kanë të bëjnë me racizëm, duke akuzuar PDK-në për keqqeverisje.

“Sa herë po i hupin krejt argumentet po kapën për "racizmim". Jo jo, s'ka racizën ndaj Drenicës, por ka dhe ka pasë shtypje strukturore hon e don. Skenderaji, prej kah e kom une prejardhjen, është hala komuna ma e varfën dhe me papunësinë ma të madhe në Kosovë. E gjithë kjo mbas 22 vjet qeverisje lokale e 15 vjet qeverisje qendrore të PDK-së. Hajde kta që s'jon të Drenicës na e paskan inati, po PDK-ja pse me na e bo ktahën?!”- ka shkruar Gjinovci.

Një reagim i vonshëm lidhur me situatën e krijuar, ka ardhur edhe nga Tinka Kurti, deputete e VV-së dhe kryetare e grave deputete, e cila doli me një shkrim në Facebook, duke mos u ndalur gjatë të ofendimet për deputeten Musliu, por duke vënë në fokus më shumë, sipas saj “keqpërdorimin e mikrofonit në Kuvend”.

“Tash unë po pyetem se pse nuk po reagoj për komentet ndaj deputetes Musliu. Asnjëherë nuk jam dakord dhe nuk është hera e parë që reagoj por deputeten Musliu por nuk mund t'i fal politikanët e t'ia nis nga qytetarët. Pra, së pari kritikë politikanëve për keqpërdorim të mikrofonit në Kuvend pastaj qytetarëve për fejsbuk.” – ka shkruar deputetja Kurti.

Madje, vlen të theksohet se ky reagim i deputetes Kurti, vjen pasi u kontaktua nga gazeta Nacionale, ku kërkoi që të “presim pak”, e më pas doli me shkrimin e lartcekur.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që deputetja Musliu përballet me ofendime të rënda që nxiten edhe nga figura të ndryshme publike, ndërsa mbështeten nga persona të cilët, ndër të tjera kanë treguar se janë edhe “vrasës potencial” - para një viti Musliu kishte njoftuar se është kërcënuar me “prerje të kokës me sëpatë”, nga disa militantë të VV-së,

Lajme të ngjashme