Grupi i Emanit, Klinaku me “Rambon” e hoxhallarët: “Myslimanët e përçarë” bashkë kundër Kurtit për projekt-kodin - NACIONALE

Grupi i Emanit, Klinaku me “Rambon” e hoxhallarët: “Myslimanët e përçarë” bashkë kundër Kurtit për projekt-kodin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në secilën palë zgjedhjesh, feja islame ka qenë fuqi politikisht mobilizuese. E njëjtë duket se do të jetë edhe në zgjedhjet e ardhshme. Përtej gogolit të islamit politik, në Kosovë aktualisht janë tri grupe që, në një formë apo tjetrën, po “luftojnë” për vëmendje politike. Njëra është ende e paorganizuar, një tjetër është formuar, ndërsa grupi i tretë është si gjithmonë fluid.

Ndonëse të ndarë, ata kanë disa të përbashkëta si p.sh. përkrahja për “vlerat familjare” e këmbëngulja në kundërshtimin e projekt-kodit civil, që parasheh bashkëjetesën e seksit të njëjtë. Por së paku dy nga këto grupe, tashmë kanë ndarë rrugët. Ndonëse të përçarë, ata janë bashkë kundër Kurtit në lidhje me projekt-kodin civil. Njëri grup veçse ka filluar flirtimin publik me Ramush Haradinajn, kryetar i AAK-së, ndërsa grupi më i fuqishëm politik i "myslimanëve", ende është në VV, por nuk dihet deri kur.

Gazeta Nacionale i ka emërtuar këto tri grupe si “Grupi i Emanit”, “Grupi i Demokracisë Konservatore” dhe “Grupi i Hoxhollarëve”.

“Grupi i Emanit”

Ndonëse jo krejtësisht përfaqësuses, është një emër shënjues, megjithatë. Grupi i Emanit është emërtuar pas emrit të Eman Rrahmanit, deputetit të zëshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Në grupin e Emanit janë diku mes 7 deri në 10 deputetë, ndërsa figura politikisht më e tregtueshme, por edhe më e pranuara në medie, është ajo e Rrahmanit. Por, në këtë grup bëjnë pjesë edhe deputetët si Visar Korenica, Gramos Agusholli, Valon Ramadani, Alban Bajrami, e herë pas here edhe deputetë të tjerë.

Në fakt, ky grup nuk është tamam grup. Pra nuk është themeluar ende zyrtarisht. Por në një formë, nganjëherë të vërejtshme, ai funksionon si grup i zyrtarizuar. Ata qëndrojnë bashkë kundër projekt-kodit civil, disa prej tyre qenë bashkë edhe në lidhje me përkrahjen ndaj sindikatave në kohën e grevave. Por, mbi të gjitha, ata kanë një të përbashkët, nuk janë më të dëshiruar (si dikur) në VV e shikohen vëngër. Pra shihen me dyshim.

Rrethanat kanë dërguar në “themelimin jozyrtart” të këtij grupi. Diferencimi brenda VV-së erdhi si pasojë e projekt-kodit civil, që ishte një nismë ligjore e Ministrisë së Drejtësisë. Shumica e tyre, votuan kundër projekt-kodit. Por me kalimin e kohës, përplasjet u thelluan edhe më shumë, duke bërë që e ardhmja e grupit konservator në VV të jetë e diskutueshme. Nuk dihet se nga do të anojnë në zgjedhjet e ardhshme, por vështirë se mund të qëndrojnë ende në VV, pas gjithë kësaj përplasje.

Grupi i “Demokracisë Konservatore”

Ndonëse emrin e ri, “Demokracia Konservatore”deri tash ka mbledhur afër vetes figura të vjetra politike. Njeriu më aktiv në media i këtij “klubi”, ashtu siç vetëquhet Demokracia Konservatore, është Abdullah Klinaku, ish-anëtar i Partisë së Drejtësisë. Ndonëse moti kohë në politikë, z. Klinaku mbetet përgjithësisht një politikan i panjohur për masën e gjerë. Megjithatë, ai ka disa paraqitje në televizione, ku kryesisht ka frekuentuar për çështje të tilla si feja, Turqia e projekt-kodivi civil, gjë e cila e bashkon me grupin e parë.

Demokracia Konservatore ka bërë edhe një platformë, të cilën e kanë publikuar virtualisht, duke treguar se për çka qëndrojnë. Në këtë klub, deri tani janë mbledhur disa figura të PD-së, ndonëse sipas burimeve ka pasur edhe një tentim për të biseduar me “Grupin e Emanit” rreth një bashkimi të mundshëm, gjë e cila u refuzua nga këta të fundit.

“Klubi “Demokracia Konservatore” është organizim qytetar dhe përpjekje për bashkimin e intelektualëve, aktivistëve dhe qytetarëve rreth vlerave që i kultivon demokracia konservatore si koncept politik e kulturor. Është koncept i cili grumbullon rreth vetes individët që bashkohen rreth vlerave konservatore pa dallime partiake, fetare, krahinore apo nacionale.” - shkruante Klinaku.

Politikani i panjohur gjerësisht, pra Klinaku, bashkë me klubin e tij “Demokracia Konservatore”, ka bërë zgjedhjen e tij politike. Ai tashmë është në një flirtim të hapur me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, më saktësisht me Ramush Haradinajn, njeriun që vite më parë kishte një diskurs të ashpër kundër grupacioneve fetare islame.

Në disa raste, ata janë parë në takime me z. Ramush Haradinajn, kryetar i AAK-së, të cilit i shkuan në konak gjatë përvjetorit të “Epopesë së Dukagjinit”, duke shkruar fjalë të mëdha për familjen Haradinaj. Z. Klinaku i ka përvetësuar edhe argumentet e Haradinajt, duke kritikuar ashpër Qeverinë Kurti. Ndër të tjera, Klinaku tash beson se taksa 100% e Haradinajt ishte vendimi më i rëndësishëm në vitet e fundit.

Grupi “hoxhollarët”

Janë edhe një grup tjetër, që ndonëse nuk janë të organizuar në mënyrë të strukturuar, ata vazhdojnë të kenë ndikim në. Është fjala për hoxhollarët. Pra për imamët e Kosovës, të cilët kanë ndikim në xhematet e tyre nëpër qytetet kosovare. Një pjesë e konsiderueshme e tyre, për shumë arsye, në zgjedhjet e fundit përkrahën Kurtin, i cili premtoi luftimin e islamofobisë dhe zgjidhjen e problemit të grave me shami. Por asnjëra e as tjetra nuk ka ndodhur.

Për më shumë, çështja e projekt-kodit civil, që u kundërshtua nga ana e Bashkësisë Islame të Kosovës, ka irrituar grupin e hoxhollarëve, të cilët megjithatë nuk janë monolit. Por shumica dërrmuese e tyre e kritikojnë Kurtin për çështjen e bashkëjetesës së bashkësive civile të seksit të njëjtë. Për më shumë, refuzimi për të trajtuar çështjen e udhëzimit administrativ që ndalon bartjen e uniformës fetare në shkollat publike.

Andaj, zhgënjimi tashmë ka filluar. Nuk dihet se nga do të rreshtohen hoxhollarët në zgjedhjet e ardhshme, megjithatë fuqia politike e tyre nuk është si dikur.

Lajme të ngjashme